Mbifaturime, investimi zero

Lexuar 658 here




Ndërsa stina e ftohtë ka nisur, banorët e fshatrave të njësive administrative Shishtavec, Topojan, Zapod, shprehin shqetësimin për mungesën e furnizimit me energji elektrike, ritual ky që përsëritet çdo vit.Jo vetëm në stinën e ftohtë, por dhe gjatë pikut të verës ndërprerjet e energjisë elektrike, janë të përditësuara, dhe ç'është më intriguese bëhen pa paralajmërim.

Para disa muajve, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), njoftonte se; Për ndërprerjet e energjisë pa njoftim, do të regjistrohen dhe do të reflektohen në faturë.

Jo vetëm që, ndërprerjet e tejzgjatura nuk reflektohen, por OSHEE vazhdon të vjedhë banorët me mbifaturimet.
Përditë banorë të shumtë i drejtohen zyrave të OSHEE në Kukës për mbifaturimet e energjisë, por askush nuk i jep zgjidhje këtij fenomeni që po rrjep qytetarët për të mbushur arkën e OSHEE.

Njëri ndër ta është edhe B.T, banor në Novosej. Ai thotë se, ka tre muaj që mbifaturohet,  ndonëse nuk harxhon energji më shumë se 23 mijë lekë të vjetra në muaj. Ai tregon edhe librezën e dritave ku në muajin gusht fatura i ka ardhur 48 mijë 990 mijë lekë, ndërsa në muajin korrik 53 mijë e 400 lekë të vjetra.
Kryefamiljari thotë se është ankuar në zyrat e OSHEE disa herë, por askush nuk i ka dhënë zgjidhje problemit, ndonëse i kanë thënë se ka të drejtë.

Faturat e energjisë elektrike për disa banorë janë shumë të frikshme dhe ky fakt i ka revoltuar banorët e këtyre fshatrave. Eshtë shumë i lartë numri i atyre që kanë ngritur ankesat pranë zyrave të OSHEE, por askush nuk përgjigjet për dyfishimin e vlerës së faturuar.   Mbifaturimet, sipas tyre janë abuzime, që nuk gjejnë zgjidhje në asnjë zyrë. Banorët shprehen se marrin borxh për të shlyer faturat me vlera më të larta se harxhimi ditor i energjisë në banesat e tyre.
OSHEE bën vjedhje masive ndërsa për investimet në rrjetin e shpërndarjes, as që bëhet fjalë.
.