PKK Shishtavec-Krushevë, më pak se 10 minuta

Lexuar 1663 here




E gjatë 4,5 km rruga automobilistike Pika e Kalimit Kufitar Shishtavec-Krushevë, do të lehtësojë jetesën dhe bashkëpunimin e banorëve në të dy anët e kufirit. Po kështu nëpërmjet kësaj rruge do të ketë komunikim më të mirë, shkëmbim më të mirë, furnizim më të mirë për banorët e fshatrave të njësive administrative Shishtavec, Topojan (Kukës) dhe atyre të fshatrave të Komunës së Dragashit (Kosovë).

Këto ditë ka nisur asfaltimi i këtij aksi rrugor, në të cilin janë intensifikuar edhe punimet për ndërtimin e veprave të artit përgjatë kësaj rruge. Projekti i kësaj rruge është financuar nga Bashkimi Europian dhe menaxhohet nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë. Zbatimin e projektit po e kryen me cilësi të lartë kontraktori RSM Company sh.p.k.

Qeveritë e Shqipërisë dhe ato të Kosovës, e kanë konsideruar gjithmonë bashkimin dhe bashkëpunimin mes dy shteteve si një detyrim madhor ndaj kombit shqiptar dhe shqiptarëve kudo jetojnë.

Më përpara Rruga e Kombit, kjo vepër madhore, realizuar me iniciativën personale të ish-Kryeministrit Berisha dhe vazhdimi i saj në territorin e Kosovës, është shndërruar në rrugën e bashkimit, komunikimit dhe prosperitetit ekonomik për shqiptarët në të dy krahët e kufirit.
Sot distanca Pika e Kalimit Kufitar Shishtavec-Krushevë përshkohet në më pak se 10 minuta duke rritur ndjeshëm bashkëpunimin, ekonomik, tregtar, kulturor dhe turistik.

kallabak.com

.