22 Qershor, iftari tradicional në Novosej

Lexuar 1760 here




Besimtarët myslimanë e presin mjaft gëzueshëm muajin e begatë të Ramazanit, muaj i cili këtë vit erdhi në mesin e temperaturave të larta që solli stina e ngrohtë e verës. E me gjithë këto temperatura të larta, besimtarët myslimanë u bënë edhe më të guximshëm dhe më të durueshëm duke e çuar në vend këtë obligim të shenjtë të agjërimit përgjatë këtij muaji të begatë.

Një nga qëllimet kryesore të agjërimit të këtij muaji është edhe forcimi i unitetit, vëllazërisë dhe harmonisë mes njerëzve, e cila dukshëm shfaqet në shtrimin e sofrave të iftareve. Këtij qëllimi i shërben edhe tradita e bukur që po vijon në Novosej, gjatë këtyre viteve të fundit.
Banorë të këtij fshati dhe të ftuar nga fshatrat Shishtavec, Borje, Oreshkë Kollovoz, Shtrezë, Turaj, Topojan, u mblodhën mbrëmë në sofrën e iftarit, duke shënuar kështu një nga kulminacionet e këtij muaji të bekuar.
Ata shprehën kënaqësinë e madhe që u bënë pjesë e kësaj sofre, e cila tashmë u ka hapur dyert të gjithë besimtarëve.

Sipas organizatorit të kësaj darke, Imamit të Xhamisë së Novosejt, Xhevahir Lika "Kjo sofër tradicionale shërben si një shtysë më tepër për të gjithë ata që kanë mundësi ekonomike të ofrojnë një atmosferë të tillë ku harmonia, vëllazëria, paqja dhe solidariteti bëhen emërues të përbashkët të kësaj tradite të mrekullueshme".

Falja e akshamit dhe shtrimi i darkës se iftarit u bënë në  ambientet e resortit turistik "Stani i Hoxhës".

kallabak.com


 
.