Familja topojanase si bashkësi sovrane

Lexuar 682 here




nga Azem Parllaku
Amos Oz, shkrimtari i cili ka shkruar mjeshtërisht sagën familjare “Rrefim për dashurinë dhe urrejtjen”, një prej librave autobiografikë më të lexuar, na kujton se “…Familja është instutucioni më i mistershëm dhe më tërheqës në botë…”. Për ne shqiptarët, familja është ajo baza në saje të së cilës fisi fitonte personalitet. Familja, shtëpia, pasuria, toka, përherë e kanë përbërë qelizën bazë të një shoqërie me karakteristika të veçanta siç është kjo e jona. E falenderoj administratorin e “Sofra e Topojanit” që mundësoi këtë fotografi të një familje të madhe topojanase, e cila siç duket ka më shumë se një shekull të jetë shpërngulur nga Topojani diku aty në Stamboll. Siç duket në fotografi ajo çfarë lexohet më shumë, e që për Aristotelin quhej “themeli i autoritetit familjar”, është tërësia e funksioneve, kopetencave dhe e pushteteve që udhëheqin administrimin dhe shpërndarjen e të mirave materiale, e që përcaktojnë rregullat e sjelljes në shtëpi dhe ekuilibrit në të. Nëpërmjet kësaj fotografie, në të cilën më shumë nga kushdo është kujdesur ai kryefamiljari, gjenden të lidhura ngushtë dy ide: ajo e së gjithës së pandashme dhe ajo e varësisë. E vjetër më shumë sa një shekull, nëpërmjet kësaj fotografie na përcillet mesazhi i të drejtës gjinore, i hierarkisë, respektit për më të madhin, e plot vlera të tjera. Gruaja dhe burri kanë të drejtat të barabarta, gratë respektohen dhe rrinë aty në mes të burrave. Secili nga antarët e kësaj familje, qoftë burrë apo grua është kaq bashkëpunues dhe aktiv, me të vetmin qëllim, atë të “…veprimit për interesin e të gjithëve…babai, nëna, motra, vëllai…” Në të djathtë qëndron përherë ai/ajo më i madhi, e kështu materializohet ky parim nëpërmjet të të cilit, bëhen objektive format e mardhënieve ndërmjet të gjithë anëtarëve të familjes. Veshja, kodi i sjelljes, gjuha me të cilën flet kjo fotografi, krijojnë atë ansambël ku rrinë mirë të harmonizuara estetika, koha, elementi patriotik, gjendja morale e ajo psikologjike. Kjo familje të cilën po e quaj “bashkësi sovrane”, e ka të konsoliduar vazhdimësinë në mënyrën e jetesës, e të konceptuarit të jetës morale, shoqërore, ekonomike dhe biologjike. Edrejta dhe përgjegjësia gjinore, respekti për të moshuarit, dashuria e fëmijës, shfaqin pikërisht atë koncept të vetëm e të njejtë të familjes , që ngërthen rolin e së tërës dhe të sovranitetit si bashkësi. Kjo familje e gjerë, priret drejt thithjes së një numri gjithmonë e më të madh të njerëzve të gjakut, pasardhës të të njejtit të parë dhe të prejardhur nga dega mashkullore, si mbartëse e autoritetit. Ajo është përpjekur dhe është riprodhuar brez pas brezi brenda strukturës së saj fillestare. Kjo vërehet qartësisht nëpërmjet fotos, mbasi aty janë tre breza bashkë. Kjo familje Topojanase, tregon që i pari ai më/e moshuara zotëron një personalitet dhe autoritet, që vazhdon për aq kohë sa ai/ajo jeton e mund të përmbushë funksionin themelor, atë të nxjerrjes në pah dhe të përfaqësimit të unitetit organik, ekonomik, material dhe shoqëror të bashkësisë. Vazhdimësia e brezave të shkuar dhe të ardhshëm, siç e tregon dhe fotografia, është më themelorja nga lidhja aty për aty e mardhënies së farefisshme, e ajo e vendbanimit të përbashkët. Burrat, bijtë e kryetarit të familjes, janë pjesa aktive e saj, forca kryesore e punës që siguron të mirat e nevojshme për jetesën. Bashkimi vëllazëror është kaq i fortë dhe përjetësia e lidhjes së gjakut, uniteti e bashkëjetesa, janë të garantuara dhe dëshmohen. Anëtarët e ardhur, domethënë gratë me të cilat janë bërë martesat, i shtohen drejtpërdrejt brezit të ri mashkullor. Të ardhura nga jashtë familjes, ato përfaqësojnë një prurje të vazhdueshme nga tjetër prejardhje, por roli i tyre, është i përcaktuar qartë e trajtohen si hyrje në familjen e re të gjakut. Kjo fotografi flet qartë se tradita është ende midis nesh dhe vazhdon të ndikojë konceptin tonë mbi familjen e madhe, rolet dhe vlerat e saj.
.