Cernaleva e gurtë dhe e harruar
nga Azem PARLLAKUNdërsa, vjeshta po i shkon fletët e saj, banorët këtu i pret dimri i radhës, që gjithësesi nuk do të jetë, aspak miqësor.
Nga 400 banorët, prej tyre 230 janë gra dhe vajza shtëpiake të shkuara. Që nga koha e vjetër e udhëtarëve të njëqind viteve më parë, për këtë fshat të harruar të Veriut, janë të papërfillshme ndryshimet.
Njësoj si vite, dekada e mote të tëra, s'ka ujë, ndonëse ai kalon prej shekujsh poshtë shtëpive të gurta, s'ka shpresë ndonëse jetohet në vitet e mëdha të Shqipërisë.
Sapo ke hyrë në këtë fshat, të zveniten përnjëherësh projektet dhe premtimet e politikës, e sikur Zoti të mos i falte jetë këtij vendi, do të thoshe pa mëdyshje: C'duan vallë këtu këta njerëz?
Pemët e pakta, grumbujt e plehut të bagëtive, e gardhet e drunjta, janë peizashi "varfërisht" i lartë i këtij fshati.
Një minibus 10-12 vendësh, nga ku zbresin tre udhëtarë, ka
ndaluar në atë që quhet qendra e fshatit. Edhe pse qyteti i Kukësit nuk është
larg prej këtu, minibusi nuk e përshkon aksin drejt qytetit cdo ditë.
Më shumë lëvizin ata pak njerëz, që i drejtohen spitalit të qytetit, mbasi Cernaleva është ndër të rrallët fshatra të Shqipërisë, që nuk ka as dhe një infiermier, kurse për mjek, apo qendër shëndetësore, as që bëhet fjalë.
Ata që kanë nevojën e ilaceve, ecin për orë të tëra në drejtim të Shishtavecit, apo gjetkë në Kosovë, për t'i marrë pjesërisht dhe pa rekomandimin e mjekut.
Tre të moshuar që janë ulur nën hijen e një lisi, janë të hapur për të biseduar.
Pothuaj të gjithë djemtë kanë ikur, thonë ata. Shumica e tyre, gjatë stinës së verës punojnë në Kosovë, merren me punë bujqësie dhe si blegtorë. Pak prej tyre kanë mundur të shkojnë në Europë, falë pajisjes me pasaportë të shtetit bullgar.
Më parë burrat e këtij fshati, kanë punuar në minierën e bakrit në Gjegjan, ku pak prej tyre kanë mundur të kenë një pension.
Në Cernalevë rreth 70% e familjeve, jetojnë me ndihmën ekonomike, që dikur u paguhej nga Komuna e Shishtavecit, ndërsa sot ende nuk e dijnë se ku do t'a marrin.
Bujqësia këtu është shumë pak e zhvilluar. Ajo pak tokë e punueshme shfrytëzohet për mbjelljen e patates, fasules dhe qepës, vetëm për konsum familjar.
Po kështu dhe për ato pak gjedhë dhe të imëta që mbahen, mungojnë kullotat dhe ushqimin e thatë të dimërit për bagëtinë, cernalevasit janë të detyruar t'a blejnë në Novosej dhe Kollovoz.
Në fshat mungon rrjeti i kanalizimit të ujërave të zeza, e pirgjet e mbetjeve në anët e gardheve janë diçka e zakonshme.
Furnizimi me energji elektrike, kryhet nga nënstaciooni
Rexhepaj, por një erë e lehtë e zhyt për ditë të tëra në errësirë fshatin,
mbasi rrjeti i shpërndarjes është tejet i amortizuar, e fatkeqësisht askush nuk
përkujdeset për kontrollin dhe mirëmbajtjen e tij.
E kur mungon energjia elektrike, ndërpritet dhe komunikimi me telefon, aq sa shkohet në qytet, thjeshtë për të karikuar telefonin mobil.
Këtu njerëzit janë të dënuar të vuajnë dhe netët e ftohta të dimërit, mbasi ngrohja për ta konsiderohet luks. Zjarri ndizet me të kursyer vetëm kur gatuhet, teksa gatimi duke shfrytëzuar energjinë elektrike, as që shkohet ndërmend.
Bashkimi i klasave të nxëdijësve, ka vite që nuk përbën ndonjë problem, as për mësonjësit, e as për komunitetin e prindërve.
Ndonëse është folur për rikonstruksionin e rrugës Cernalevë-Oreshkë deri tek ura e Stafës, ende deri sot, nuk është hedhur, asnjë lopatë dheu. E amortizuar totalisht është dhe rruga lidhëse me Shishtavecin, ndërsa ajo me fshatin Borje, është kujtim i të shkuarës.
Malet përreth mbajnë të ftohtin që do të vij, pastaj bardhësia e mbulon këtë vend.
Këtu njerëz dhe kafshët flenë shumë pranë. Metafora është e mirë për t'u provuar, por disi "irrele". Disa si kolibe përbëjnë banjot, ku era përshkon nga kudo.
Ai pak tym që shihet diku, është shenja e jetës, dhe shtëpitë e gurta që ende mbahen, janë shenja që do t'i qëndrojnë kohës, për të na kujtuar se në Kukës është dhe një fshat me emërin Cernalevë.
