Rrugën na e bënë, plehrat t'i heqim vetë
nga Azem PARLLAKUKy emocion krejt i natyrshëm vlen, teksa shkon nëpërmend gjurmën e dikurshme të kësaj rruge, e cila Shishtavecin dhe fshatrat përreth i kishte bërë aq të largët, jo vetëm për një të huaj, por dhe për vetë vendasit.
Investimet për rrugën e re, e cila nisi, rinisi, e po përfundon falë këmbënguljes së Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), bëri njerëzit në këto anë, mbas shumë viteve të mundimshme, të ndihen të vlerësuar.
Edhe pse, politika i lakmon kutitë e majme të votimit këtu, komuniteti është i bindur se projekti i vitit 2007, dhe mosdakortësia e invesitorit gjerman për t'a ndryshuar përzgjedhjen për këtë investim, janë e vërteta, që kurrësesi nuk duhet mohuar.
Për të shkuar në Topojan, Novosej, e deri në Shishtavec, tashmë të duhet më pak kohë dhe udhëtimi është komod gjithësesi.
Skeptikët nga ana e tyre, anatemojnë volumet dhe cilësinë e punimeve në këtë aks rrugor, ndërsa harrojnë se, vështirë gjen në Shqipëri një rrugë dytësore si kjo, ku me të vërtetë, puna ka dukshmëri dhe duhet vlerësuar.
Tani që rruga e re po mbaron, le të mendojmë çfarë na duhet të bëjmë.
Bjeshkët e Kallabakut e Kroi i Bardhë, më lehtë për t'u
kapur me siguri do të bëhen gjithnjë e më tërheqëse, kjo falë dorës si Zoti, i
ka dhuruar ato.
Pritshmëritë janë të mëdha. Të parët do të jenë vendasit ata për të cilët vendi i tyre nuk është si dje "i pavlerë".
Shumë prej tyre, jo më për nostalgji, do të tentojnë të rivendosin një gur më tepër në shtëpitë e dikurshme. Gjithësecili me mundësitë dhe në mënyrën e vet, do të nxitojë.
Sigurisht që, ky lloj "nxitimi" i jep shkëlqim të sotmes, por çfarë vlere do të ketë ai, nëse nuk mendojmë përtej saj?!
Që të mendojmë për nesër, duhet t'u shpallim luftë një vesi të sotshëm "bukur" i dukshëm për fatin e keq.
Shishtaveci dhe Novosej, janë dy fshatra të grupuar dhe me popullësi të konsideruar, por në realitet janë dhe dy fshatra tmerrësisht të ndotur.
Në hyrje-daljet dhe në brendësi të të dy katundeve rrjedha e ujrave të zeza dhe mullarët e plehut organik, janë pjesë e panoramës të cdo stine dhe cdo dite.
Përpara kësaj të vërtete, kush nga Ne, do të mburrej me virgjërinë e bjeshkëve dhe zabeleve përreth?!
Fryma e bashkëpunimit si komunitet në lidhje me këtë situatë nuk ka funksionuar, edhe pse në të dy fshatrat ka pleqësi, ka shkollë, ka dhe xhami.
Dikush, fajson ish-drejtuesit e Komunës, dikush kryepleqtë, secili sipas oreksit, ndërsa shpesh harrojmë se përtej "neglizhencës" individuale, është vetë komuniteti që duhet të nxitet dhe edukohet, këtu kam parasysh, mësonjësit në shkollat, nxëdijësit, pa falur mëkatet e "tespiendësve" që tubohen pesë vaktet në xhami.
Në të katër cepat e shkollës së bashkuar në Shishtavec, mbytesh nga plehrat, po kështu dhe në qendër të fshatit, ndërsa e njejta situatë të qaset dhe në Novosej.
Pesë apo dhjetë të "fortët", e pesë të tjerë të "pamundur", thyhen e ndihmohen kollaj, nëse një prind e përcjell fëmijën në shkollë, e sheh ku i vogli shkel dy herë në ditë.
Të "fortët" e të "pamundurit", nuk ka si të jenë të tillë, kur mësuesit më shumë nga nxënësit ngjyjnë takat në plehun para portës së shkollës.
Vetëm tre janë një ish-kryetar Komune, dy janë kryepleqtë, përse duhen vetëm të jenë fajtorë, teksa përballë kanë më shumë se njëmijë frymë, nga këta dhjetra janë mësuesit me pagë për t'u patur zili, më shumë se njëqind nxënës që këshillohen prej tyre, pa harruar dhe të gjithë, Ne të tjerëve aty apo "larg" prej andej.
