ZHVILLIMI I ARSIMIMIT NË FSHATIN BORJE

Lexuar 2668 here




nga Elmaz DOKLE
Në vitin 1810, në Borje është ngritë xhamia (nga Borjani Ali Bin Tahiri). Kompleksi i saj përbëhej nga: Oborri, mejtepi, varreza e imamëve dhe e haxhilerve. Si mësues në këtë mejtep kanë punuar: Mulla Uka nga mahalla"Çekorinci", Mulla Ejupi nga Novoseja, Mulla Arifi i Borjes etj. Gjatë Luftës I-rë botërore qeveria bullgare bëri disa përçapje pa sukses për të hapur shkollën laike në gjuhën bullgare. Me datën 02.08.1927, Sul Hyseni, Bajram Zylfiu, Sali Saiti, Harun Tosuni, Nezir Limani dhe Esat Bislimi në emër të fshatrave Borje, Cërnalevë dhe Oeshkë i kërkuan Krahinarisë së Gorës me qendër në Shishtavec. Rihapjen e një shkolle në fshatin Borje. (Ky fakt na bënë të mendojmë, se në Borje ka patur edhe më parë shkollë) Kërkesa u bë në emër të 200 familjeve të tre fshatrave. Kërkesa nuk u pranua nga Ministria e Arsimit për mungesë fondesh në buxhetin e shtetit. Kjo kërkesë u miratua në vitin 1928 dhe u emrua mësuesi i parë. Si krye mësues u emrua z. Beqir Spahia nga Kolosjani i Lumës, i cili për arsyet që nuk i dijmë, nuk u paraqit në detyrë. Me një urdhër të dytë në vend të tij u emrua z. Latif Imer Jaka nga Gjakova e Kosovës

Latif Imer Jaka
Gjakovë, 14.08.1901 – Gjakovë, 16.01.1949

Latif  Imer  Jaka lindi në Gjakovë, në një familje tregtarësh të vegjël. Shkollën plotore shqipe e kreu në Gjakovë në vitin 1917. Në vitin 1925, në Lushnje kreu shkollën praktike të bujqësisë, pas të cilës, po në këtë vit, ndoqi kursin pedagogjik në Shkodër. Pasi e kreu këtë kurs (1925), nisi
profesionin e mësuesisë duke shërbyer në fshatrat e Shqipërisë veriore deri në vitin 1942. Këtë vit, pas hapjes së shkollave shqipe në Kosovë, vazhdoi ta ushtronte këtë profesion në Kosovë Latif Imer Jaka shërbeu si mësues në këto shkolla: 1925 – 1927, mësues në fshatin Golaj, 1927 – 1928, kryemësues në fshatin Bicaj. 1928 – 1930, mësues i parë i gjuhës shqipe ne fshatin Borje. 1930 – 1932, mësues në Bicaj. 1932 – 1940, kryemësues në Tropojë. 1940 – 1942, mësues në Bicaj. 1942 – 1944, mësues në fshatin Junik të Kosovës. 1944 – 1945, mësues në Gjakovë.
Gjatë karierës së tijë të mësuesisë ka marrë shumë mirënjohje nga komunat ku ka shërbyer, ndër të cilat po veçojmë:
1. Me dekretin Nr. 811, datë, 11.04.1994, presidenti i Republikës së Shqipërisë e ka dekoruar me urdhërin e “Naim Frashërit” kl. I. pas vdekjes
2. 11.07.2006, u shpallë pas vdekjes “Qytetar nderi” i Komunës së Bujanit të rrethit Tropojë.
3. 05.12.2008, Këshilli komunal i komunës Shishtavec e shpalli: ”Qytetar nderi i komunës Shishtavec”, rrethi Kukës pas vdekjes.
Shkolla u hap me datën 28.12.1928 me 90 fëmijë të moshave nga 7 vjeç deri 15 vjeç. Këtë ngjarje Sejdi Dokle (1921-1997) ". në letrën që ka lënë të murosur në vitin 1982, në qoshen veri lindore të shollës 7 vjeçare të Borjes që ndodhet në "Topillo") e kujton si më poshtë:

''Në vitin shkollor 1928 - 1929, në Borje është hapur për herë të parë shkolla në gjuhën shqipe, unë kam qënë njeri nga nxënësit e parë të saj, Mësues ka qenë z. Latif Imer Jaka. Kur kemi filluar shkollën nuk kemi pas vend ku të mësojmë. Kemi ndëruar 5 vende; në ahur ku ka punuar kovaçi i fshatit, në godinën ku ka qënë mejtepi, në ahurin e ku ka mbajt bagëtitë Maksut Pajaziti, pastaj në shtëpinë e Shahin Kërpaçit në fund të katundit. (Kjo shtëpi në vitet `30 i është shitur Baftiar Kollovozit) dhe në fund në xhaminë e fshatit. Aty kam mbaruar klasën e parë. Pastaj kam shkuar në kurbet në Durrës".
Ndërsa ish nxënësi i kësaj shkolle, 92 vjeçari Iliaz Shahini kujton: "Kur kemi filluar shkollën në dhjetor të vitit 1928, mësues kemi pas z. Latif Imeri nga Gjakova, ne nuk dinim asnjë fjalë shqip, mësuesi na e ka mësuar gjuhën shqipe si nëna që e mëson fëmijën kur fillon me belbëzu, duke na mësuar në radhë të parë, se si emërtohen në gjuhën shqipe organet e trupit. Kapte veshin dhe na mësonte ky është veshi, kjo është hunda, kjo është goja, këta janë sytë e kështu me radhë. Ai edhe pse e dinte mirë sllavishten, asnjë herë nuk na ka folur sllavisht dhe kështu; ditë pas dite e kemi mësuar gjuhën e re".

Nga 90 nxënës që ishin rregjistruar në klasën I-rë, vitin e parë e morën vetëm 19. Mësuesi Latif Imeri, punonte në kushte të vështira. Voglushët borjanë që rregjistroheshin në klasën e parë nuk dinin asnjë fjalë në gjuhën shqipe.
Në gazetën "Ora", Tiranë 15 prill 1930, në artikullin “Një përparim i bukur” shkruhet: "Populli i katundit Borje (Gorë) përpara një viti ka qënë i mjeruem n`erësirë të pa ditunis në gjuhën amtare. Por, për fat të mirë, në Dhjetor 1928, Ministria e Arsimit e kujtoi edhe këtë vëndin t`onë dhe hapi shkollë tue dërgue për mësues z. Latif Imerin dhe brënda një viti kjo shkollë ka një përparim të pa pritun, përveç djemëve që çelin syt në këtë shkollë, kanë fillue të vazhdojnë edhe vajza dhe me qënë se numëri i nxënësve ka mbrijt 80, shpresojmë se e ndershmja Ministri të kujdeset që të dërgojë dhe një mësuese për vajzat që dëshërojnë të marin arësim dhe të mësojnë gjuhën kombtare. Arsyeja është më e fortë se duhet të çrënjoset gjuha e huaj që përdorin banorët e këtushëm dhe të stërviten në gjuhën amtare për të cilën mësuesi i naltë përmendun po përpiqet me mish e me shpirt dhe ka prue shumë dobi në këtë pikëpamje. Brënda 6 muajve mundi hap dhe klasë të dytë me 19 nxënës zelltarë, të cilët kanë mbrijt me fol lirisht gjuhën t`onë t`ëmbël. Për këtë përparim që kënaq gjithë popullin e katundit t`onë, i cili uron qeverinë për këtë lumtëri, i çfaq përgëzime e falinderime mësuesit z. Latif Imerit tue urue shëndet e naltësim në detyrë të tij". Por ky përparim është ndalue mjerisht, në këtë kohën e fundit se po ndërtohet shkoll`e re e tue mos pas vënd të posaçëm mësimet e shkollës s`kanë mund me vazhdue rregullisht. Do të ish përkujdesje nga an`e autoriteteve të vëndit për të mbaruar lokalin e ri dhe të mos dëmtohen nxënësit”.

Në vitin 1930, "Këshlla" (Godina e postës së gjandërmërisë), u përshtat për shkollë me dy klasa, një zyrë për mësuesit, depon e materialeve dhe podrumin e druve të zjarrit. Në vitet ‘30 - ta dhe në gjysmën e parë të viteve të ’40, në shkollën fillore të Borjes kanë dhënë mësim këta mësues: Në vitin shkollor 1928 - 1930, mësuesi: Latif Imeri. Në vitin shkollor 1930 - 1931, mësuesi: Zeqir
Zeka. Në vitet shkollor 1931-1935, mësuesit: Isuf Ceka, Elefteri Myzeqari, dhe shërbëtori Eqrem Spahiu. Në vitin shkollor 1935 - 1936, mësuesit : Hava Xhafa, kl.I-rë dhe klasa e II-të, Xhevat Xhepa kl. III - të dhe IV-të. - Në vitet shkollor 1936 - 1939, mësuesit: Mexhit Dollovishti, klasën e Irë, Syrja Memo, kl. II - të, III - të dhe IV - të. - Në vitet shkollor 1939 - 1940 dhe 1940-1941, mësuesit : Syrja Memo dhe Shaban Ferri. - në vitet shkollor 1941 - 1943, mësuesi: Fondi Buranxi.

Në vitin shkollor 1943 - 1944, për shkak të luftës shkolla fillore e Borjes u mbyll. Pleqësia e fshatit angazhoi "muezinin" e xhamisë z.Rrrahim Adili, për t’u dhënë fëmijëve mësim në edukatën fetare. Rrahim Adili, mësues i Mësuesi Halim Miftarallari edukatës fetare (1943 - 1944) Në dhjetor te vitit 1944, shkolla u rihap nga mësuesi Halim Miftarallari, që e vazhdoi mësimin i vetëm në katër klasa. Me vendim të Komiteti Ekzekutiv K.P. të Prefekturës, shkollës i`u dha emri Shkolla fillore "Xhemali Tahiri" Borje. Viti shkollor 1946 - 1947 filloi me tre
mësues; Ndrek Begu për klasën I, Ernest Nikaj për II dhe IV dhe Halim Miftarallari për III dhe drejtor i shkollës. Më pas erdhi edhe Kudusi Shehu.

Në vitin 1952, gjatë pushimeve verore mbi themelet e shkollës së vjetër u ringrit godina e re e shkollës me të njëjta përmasa. Në këtë kohë filluan punën edhe mësuesit Kasem Hoxha, Habib Dokle, Sulba Guja, Vajda Koza, Hamdi Alibali. U hapën kurset kundër analfabetizmit, ku kanë dhënë mësim ish nxënësit e kësaj shkolle: Xhimshit Hoxha e Xhevat Iliazi. Në vijim si objekte shkollore kanë shërbyer lokalet e dyqaneve të Osman Çaushit, Selman Kares dhe të Adem Palincit. Më 1958, me nxitjen e mësuesit Habib Dokle dhe të prindërve Shahin Pala, Neshat Dalaçi, Hebil Alia, Rexhep Dërnica, Qamil Alia, Omer Uka, Jusuf Behluli u kërkua hapja e shkollës 7 - vjeçare, gjë që u realizua në shtator të vitit 1959. Me këtë rast iu ndërrua emri i mëparshëm i shkollës dhe iu dha emri: Shkolla 7 - vjeçare “Xhaferr Ollomani” Borje. Në klasën V-të u rregjistruan nxënësit që kishin mbaruar klasën IV të datëlindjeve 1945-1948. Viti shkollor 1959 -1960, filloi me 24 nxënës, 9 prej të cilave femra. Drejtor i parë i sajë ka qënë z. Habib Dokle. Si objekt shkollor u përdorë shtëpia e Murat Adilit që ishte arratisur në Jugosllavi.
Në vitin 1962, nxënësit e parë mbaruan shkollën 7 vjeçare. Me ta u organizua një eskursion në qytetet Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Atje fëmijët u pritën nga familjet borjane që banonin në këto qytete. Në shkollën 7 vjeçare kanë punuar mësuesit: Habib Dokle, Halim Miftarallari, Ahmet Doçi, Adem Gjana, Muhamed Miftarallari, Bellush Kërpaçi, Luan Mata, Mahmud Ferri, Remzi Xhaferri, Xheladin Basha, Dëshira Braha, Hazra Miftarallari, Adnan Çejvani e shumë të tjerë.
Mësues të zonës në Borje Mësues të shkollës së Borjes Në vitin 1967, në Borje nisi rrugën dhe arsimi parashkollor me një grup. Deri në vitin 1968, mësimi është zhvilluar në ambiente të
improvizuara dhe jo funksionale për mësim e edukim. Këtë vit, me kontributin e borjanëve (çdo familje sipas gjëndjes ekonomike dhuroi nga 600 - 1200 lekë), filloi ndërtimi i shkollës së re me 8 vjeçare Në vitet ‘70 – ta shkolla kaloi në sistemin 8 - vjeçar, ajo u konsolidua dhe klasifikohej si një ndër shkollat më të mira në rreth e më gjërë. Për këtë kanë meritë nxënësit e atyre gjeneratave dhe mësuesit: z. Halim Miftarallari, Muhran Dalaçi, Muhamed Miftarallari, Nesla Bajrami, Bellush Kërpaçi, Bajram Sadiku, Abedin Noka, Enver Parllaku, Jorgo Nano, Mestan Hoxha, Vezaip Aledini, Qefsere Kamberi, Mubin Dokle, Litafete Hajredini, Mirdash Hoxha, Hajro Hajrullahu, çifti Ardita e Amir Murati, Rushit Nela, Maksim Rëmbeci, Qama Hajredini etj. 65 -70 % e nxënësve që mbaronin klasën e 8 - të, vijonin mësimet në shkollat e mesme të përgjithëshme e profesionale. Mbi 150, ish nxënës të kësaj shkolle kanë mbaruar arsimin e lartë dhe punojnë në sektorë të ndryshëm. Në vitin 1976, u hap grupi i dytë i kopshtit para shkollor dhe në vitin 1981, filloi ndërtimi i shkollës së re që përfundoi në vitin 1983. Ajo ka 14 dhoma mësimi, 2 zyra dhe ambiente sanitare të lidhura me rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimeve të ujërave të zeza.

Në vitin 1987, në Borje u hap shkolla e mesme me profil bujqësor që më pas u kthye në gjimnaz. Në të punuan mësuesit: Bajram Sadiku, Muhran Dalaçi, Hermegan Miftarallari, Nevruz Mehmeti, Selman Çejvani, Isan Hoxha, Hysnije Adili, Shani Ferhati, Sulejman Hysa etjer.
Drejtor i parë i shkollës së mesme të Borjes ka qënë z.Muhran Dalaçi. Shkolla e mesme e Borjes nuk pati jetë të gjatë, pas tre maturash, më 1993, u mbyll. Nxënësit dhe mësuesit e kësaj shkolle kanë dhënë kontribut të veçantë në lëvizjen demokratike të fillim viteve ’90. Ata ishin në ballë
të revoltës së borjanëve që kërkonin ndarjen e prishjen e kooperativës, në vitin 1991. Në vitin e mrapshtë 97', kur shumë shkolla të vendit u bënë pre e vandalizmit, shkolla e Borjes nuk e ndërpreu mësimin për asnjë ditë, asaj nuk i`u cënua asnjë cifël. Tani është rikonstruktuar dhe ka kushte optimale për zhvillim normal të procesit mësimor – edukativ.

Në vitin shkollor 2008 - 2009, ka kaluar në sistemin 9 vjeçar, në të mësojnë 186 nxanës, dhe 60 fëmijë në arsimin para shkollor të ndarë në tre grupe, ku japin mësim 12 mësues dhe 3 edukatore, të gjithë borjanë e me arsim përkatës, shumica me arsim të lartë pedagogjik. Drejtor aktual është
z. Admiral Maliq Adili. Shkolla mban emrin e dëshmorit të luftës nacional çlirimtare Xhafer Ollomani.

Me datën 22 dhjetor 2008, në Borje u përkujtua me solemnitet e madhështi, 80 vjetori i shkollës së parë shqipe, ku morën pjesë shumë ish mësues, ish nxënës dhe pasardhës të mësuesve që nuk jetojnë, ndër ta morën pjesë edhe dy djemët e z. Latif Imer Jaka, mësuesit të parë të kësaj
shkolle, Dr. prof. z. Imer Latif Jaka dhe Dr. prof. z. Fatmir Latif Jaka. Me këtë rast, me propozimin e drejtorit të shkollës dhe pleqësisë së fshatit. Këshilli i Kumunës së Shishtavecit në shenjë respekti e mirënjohje. Mësuesit të parë të shkollës shqipe z. Latif Imer Jaka, i akordoi titullin qytetar nderi i Komunës së Shishtavecit (pas vdekjes).

Referencat:

35. Dukumenti 1, kërkesa e shkurtuar e kutundeve: Borje, Oreshkë dhe Cërnalevë, datë
02.08.1927, drejtuar krahinarisë së Gorës me qendër në Shishtavec, për rihapjen e
shkollës në fshatin Borje. A.Q.SH. F. 195,v.1927, D.8 fl. 235.
36. Dokumenti 2, Shkresa e Prefekturës së Kosovës Nr.1371, datë 07.11.1927, drejtuar
Min.Arsimit “Mbi rihapjen e një shkolle ne katundin Borje”. A.Q.SH. F. 195, V. 1927,
D. 8, fl. 255.
37.Dokumenti 3, Shkresë e Ministrisë së Arsimit Nr, 2790, datë 24. 11. 1927. Përgjigje
shkresës Nr, 07. 11. 1927, për pa mundësinë e hapjes së shkollës në fshatin Borje për
shkak të ngushticës në buxhetin e shtetit. A.Q.SH. F. 195, V.1927, D. 8, fl. 256.
38. Dokumenti 4, Njoftim i Drejtorisë së Internatit “Kosova” Tropojë Nr. 230 / II, datë
29.09. 1928, drejtuar N/prefekturës së Lumës në Bicaj “Mbi disa lëvizje të reja në
kuadrin arsimor dhe njoftimi i N/prefekturës së Lumës , Nr. 1072, datë 30. 09. 1928,
drejtuar mësuesve B.Spahiu, Latif Imeri, Ibrahim Riza dhe Qamil Hoxha. Për tu paraqitur
në detyrën e caktuar



 
.