Rruga e Kombit rrjep kuksianët

Lexuar 584 here




Shqiptarët do t’i paguajnë plot 3 taksa Rrugës së Kombit. E para paguhet nga viti 2008 dhe ka të bëjë me kredinë e huazuar nga qeveria e asaj kohe, për ndërtimin e autostradës. Taksa e dytë që shqiptarët paguajnë për këtë rrugë është ajo e qarkullimit, e fshehur në karburantin me të cilin furnizohen makinat. Ndërsa taksa e tretë është kjo e miratuar së fundmi, e cila do t’i paguhet koncesionarit turk për mirëmbajtjen e rrugës.

Taksa 5 euro për turqit

Ministria e Transportit sapo ka shpallur fituesin që do të marrë me koncesion Rrugën e Kombit, pjesë e rrjetit të rrugëve kombëtare dhe përbën projektin më të madh inxhinierik rrugor të ndërtuar në historinë e Shqipërisë. Duke lidhur Milotin, rreth 60 km në verilindje të Portit të Durrësit në detin Adriatik, me Morinën në kufirin e Kosovës, rruga formon seksionin qendror të autostradës Kosovë-Shqipëri, që lidh Durrësin me Prishtinën. Dhënia e mirëmbajtjes me koncesion në këtë aks synon një tarifë 5 euro pa TVSH për një periudhë 30-vjeçare. Nëse autostrada realizon minimumin e trafikut për një aks të këtij niveli, 7 mijë makina në ditë, siguron një të ardhur vjetore minimumi 13 milionë euro pa llogaritur tarifat më të larta se 6 euro që pritet të vihen ndaj automjeteve të rënda (furgonëve, autobusëve dhe kamionëve). Kjo shumë prej 13 milionë eurosh do të paguhet nga përdoruesit e rrugës që janë kryesisht qytetarë të zonës veriore dhe verilindore të vendit, kosovarëve dhe bizneseve që tranzitojnë dhe eksportojnë mallra nga kjo rrugë. Ndërkohë që kostoja e mirëmbajtjes së aksit është vlerësuar nga Ministria e Transportit me 8 milionë euro.

Taksa e qarkullimit

Taksa e qarkullimit mbi karburantin me 27 lekë për litër, që kryesisht ka funksion të gjenerojë fondet për mirëmbajtjen e rrugëve, paguhet nga të gjithë përdoruesit e automjeteve kur konsumojnë naftën. Kështu vetëm nga taksa e qarkullimit, buxheti i shtetit vjel 19 miliardë lekë ose afërisht 150 milionë euro, shumë kjo e mjaftueshme për mirëmbajtjen e rrugëve. Por në Shqipëri rrugët prej 25 vitesh vazhdojnë të mbeten në standardet më të ulëta të Rajonit. Rrugëve në Shqipëri u mungojnë nga elementët më të domosdoshëm deri tek kryesorja, që është asfalti. Qytetarët nuk e dinë praktikisht se ku shkojnë paratë që ata derdhin për taksën e qarkullimit, derisa nuk shohin rrugë të përmasave dhe standarteve europiane.

Kredia 300 milionë euro

Një tjetër pagesë që qytetarët e Shqipërisë po bëjnë për Rrugën e Kombit janë interesat që paguhen në mënyrë indirekte nga taksat për të shlyer huanë mbi 300 milionë euro që u mor në vitin 2008 për ndërtimin e saj. Shoqata e Hidrokarbureve i ka bërë thirrje qeverisë që në momentin që do vihet taksa e koncesionit mbi Rrugën e Kombit duhet të ulet taksa e qarkullimit mbi naftën, pasi do të ishte jashtë logjike që qytetarët të paguajnë më shumë se dy herë për një shërbim.
.