Kuarci në Kallabak: Si do të punohet për 12 vite, dhe çfarë nuk keni ditur?!

Lexuar 2886 here




nga Azem PARLLAKU
Ka pak kohë që, banorët e fshatrave Novosej dhe Shishtavec po përpiqen të mësojnë, nëse me të vërtetë po bëhet gati të nisë puna për shfrytëzimin dhe nxjerrjen e mineralit të kuarcit në objektin, "Kodra e Nocit" në Kallabak. Banorët këtu kanë të drejtë, mbasi askush nga strukturat e qeverisjes nuk u'a ka bërë të ditur se çfarë po ndodh realisht, në ndërkohë që vetëm dy javë më parë kanë nisur gërmimet në shpatin verior të malit Kallabak.

Objekti i kuarcit "Kodra e Nocit" në Kallabak, është zbuluar si rrezultat i punimeve të kërkim zbulimit të ndërmarjeve gjeologjike para vitit 1970. Më pas në këtë vendburim filluan punimet e shfrytëzimit. Punimet hapëse në vendburim kanë filluar në vitin 1978.
Menjëherë mbas punimeve të hapjes filluan punimet e shfrytëzimit të cilat kanë vazhduar deri në vitin 1985. Gjatë kësaj periudhe nga kjo minierë janë prodhuar rreth 99 000 ton mineral kuarci. Në vitin 2007, për shfrytëzimin e këtij vendburimi, një subjekt privat u pas me leje shfrytëzimi, por nuk zhvillojë punë gjatë kohës që ai mbajti lejen minerare. Në vitin 2013, leja minerare i kaloi subjektit "Allbenia Ferro" sh.p.k. subjekt i cili është i pasiur me leje minerare shfrytëzimi dhe për objektin e kuarcit.

Në shtator të vitit 2016, ky subjekt ka hartuar një raport teknik për konsultim me publikun. Se çfarë thuhet në këtë raport, banorët e fshatrave më të afërt me vendburimin e mineralit nuk kanë aspak dijeni, ç'ka nënkupton se si strukturat shtetërore të qeverisjes e kanë injoruar publikun e këtushëm. Duke mos i ikur misionit për të cilin shërben Portali kallabak.com interesi ynë ishte të mësojmë më shumë rreth karakteristikave të këtij projekti, për t'ia bërë të ditura ato lexuesit tonë.

Më konkretisht: Vendburimi i kuarciteve në Kallabak, bën pjesë në hartën topografike me shkallë 1:25000, me nomeklaturë K-34-78-A-a (Kukës).
Kuota më e ulët e vend burimit është + 1860 m duke u rritur deri në kuotën më të lartë + 1910 m, me një kënd rënie të përgjithshme nga 30-35 gradë.
Nga pikëpamja administrative është në juridiksionin e Qarkut Kukës dhe ndodhet brenda kufijve administrativë të njësisë vendore Shishtavec. Zona e lejuar minerare e dhënë për shfrytëzimin e mineralit kuarc, zë një sipërfaqe 0.25 km2. Sipërfaqja e objektit është 0.25 km2 ose 250000 m2. Brenda kësaj sipërfaqe do të vazhdojë hapja dhe shfrytëzimi i karierës, e cila së bashku me rrugët dhe sheshet e depozitimit zënë një sipërfaqe të përgjithshme prej 0.038799 km2, ose 38799 m2, ose 3.8799 ha.

Nga analizat dhe nga puna që është bërë në këtë vendburim ka rezultuar se aty shkëmbinjtë janë të përbërë nga elementi SiO2, kuarc, i cili shkon deri 98.81% prandaj është klasifikuar dhe emërtuar vendburim kuarci. Elementët e tjerë përbërës janë Al2O3 deri 0.60%; Fe2O3 deri 0.07%; Na2O=0.05%; K2O=0.15%.

Përsa i përket përdorimit të këtij vendburimi, ai do të shfrytëzohet për nxjerrjen e kuarcit dhe pasi të kenë përfunduar të gjitha rezervat, do të rehabilitohet duke mbjellë fidanë pemësh. Nga llogaritjet e rezervave, vërejmë se do të duhen rreth 12 vite që të nxirren të gjitha rezervat e kuarcit që ndodhen në këtë vendburim.

Sipas vlerësimit cilësor dhe atij teknologjik të lëndës së parë, kuarci i këtij vendburimi mund të ofrohet si lëndë e parë për industrinë e prodhimit të xhamit, qelqit, tullat refraktare, për fonderitë, për furrat e pjekjes së porcelanit dhe si fluks për metalurgjinë. Transporti i kuarcit nga shkallët e karieres deri në vendin e depozitimit në kuotën rreth+1790 m ose direkt tek konsumatori, parashikohet ngarkim me fadrome me kapacitet kove 2-3 m3 dhe kamione 20 tonësh. Karriera në gjendje përfundimtare do të perfaqesohet nga 10 shkalle nga 10 metra secila. Për rrëzimin shkëmbinjve parashikohet të përdoret lëndë plasëse në dy variante, me puse sondash dhe me dhoma minash.

Bazuar në sasinë e rezervave të llogaritura dhe në kapacitetin nxjerres vjetor të karrierës, sipas kërkesës së subjektit, jeta e minierës do te jete : 2 957 125 ton : 50 000 ton/vit ose rreth 60 vjet. Praktikisht nuk do të jetë kjo jeta e minierës, sepse kërkesat e tregut në vend dhe sidomos për eksport, do të rriten mjaft vitet e ardhme dhe kapaciteti vjetor prodhues i minierës do të duhet të rritet, duke ngritur kështu ndjeshëm efektivitetin ekonomik të saj. Në këtë karierë do të prodhohet 50 000 ton/vit kuarcit dhe mesatarisht 28 000 ton/vit steril. Në zbulim dhe në prodhim do të punohet me 10 orë punë në ditë, afërisht dy ndërresa. Në një vit do të punohet 120 dite/vit. Regjimi i punës do të jetë me 22-24 ditë në muaj.
Punonjësit që do të punësohen do të jenë me eksperiencë si në shpimin, mbushjen, plasjen e birave dhe në kryerjen e proceseve të tjera të karakterit minerar. Në të do të punojnë gjithsej 10 punonjës, duke përfshire të gjithë specialistët, punonjësit direkt në karrierë, punonjësit e mirëmbajtjes, punonjësit e shërbimit dhe ato të administratës.

Në mënyrë që të garantohet mbarvajtja e punëve për hapjen dhe nxjerrjen e kuarcit do të kryhen dhe aktivitetet ndihmëse si, rikonstruksioni i pjesshëm i rrugës egzistuese deri në vendburim afërsisht 10 km. Gjithashtu do të ndërtohen objekte sipërfaqsore industriale e të shërbimit të makinerive dhe paisjeve, si dhe objekte shërbimi për punonjësit. Pavaresisht nga linja ekzituese e furnizimit me energji elektrike e rrjetit kombetar, Kukes-Shishtavec, furnizimi me energji i objekteve dhe vecanerisht i paisjeve e makinerive te karrjeres do te behet ne menyre te pavarur nga subjekti privat, me paisje dizel ose gjeneratore.

Zbatimi i pojektit të shfrytëzimit të kuarciteve nuk do të ndikojë në popullsi për pasojë nuk do të ketë ndikime pasuese mjedisore. Kjo shikohet dhe nga numuri shumë i kufizuar i punonjësve vetëm 10. Aktiviteti për shfrytëzmin e kuarciteve nuk ndikon në infrastrukturën e ndërtuar nga njerëzit në vite për faktin që ky aktivitet do të ushtrohet në një zonë të virgjër përsa i përket ndërtimeve apo projekteve të tjera.

Gjatë shfrytëzimit të objektit parashikohet rigjenerimi hap pas-hapi i zonës së shfrytëzuar dhe kryerja e punimeve suplementare të mbushjes dhe sistemimit. Në vendin e cakuar në projekt parashikohet depozitimi i materialit të papërdorshëm të mbulesës dhe përpunimi i tij me toka vegjetative për të mundësuar mbjelljen e bimëve dhe pemëve karakteristike të zonës. Pamja e sipërfaqes së objektit pas përfundimit të shfrytëzimit të tij do të jetë taracore, më e gjelberuar dhe më çlodhese për syrin.

Punimet shtesë, të parashikuar gjatë shfrytëzimit, do të mundësojnë ruajtjen e të gjithë elementëve të ambientit dhe biodiversitetit, parandalimin e erozionit dhe gjelbërimin e sipërfaqes. Ushtrimi i këtij aktiviteti, në kushte optimale dhe përfundimi i shfrytëzimit të kuarcit në këtë objekt, nuk do të ndikojë në nivelin e ujrave tokësore, në rrugët ujore, dhe në rrjedhën e ujrave nëntokësore.