Sot është Dita e Gjallicës, si Festë e moçme

Lexuar 1681 here




Çdo të enjte të parë të muajit gusht në Kukës festohet Dita e Gjallicës. Kjo ditë për shqiptarë ndryshe njihet si Festa e Maleve, apo Mesvera sepse gjendet mu në mes të stinës së verës. Njihet me emra të ndryshëm sipas krahinave, si: festa e Gjallicës, festa e Runës, festa e Tomorrit, festa e Sari Salltëkut, etj.

Data e saktë për këtë festë siç ka qenë në zanafillë është mbrëmja e 6 gushtit, ndërsa më 7 gusht është dita. Gjashtë ditë para kësaj feste dhe gjashtë pas kësaj janë 12 ditët më të nxehta të vitit, kur njerëzit frikësoheshin se janë ditë kur dalin fantazmat më tepër, apo besohej se siç merrte moti në këto 12 ditë ashtu do të merrte moti në 12 muajt e ardhshëm.

Me kalendarin e sotëm këto i bien 12 ditët e para të gushtit. Kjo festë festohej gjatë natës në maja malesh, ku ndizeshin zjarre të vogla sa për të pjekur mishin, merrnin avdes te krojet, i faleshin diellit, flijonin dhi, etj.

Karakteristike për këtë festë është edhe të sjellurit e masës së njerëzve përreth majës së malit për tri orë rresht në mesnatë, secili me nga një qiri në dorë, qiri i gjatë sa vetë njeriu që mbarte. Qiriu duhet të jetë zëvendësim nga ana e kishës i pishtarit që përdorej më parë në paganizëm. Kjo festë në të kaluarën u kushtohej zanave dhe ndonjë perëndie të rrufeve, pasi njihet edhe me emrat Festa e Zanave dhe Festa e Bubullimave.

kallabak.com

.