Kuksianët: Sot në shesh, çojnë zërin për Ismailin

Lexuar 910 here




I ftojmë të gjithë kuksianët që sot datë 29 korrik, në orën 19:00, te ish-sheshi "Skëndërbej" në Kukës të mblidhemi tok dhe të çojmë zërin për të mbështetur djalin, vëllanë, nipin dhe birin e një toke të larë me gjak. Protestat le të nisin në Kukës dhe më pas të shtrihen kudo, deri te ambasada kroate në Tiranë, për ti treguar botës se ne vërtet kemi halle, por jemi krenarë dhe e duam çdo pëllëmbë të tokës tonë, duam dhe mbrojmë çdokënd që flet shqip". Kjo është thirrja që sportdashësit e Kukësit kanë shpërndarë sot në rrjetet sociale.

Ky reagim vjen menjëherë pasi autori i dronit që u ngrit në stadiumin serb në nëntor të 2015, Ismail "Ballist" Morina, i ndaluar rreth një muaj më parë nga autoritetet kroate ka dalë tri ditë më parë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Dubrovnikut, ku togat e zeza kanë vendosur ekstradimin e tij në Serbi.

Prej afro dy vitesh në emër të këtij shtetasi ka një urdhër ekstradimi nga shteti serb lidhur mbi ngjarjen e ndeshjes Serbi-Shqipëri ku ngritja e një droni me një baner të mbishkruajtur Autochtonus solli trazira në stadium dhe më pas ndërprerjen e ndeshjes.

Familjarët e tij  janë shprehur se po bëjnë të pamundurën që i afërmi i tyre të mos ekstradohet. Pranë Ballist Morinës në këto momente ndodhet bashkëshortja e tij italiane, me profesion avokate, e cila edhe pse shtatzënë nuk e ka braktisur të shoqin në këto momente të vështira për të.

Xhevahir Morina, i vëllai i Ballist Morinës është shprehur se nëse Ballist Morina ekstradohet ai do të ndërrmarrë aktin ekstrem të vetëflijimit.

Koha për të dërguar në Apelim vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë është e pakët për Ismail Morinën. Ai duhet ta bëjë Apelimin brenda tri ditësh nga dita e sotme.

kallabak.com

.