Idriz Basha zëri i çështjes kombëtare

Lexuar 1403 here




nga Bajame Hoxha-Çeliku
Për të përjetuar lidhjen sublime me tokën mëmë ai e gdhendi në emrin e tij Idriz Basha i Novosejt, dhe kur bota i dha lamtumirën e fundit ai ishte veshur me flamurin kuq zi.
Idrizi Basha u largua nga Shqipëria në vitin 1948 në moshë të mitur ku familja e tij arratiset për çështje politike, dhe në vitin i 1956-të mbërrijnë në Bruksel.
Truri i tij i ndritur kurrë nuk do të harronte se ai vinte nga trevat shqiptare. Nga largësitë e mëmëdheut do të ëndërronte fshatin e lindjes Novosejin e Lumës të rrethit të Kuksit, në lartësitë e bjeshkëve ai do ta dallonte të bukur, të lirë mes ëndrrave në rritje, dhe pastaj në moshën e rinisë do t’i përkushtohej me shpirt çështjes shqiptare, ku më vonë do të shquhej për një penë të mprehtë brilante.

Idriz Basha u angazhua si publicist i nivelit të lartë në mbrojtje të kosovës dhe denoncimin e regjimit komunist në Shqipëri. Shkroi me qindra artikuj në gazetat më prestigjioze evropiane si “Le Monde” dhe “Belgique libre” etj. Kur askush nuk e dinte se çfarë flitej për Shqipërinë në Evropë për gjatë komunizmit, ai duke qenë një djalë fare i ri ngriti zërin fort dhe u dëgjua deri në kontinentin e Amerikës, dhe tërhoqi vëmendjen jo vetëm të medieve të huaja por dhe të politikanëve më në zë përtej oqeanit. Penën e tij të fortë ky atdhetar i shquar e ktheu vetëm në forcë të madhe në mbrojtje të të drejtave e lirive të mohuara të shqiptarëve brenda trojeve të veta.

Idriz Basha i Novosejt mund të themi me bindje se, qe i vetmi trim në atë periudhë të vështirë politike që ka arritur të shkruante për denoncimin në Shqipëri.
Kur ka denoncuar krimet serbe në Kosovë për një kohë të gjatë ka qenë zëri më i artikuluar i çështjes kombëtare. Atë do ta gjeje në krye të manifestimeve dhe protestave që zhvilluan emigrantët politikë shqiptar në Bruksel, Paris, e kudo tjetër, kundër represionit komunist në Shqipëri dhe represionit serb në Kosovë.
Vizionin e tij për një Shqipëri të lirë Euro-atlantike, Idrizi e zhvilloi përmes krijimit të organizatës “Shqiptari i lirë”. Në 1990-të, qe e para organizatë që afroi diellin e munguar, që mbështeti lëvizjen studentore dhe partinë demokratike. Ai ishte një nga të ftuarit e nderit në kuvendin e parë të partisë demokratike më 1991-shin në emër të emigracionit politik, ku ndër të tjera ai do të theksonte me shpirtin e patriotit, dhe me mallin e atdheut të munguar: "Atdheu ynë sot ka nevojë më tepër se kurdoherë për gjithë bijtë e bijat e tij. Populli ynë duhet të gëzohet, të lumnohet në trojet të veta, solucioni nuk mundet me u gjet në eksodin masiv…"
Ai solli më shumë një mesazh të paqes të mirëkuptuarit një mesazh që vlen akoma dhe në ditët e sotme se që të gjithë e dimë sa të ashpër e kemi luftën politike në përballje. Idriz Basha frekuentuesi i hershëm i rretheve politike e mediatike të Brukselit dhe të Parisit, ai u vu në shërbim të vlerave të lirisë dhe të demokracisë në Shqipëri dhe kështu deri në vdekje tha:jam shqiptar, dhe nuk e ndërroi kurrë nënshtetësinë po mbeti shqiptari pavdekshëm i vlerave të mëdha.
Kimete Basha bashkëshortja e tij në ceremoninë e dekorimit pas vdekjes së Idrizit, do t'i përcillte këtë mesazh Presidentit Nishani dhe të pranishmëve të tjerë; "Jam thellësisht e nderuar dhe përfundimisht e prekur të marr medaljen “Urdhri i Skënderbeu”në emër të tij. I vetmi trishtim që kam është që ai nuk e mbajti dot vet këtë fjalim. Sot janë të tjerë ata që sjellin në dritë vlerat për të cilat Shqipëria i jep këtë mirënjohje të veçantë. Kur të tjerë heshtnin nën drithërima frike, Idrizi shkroi qindra artikuj në shtypin ndërkombëtar, u dërgoi mijëra letra udhëheqësve botëror, të cilët, duhet thënë që ju përgjigjën"

Idrizi besonte me gjithë zemrën e shpirtit të tij, se ishte jetike që flaka e rezistencës shqiptare të shkëlqente e të digjej ndritshëm në errësirën e gjatë e të hidhur të diktaturës në Shqipëri e të represionit në Kosovë. Idrizi ishte një nga dritat më vezulluese të asaj rezistence dhe nga që ai i qëndroi besnik idealit të tij, deri në fund kontribuoi në dështimin e pashmangshëm të këtyre dy regjimeve të papërshkrueshme me fjalë.
Ndodhte që ndonjëherë Idrizin e keqkuptonin, dhe kur kjo ndodhte, ai bënte atë buzëqeshje fisnike të pashmangshme, thithte llullën dhe si zakonisht citonte De Golin që e konsideronte si père spiritual të tij:”Jam shqiptar i lirë. Besoj në Zot dhe në atdhe. Kam një qëllim, dhe vetëm një qëllim: me vazhdue me lufteue për liri dhe demokraci në vendin tim”.
Ky është burri që Shqipëria e kurorëzuar me mirënjohjen e saj: një bir besnik që përbuz konformitetin politik, që mbron me xhelozi pavarësinë e tij, që mban parimin e të shërbyerit pa interes, si gur themeli të ekzistencës së tij.
.