Erozioni, Delina e Nimçës jep alarmin

Lexuar 633 here




nga Azem PARLLAKU
Janë të paktë njerëzit që mund të kenë shkuar deri aty, ndonëse për Nimcën është folur e flitet sa herë e nëpërmendim sindromën e uraniumit.
Një fotografi e sjellë nga Halim Kola, në shpatin e malit përballë Delinës, nuk ka si të mos të na intrigojë.
Procesi natyror i zhvendosjes të materialeve të shkapërderdhur si, dheu, gurët e balta, nën ndikimin e gravitacionit, ujit, dhe erës, e bëjnë dukshëm të kërcënuar jetën e banorëve të Delinës.
Një lagje e vogël në Nimcën e mocme, tregon sesi toka nuk është dhe aq bujare me banorët e saj. Sigurisht të parët janë faktorët natyrorë, të cilët kanë kushtëzuar shfaqjen e problemit mjedisor këtu në Nimcën e Kukësit, duke nxjerrë në pah forcën shkatërruese të rrjedhjeve ujore dhe përhapjen e shkëmbinjve terrigjene.
Fenomeni që sot, është kërcënues më shumë se kurrë, rezulton të jetë konsideruar disa dekada më parë.
Me shpresën se toka këtu ishte e pasur me uranium, qe menduar dhe shpërngulja e popullësisë nga shpatet e Gjallicës.
Ndërkohë në vitet 1978-1980, pikërisht atëherë kur rezultoi se minerali i Nimcës ishte shumë i varfër, e kur pasojat e rrezatimit radioaktiv të dhjetra galerive të kërkimit të mineralit, e dëmtuan shëndetin e banorëve, u investua në pyllzimin përgjatë këtyre shpateve.
Për ironi të fatit, kësaj here ishin njerëzit dhe jo rrebeshet e shirave, ata që po i vinin në rrezik themelet e shtëpive të tyre. Bëhet fjalë për një kohë, kur varfëria ishte në ekstremin e saj, e kur mbijetesën e tyre delinasit e kishin të lidhur ngushtë me përkujdesjen tufës së dhive.
Kështu duke shfrytëzuar dhe sëpatën pylli asnjëherë nuk lëshoi shtat, c'ka është e verifikueshme lehtësisht, qoftë dhe me anën e kërkimit me hartë në Google.
Carjet e frizuara të tokës deri në rrëke që përshkojnë sipërfaqen e saj, njihen si format më të përkeqësuara të erozionit. Të tilla janë carjet e tokës këtu në Nimcë.
Ndërsa duke investiguar në lidhje me fenomenin, cuditërisht askund nuk është përmendur Nimca, në raportet e agjensive shtetërore që monitorojnë mjedisin, apo atyre që menaxhojnë fatkeqësitë e natyrës.
Deri një vit më parë në administrim të ish-komunës së Topojanit, për erozionin në Nimcë nuk ishte shkruar asnjë fjalë, edhe pse për ish-komunën ishte formuluar dhe miratuar një projekt zhvillimor.
Duke e parë me vëmendje këtë fotografi, e kupton si Zoti i ruan këta shtëpi, nën themelet e të cilave dheu rrëshqet pandërprerë, e përvecse mëshirës së Zotit, askush nuk kujtohet, e mund t'u vijë në ndihmë dhjetra banorëve të Delinës.
.