Lexoje i'a vlen

Lexuar 558 here




Një gol i anulluar nga një gabim njerëzor në ndeshjen Partizani -Kukësi ka mjaftuar që tifozë kryeqytetas të vjellin helm kibernetik në rrjetet sociale ndaj gjithë Kukësit. Janë gati të zgjojnë Enver Hoxhën, të armatosin "Sigurimin e Shtetit" dhe të venë kufirin te Ura e Tapizës. Disa prej tyre, në dukje fizike të kequshqyer na "përbuzin" me pataten, ndërkohë që zihen me plakën që nuk ka patate për të bërë supë. Edhe ato që bleu tata te Pazari i Ri në drekë i përdorën për të qëlluar "Minjtë e Bashkisë" në luftën e fundit guerrile që shtrihet nga Kombinati në Laprakë.
Këta tifozë mendojnë ende se kupat në futboll janë dhurata për "Një Maj" dhe se futbolli shqiptar është pronë e "17 Nëntorit" dhe "Partizanit", dhe harrojnë se gjërat kanë ndryshuar dhe kush investon, shpërblehet. Dhe Kukësi këtë ka bërë. Madje ka bërë më shumë. E "eksportoi" futbollin shqiptar edhe jashtë kufijve. Nuk e teproj të them se epoka moderne e futbollit shqiptar, edhe në nivelin e Kombëtares ka dy periudha. PEK dhe PEK. Pra, "Para Erës së Kukësit" dhe "Pas Erës së Kukësit". Para erës së Kukësit kupat ishin si dhurata për ditëlindje. Tani janë ndryshe. Duhet punuar, luftuar, investuar, që ti kesh.

Sukseset e "FK Kukësit" në Europa League nuk na i dhuroi Jemini, as Jorgji, as Duka. Dhe atje nuk u ndeshëm me Domosdovën, me Sopotin apo me Shën Kollin. Atje morëm kualifikime me Metalurgun e Ukrainës, Sarajevën e Bosnjës, Mlladostin e Malit të Zi. Atje nuk dhuroi, as nuk na shiti e as nuk na pritën me lule. Madje, thanë "vrite shqiptarin". Por bënë një gabim. Harruan se këta shqiptarët që donin të vrisnin ishin nga Kukësi. Edhe nga Kukësi i Ballist Morinës po të donit.

Dhe llogjika normale të bën të mendosh se një ekip që kualifikohet në futbollin europian, me tre ture çdo vit, që udhëton me çarter, që luan në stadiume me 60 mijë vende, nuk ka nevojë të paguajë Jeminin, Jorgjin a Dukën, për të mundur Tiranën, Partizanin apo Skëndërbeun, megjithë respektin për ta. Se nuk jemi naivë të blejmë atë që na takon. Edhe pse në fakt këtu tek ne i jepet atij që nuk e meriton.

Ndaj, miqësisht, ju ftoj të ulni armët, pra tastierat, të bëheni të ndërgjegjshëm se një penallti e dhënë apo e padhënë nuk mund të jetë kurrë një rast për të fyer. Nëse ka ekip që duhet të ankohet për luftë të pabarabartë me Skëndërbeun e trukimeve sidomos, ai është Kukësi. Kukësi nuk meriton vetëm Kampionatin, por edhe shumë gjëra që historia ia ka mohuar.

Dhe ti tifoz i Partizanit që mendon se epiteti "patate" është fyerje, sot donatori më i madh në botën e futbollit, me ambasadorë si Lionel Mesi, janë patatinat "Lays", që bëhen nga patatet, shumë më pak cilësore se këto të Kukësit. Dhe mos harro, po hyri patatja e Kukësit në grupin e donatorëve të FK Kukësit, kampionati i ardhshëm që do fitosh do jetë viti i largët 2078, si pasojë e thatësirës në Shishtavec.

Ftoj gjithashtu edhe disa politikanë që tremben nga patatja e Kukësit, të ulin tonet, të hartojnë një ligj mbi importin, të ndalojnë pataten maqedonase, dhe të shijojnë atë të Kukësit. Si gjellë dhe sii bukë po të doni, siç na porosiste udhëheqësi juaj shpirtëror.

Ndërkohë, përshëndes të gjithë ata që i lexojnë këtë rreshta dhe u them se pa Kukësin, pa ujërat e Kukësit që kanë përmbytur dhe tokat për t'i dhënë dritë atdheut, nuk do kishe as bateri për celularin dhe dritat në "Derby" do iknin përgjithmonë. Në rregull?

Para Kukësi!

a.k

(Prodhuar në Kukës)
.