Rrahman Parllaku personalitet me përmasa shumëdimensionale

Lexuar 2677 here
Gjeneral Rhahman Parllaku me familjarë dhe të afërm




nga Emin ZYBERI
Është detyrim moral dhe human, përgjegjësi e madhe qytetare dhe njerëzore, të flasësh apo të shkruash për “Heroin e Popullit”, z. Rrahman Parllaku. Janë të pamjaftueshme superlativat më të mira për këtë bir të Novosejës së Krahinës të Lumës, të Lumës kreshnike, me vlera të mëdha historike dhe virtyte të larta atdhetare e patriotike. Luma e Kuqe, e kuqe nga gjaku i derdhur i të rënëve në luftë për mbrojtjen e Atdheut, ka nxjerrë gjithmonë ndër vite figura të shquara patriotike si: Seit Gega, Ejup Topojani, Islam Spahiu, Ramadan Zaskoci, Jemin Alia, etj. Në plejadën e luftëtarëve për liri e çlirim kombëtar kundër fashistëve dhe nazistëve italo-gjermanë, në kujtesën historike të brezave një vend të veçantë zë z.Rrahman Parllaku.   Në trevën e Lumës, fisi “Parllaku” i Novosejës është i njohur si një fis me gen trimërie, bujarie e fisnikërie. I pari i këtij fisi, i njohur me emrin Ali, një burrë shumë i hijshëm, ka qenë luftëtar e prijës i revoltave të popullit kundër turqëve. Për trazirat e shkaktuara, Sulltani e kërkonte me mbiemrin “Parllak” që në turqisht do të thotë “i ndritshëm”. Aliu u kap, iu pre koka me ferman të Sulltanit dhe në nderim të tij i tërë fisi mori mbiemrin “Parllaku” .Në këtë mjedis atdhetar e patriotik brez pas brezi u lind dhe u rrit “Heroi i Popullit”. Edukimin dhe mësimet e para i mori në vendlindje, në odat e malësorëve lumjanë ku flitej e këndohej për bëmat e luftëtarëve të rënë në Prekuple, Nish, Kaçanik, Duhël, Carralevë, Shtimje, Koritnik, Glloboçicë, Kullë e Lumës, Kolesian. etj. Për të përballuar jetesën dhe për të fituar bukën e gojës, si shumë bashkëkrahinarë të tjerë, Rrahmani, në moshë të njomë, së bashku me vëllain e tij Selimin morën rrugën e kurbetit. Në fillimet e viteve ‘30-të, ata u vendosën fillimisht në Mallakastër dhe më pas në Vlorën e Ismail Qemalit, në Vlorën e 1920-ës, e cila si Luma e 1912-ës kishin shkruar epopetë më të lavdishme të kombit shqiptar. Me të drejtë, duke sjell fakte e argumente bindëse, historianë e studiues vendas e të huaj, betejat e këtyre dy krahinave i kanë krahasuar me betejën e Termopileve. Biri i Lumës kreshnike, kontaktet fillestare i pati me antifashistët e parë të rinisë vlonjate, me të cilët u lidh përjetësisht. Virtytet e tij njerëzore si çiltërsia, sinqeriteti, trimëria dhe besnikëria, bënë që të fitojë zemrat e lebërve, toskëve, gegëve, duke u afirmuar si luftëtar antifashist dhe si drejtues e komandant besnik i formacioneve luftarake; njësiteve guerrile, çetave partizane, batalioneve, brigadave e divizioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Po sjell në vëmendjen e lexuesve disa episode: Kanë kaluar mbi 50 vjet që nga kontakti i parë me gjeneralin. Më kujtohet si sot vizita e tij në familjen time, në fshatin Brekijë të Kukësit. Imazhet dhe impresionet e para ishin shumë mbresëlënëse kur në oborrin e shtëpisë time pashë një burrë me trup të gjatë, veshur me uniformën e gjeneralit që i shkonte mjaft bukur. Pasi u përshëndet me gjyshen time dhe me pjesëtarët e tjerë, u ul në një fron të ulët prej dërrase dhe filloi të bisedonte shtruar. Asokohe, me kureshtjen e një fëmije, po e dëgjoja dhe e vështroja me shumë kujdes dhe më bëri përshtypje të veçantëse Zoti i madh, krahas bukurisë fizike, i kishte dhuruar pa kursim dhe bukurinë shpirtërore. Me kujtohet fytyra e tij e qeshur, zëri i tij i ëmbël, një njeri i dashur që fliste me nostalgji për figurën e patriotit të krahinës, Jemin Alia, si dhe pyeste dhe interesohej sesi po përballonim vështirësitë e jetës së përditshme. Ndodh shpesh që postet, gradat apo ofiqet e ndryshme, e tjetërsojnë karakterin dhe psikologjinë e njeriut, madje duke e bërë arrogant, mendjemadh dhe mospërfillës. Dukuri e shfaqje të tilla ishin krejtësisht të huaja për këtë personalitet, i cili gjithmonë gjeneroi e gjeneron mirësi, tolerancë, respekt njerëzor dhe humanizëm. Në kontaktet që kisha me të, vija re një cilësi të veçantë të karakterit të tij: thjeshtësinë. Një herë, miku im kleriku Kadri Shehu nga fshati Nangë, i cilësuar kulak ekonomik dhe politik nga shteti monist, kishte udhëtuar në këmbë me orë të tëra për në Topojan të Kukësit, për të takuar deputetin e zonës, Rrahman Parllakun, i cili po zhvillonte një takim me zgjedhësit. Pas mbarimit të mbledhjes, deputeti e dëgjoi me vëmendje klerikun për padrejtësinë që i ishte bërë, i dha të drejtë dhe mori përsipër për ta biseduar me drejtuesit e rrethit. Në ndarje, “hallexhiu”, tepër i emocionuar dhe me sy të përlotur m’u drejtua mua që isha i pranishëm në takim: “Dëgjo, more bir, edhe sikur të mos më zgjidhet problemi, jam i lumtur se takova Njeriun e Allahut
Duhej të kishe kurajo njerëzore, dinjitetin dhe shpirtin humanist të një lumjani dhe shqiptari të mirë, që të veproje siç vepronte gjenerali. Mirënjohje dhe respekt në jetë të jetëve për Gjeneralin, në emër të atyre njerëzve hallexhinj e në nevojë, të cilëve jeta dhe sistemi u ka shkaktuar shumë dhimbje e vuajtje. Në fund të viteve ‘60-të, isha student dhe kisha shkuar për vizitë tek prindërit e Rrahmanit, të cilët banonin në Tiranë. Babai i tij, Latifi, rridhte nga një familje e madhe dhe e kamur. Ishte një burrë i zgjuar dhe me kulturë. Kishte studiuar,një shkollë fetare dhe zotëronte 3 gjuhë të huaja: turqisht, serbo-kroatisht dhe greqisht. Nëna e tij, Kadimeja, ishte një grua zonjë, mjaft e urtë dhe dinjitoze, mund të them pa e tepruar me cilësitë e një shenjtoreje. Asokohe, partia dhe shteti ishin ngritur në këmbë, duke bërë një luftë të madhe kundër besimeve fetare për një Shqipëri ateiste. Kohë absurditetesh... Pas meje, erdhi zoti Rrahman për të takuar prindërit e tij, pasi do të nisej me një shërbim jashtë Tirane. Prindërit e tij, si besimtarë që ishin, po kryenin ritualin e faljes në dhomën e tyre. Më bëri përshtypje që megjithëse ai nuk kishte kohë, priti derisa ata mbaruan ritualin, u përshëndet me ata dhe u largua. Që nga ajo kohë, kanë kaluar dekada, por duke u kthyer prapa në vite, kujtoj se organet e medias, gazetat, radiot përcillnin çdo ditë lajme e mesazhe për prishjen e rrafshimin e objekteve të kultit, të kishave, xhamive dhe monumenteve të kulturës fetare. Gjatë kohës që Rrahmani po priste për t’u takuar me prindërit e tij, mendoja me vete se do te debatonte me ta për çeshtjen e besimit fetar, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Ai i nderonte në mënyrë të veçantë, me një respekt ndaj tyre deri në adhurim. “Kostumi i tij politik” apo statura e tij prej shtetari kishin një prerje krejtësisht tjetër në dallim nga zbatuesit e tjerë fanatikë, sharlatanë e megallomanë, zëdhënës të urdhërave të partisë-shtet. Paranoja e diktatorit Hoxha nga mesi i viteve ’70 mori kosën e vdekjes ndaj ushtarakëve të lartë, duke e dënuar gjeneralin me 25 vjet burg. Ndonëse provoi “ferrin e të gjallëve”, ndonëse provoi pranga, drama e tragjedi të pamerituara, në saj të karakterit të tij të fortë dhe të ndërgjegjjes së pastër, nuk vdiq shpirtërisht dhe është fat që e kemi midis nesh. Më kujtohet mirë se dhe gjatë kohës që bëhej një propagandë e shfrenuar kundër të ashtuquajturit “grup puçist”, njerëzit për të shprehnin keqardhje dhe konsiderata, kuptohet nën zë.Sentenca ishte e qartë: kush i nderon njerëzit, nderohet edhe nga ata; kush i përbuz, sado i madh që të jetë, nuk shpëton pa u përbuzur.  Gjenerali, ndonëse në moshë tepër të thyer, është i pranishëm në çdo aktivitet me karakter kulturor e patriotik, me prirje gjithmonë nga e mira, i ndarë me të shkuarën e hidhur, mirënjohës ndaj demokracisë, me një kujtesë brilante dhe gjykim të shëndoshë e racional, për të cilat duhet patur zili. Çdo bashkëbiseduesi me të i bën përshtypje urtësia, thellësia në gjykimin e ngjarjeve, të figurave historike si dhe ekuilibri i kujdesshëm i tij, duke mbajtur një qëndrim kritik ndaj falsifikimit apo politizimit të tejskajshëm, hiperbolizimit të ndonjë figure historike ose lënies në harresë të ndonjë tjetri. Një jetë të tërë, ai luftoi e punoi me ndershmëri. I fortë dhe vital vjen edhe në këtë 95-vjetor, pasi për të nuk ka mplakje kurrë. Kështu e paçim gjithmonë këtë simbol të njeriut të pamposhtur në jetë! Jeta e tij ka qenë sa e bukur dhe e vështirë. Lum si ai që me veprën e tij do të mbetet brez pas brezi i paharruar, i nderuar dhe i fisnikëruar. Personalitete të tilla, njeriu rrallë takon në jetë. Ne bashkëkrahinarët e tij ndjehemi krenarë për jetën dhe veprën e tij, për kontributin e dhënë në shërbim të shoqërisë, të atdheut dhe të kombit. Në këtë 95-vjetor të ditëlindjes së tij i uroj nga zemra jetë sa më të gjatë!
.