Azilkërkuesit në Gjermani, çfarë shansi kanë (?!)

Lexuar 910 here




nga Azem PARLLAKU
Një numër i madh familjesh kryesisht nga fshatrat Novosej, Cernalevë, Brekijë, e më pak nga fshatrat Shishtavec, Borje, e Topojan, në kërkim të një jete më të sigurtë, u detyruan të emigrojnë kryesisht drejt Gjermanisë.Nisur nga fakti që, një pjesë e tyre kishin dhe të afërm në shtetet si Anglia, Belgjika, Norvegjia dhe Suedia, u joshën me shpresën se një ditë do të bashkoheshin me të dashurit e tyre.Aktualisht janë të paktë ata që i'a kanë arritur këtij qëllimi, teksa kohët e fundit dhe komuniteti i emigrantëve të stabilizuar tashmë, nuk e ka vullnetin e dikurshëm, për të motivuar të afërmit dhe bashkëpatriotët për një pritje të ngrohtë e përkujdesje të vecantë.Disa familje janë kthyer, e natyrisht shprehim keqardhjen, ndërkohë që nëpërmjet web-it tonë rajonal, obligohemi të sjellim në vëmendje se; Cilat janë shanset për të përfituar azil në Gjermani?Përqasja e bërë këtu, është rezultat i një investigimi të hollësishëm mbi procedurën që ndjekin autoritetet në Gjermani, në lidhje me kërkesat që duhet të përmbushen për të fituar të drejtën e qëndrimit në këtë shtet.

Kështu disa shtete të Ballkanit Perëndimor konsiderohen në Gjermani si të ashtuquajtura vende të sigurta të origjinës. Nga 1 nëntori 2015 kësaj liste i është shtuar edhe Shqipëria. Aplikantët nga vendet e sigurta të origjinës, sic thonë ekspertët, kanë pak mundësi që të lejohen të qendrojnë përgjithmonë në Gjermani. Vetëm 0,2 për qind të azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit Perëndimor u njihet këtu e drejta e azilit.

Ç'është një vend i sigurt i origjinës?

Një vend i sigurtë origjine cilësojnë ekspertët, nuk e përndjek popullsinë e vet politikisht apo nuk praktikon ndëshkime antihumane apo poshtëruese. Por edhe qytetarët e vendeve të sigurta të origjinës nuk mund të dëbohen menjëherë. Juridikisht çdo azilkërkuesi në Gjermani duhet t'i jepet një shans për të dëshmuar se në vendin e tij është i rrezikuar politikisht. Kërkesa për azil nga njerëz nga vendet e sigurta të origjinës zakonisht refuzohet, përderisa nuk ka rrethana tepër të veçanta.

Kush ka të drejtë për azil në Gjermani?

Kushtetuta gjermane thotë: "Personat e përndjekur përfitojnë azil politik". I përndjekur politik konsiderohet ai, që për shkak të bindjes së tij politike është aq i përjashtuar nga shteti i i tij, saqë shkelet dinjiteti i tij njerëzor. Situatat e vështira si varfëria apo shpresa për mirëqënie dhe një jetë më të mirë nuk njihen si arsye për azil. Azil politik në Gjermani gëzojnë vetëm njerëzit, të cilët nuk vijnë nga një vend i ashtuquajtur i sigurt origjine.

Kush vendos për kërkesën për azil?

Vendimin për kërkesën për azil e merr Enti Federal për Migracion dhe Refugjatë (BAMF). Ai vlerëson, nëse një aplikant ka të drejtën e azilit, nëse merr statusin e refugjatit apo i mohohen që të dyja. Derisa të merret një vendim, njerëzit lejohen të jetojnë vetëm në vendstrehimet e refugjatëve dhe fillimisht nuk punojnë.

Çfarë ndodh nëse refuzohet një aplikim për azil?

Nëse një kërkesë për azil në Gjermani refuzohet, dhe personi nuk njihet si refugjat, ai duhet të largohet nga Gjermania. Ai kërcënohet me dëbim të detyruar. Azilkërkuesi mund ta kundërshtojë dënimin duke ngritur padi.

Kush konsiderohet në Gjermani refugjat?

Ligjërisht si refugjatët në dallim me migrantët kategorizohen ato që përfshihen në përkufizimin e Konventës së Gjenevës për refugjatë. Refugjat është ai, i cili është i detyruar të largohet nga vendi i tij i origjinës si i rrezikuar për shkak të racës, fesë, kombësisë, mendimit të tij politik, apo përkatësisë në një grup shoqëror.

Kush konsiderohet emigrant?

Emigrant është në parim kushdo, që shkon në një vend tjetër, brenda vendit të tij apo përtej kufijve të shtetit. Për emigrantë flitet zakonisht, kur dikush largohet nga atdheu i tij, pa qenë në rrezik atje, por për shembull për të përmirësuar kushtet e tij të jetesës.

Çfarë nënkupton procedura Dublinit?

Në Gjermani nuk vendoset për çdo kërkesë për azil. Sipas rregullores evropiane të Dublinit në parim përgjegjës për procedurat e azilit është vetëm ai vend i BE-së, në të cilin azilkërkuesi ka hyrë për herë të parë. Nëse dihet se cili është ky shtet, refugjatët dërgohen zakonisht atje pa asnjë testim dhe mund ta bëjnë kërkesën për azil atje, sepse të gjitha vendet e BE-së konsiderohen vende të sigurta.
.