Në Topojan, aty ku vetmia dhe mjerimi, të vret

Lexuar 1121 here




nga Azem PARLLAKU
Menjëherë pas vitit 1990, e gjatë viteve të tranzicionit, liria e lëvizjes nxiti një numër të madh familjesh, që të largohen nga zonat rurale, duke kërkuar zona më "të buta" dhe kryesisht zonat e zhvilluara urbane.

Topojani dhe fshatrat tjerë, të ish-Komunës me qendër Topojanin, filluan të braktisen spontanisht, duke bërë që, tashmë në këto fshatra, të ketë mbetur më pak se 1/3 e popullësisë së dikurshme.

Ato pak banorë që jetojnë aktualisht në shtëpitë e të parëve në këto fshatra, qëndrojnë ende jo për nostalgji, por janë shumë të varfër dhe nuk kanë mundësi të lëvizin.

Ndërtesa të ish-reparteve ushtarake të së djeshmes, udhët përmes fshatrave të shkretuara, tek-tuk ndonjë zë i mbytur që, vjen nga larg pasuar nga pëllitja e bagtive nuk janë asgjë më tepër veçse një "panoramë trishtuese", fatkeqësisht dhe shumë mjeruese.

E shkuara e Topojanit është mbreslënëse, sa herë na duhet t'i referohemi historisë, veçanërisht asaj të viteve 1912-1913.

Një lapidar i madh dhe i restauruar së fundmi, përkujton një ngjarje, se si ky fshat u vra, por kurrë nuk u "shkretua" sic është sot i braktisur.

Të paktët njerëz që jetojnë këtu, i detyron pamundësia. E nëse ke hyrë në në "barakën" ku shitet vaji, e luhet bilardo, vetëm aty mund të tymosësh pak duhan, e të këmbesh ndonjë fjalë rastësisht.

Duke qenë se toka është shumë e pakët dhe aspak e bonifikuar, fshatarët mezi e nxjerrin jetesën duke u marrë me të, nga ana tjetër edhe pyjet janë zhdukur pothuajse plotësisht, saqë peizazhi i fshatit të ngjan me zona të shkreta në mëshirën e erozionit.

Kur kujton, si patriotët topojanas luftuan në 1912 për të bërë shtet, sot në Topojan shteti është pothuaj inekzistent.

Në fletoren e mjerimit mbushen, e mbushen fletët, ndërsa të pamundur njerëzit janë të dëshpëruar.

Në Topojan mjerimi duket në çdo detaj të jetës dhe më tepër në kuzhinat e familjeve, ku më së shumti amvisat gatuajnë për ushqim vetëm patate me gjizë, në veshjet e varfra të fëmijëve, e dyshemetë prej balte të shtëpive përdhese.

Trishtuese por, Topojani po shkon drejt shuarjes, pasi që prej më shumë se dy dekadash këtu nuk është ndërtuar asnjë shtëpi e re.

Të rinjtë janë larguar kryesisht në vendet perëndimore për një punë, për të mbajtur familjet, ndërsa shumë rrallë, njerëzit i janë kthyer fshatit të lindjes, për të parë mundësinë se edhe aty mund të jetohet.

Ikja këtu ofrohet si e vetmja mundësi, por ikja si për pjesën dërrmuese të shqiptarëve, është tepër e vështirë.

Intinerari për shumë nga emigrantët nga Topojani, më herët kalonte nga Kosova, Maqedonia dhe më në fund në Greqi, dhe e gjithë rruga bëhej në këmbë, ndërsa sot të shkosh deri në Gjermani, është aspak e lehtë.

Këtu djemtë shpresojnë rrugëdalje tek emigracioni, atje gjejnë ndonjë zanat dhe nuk kthehen më në vendlindje. Vendosen diku në fushë, afër zonave urbane dhe atje ndërtojnë një jetë të re.

Në Topojan, por edhe në fshatrat e tjerë, për vajzat jeta "mbyllet" me mbarimin e shkollës së detyrueshme. Në të rrallë vajzat që mbarojnë arsimin e mesëm shkojnë në shkollë të lartë dhe kjo dukuri quhet "shpëtoi nga jeta e vështirë".

Pas mbarimit të shkollës së fshatit vajzat merren me punë dore dhe ruajnë bagëtitë, punojnë tokat dhe merren me punët e shtëpisë deri sa "t‘u dalë fati", që do të thotë derisa dikush të ndërhyjë, për t‘i kërkuar dorën te prindërit.

Në Topojan e fshatrat ngjitur, përjashtohet mundësia që vetë vajza të japë mendim për burrin ardhshëm. Në të vërtetë vajzat e këtyre zonave nuk kanë asnjë kontakt me njerëz të tjerë dhe kështu nuk kanë se si të krijojnë një lidhje apo të njohin dikë.

Të jesh pensionist nuk është edhe aq keq, veçanërisht nëse ke pagën si i tillë. Ata që janë ende të fortë fizikisht, punojnë kopshtin rreth shtëpisë, mbajmë një lopë, e shtyjnë motet e gjata të vetmisë.

Në anën lindore të fshatit ndodhet një godinë e madhe e bardhë, që dikur ka qenë një shkollë e bashkuar, e mesme dhe 8-vjeçare. Shkolla është ndërtuar në dekadat e fundit, por është krejt bosh, për shkak të largimit të familjeve nga fshati.

Ata pak nxënës që kishin mbetur i kanë bashkuar në një klasë, ndërsa çfarë mund të mendosh për këta nxënës të cilët, i pret një botë e panjohur dhe të vjen keq, që atdheu nuk u premton më shumë.


.