Bajram Luli - Një histori që simbolizon solidaritetin në mbrojtjen e Topojanit.

Lexuar 3792 here




nga Gani Dalipi (Allaraj)
Nuk ndodhte që në dasma dhe gëzime familjare, ndër banorët e krahinës së Topojanit, ku mblidheshin dhe gëzonin së bashku sipas traditave dhe dokeve krahinore, të mos këndohej me krenari kënga e Bajram Lulit. Në Topojan mençuria nuk matej me vite shkollimi, por me pjesëmarrjen në oda të burrave, të cilat historikisht kanë qenë institucione edukimi për të rinjtë. Në këto institucione dije dhe edukimi jehonte kënga, fyelli e çiftelia, ku u këndohej trimave që dhanë jetën në luftrat për liri e pavarësi, plagës së rëndë të kurbetit dhe jetës së përditshme, që jetohej me vështirësi, por me dinjitet. Pa dyshim, kënga e parë që ndizte atmosferën ishte kënga hymn e prijësit legjendar Ejup Topojani, malësori trim nga Topojani që drejtoi luftërat e shqiptarëve kundër agresorëve serbë në fund të shekullit të 19-të. Menjëherë pas kësaj kënge, vinte kërkesa e më të moshuarve të odës së burrave, që njëzëri u drejtoheshin rapsodëve të krahinës: - “Ju lumtë goja, e ju këndoftë zemra!” Hajt tani, merrjani njëherë këngës së Bajram Lulit! Të gjithë, me një vëmendje të pashembullt, dëgjonin këngën dhe në sytë e tyre lexohej lehtësisht një krenari, që e kishte vënë re edhe konsulli Rus “Jastrebov”, i cili kur kishte vizituar Topojanin ishte shprehur se ata (Topojanasit) janë ndër më krenarët e krahinës së Lumës.
Po kush ishte Bajram Luli, ky malësor Topojanas që populli e përjetësoi në këngë ?
Duhet të ketë qenë vera e vitit 1903, kur pas kthimit nga shtegtimi në fushat e Selanikut, blegtorët Topojanas kishin ngritur stanet e tyre të bagëtive në bjeshkët e Topojanit. Vehap Luli, ose siç thirrej ndryshe Vehap Qehaja (ngaqë kishte një numër shumë të madh krerësh bagëtie), kishte ngritur stanin në bjeshkët e Kallabakut, diku përballë fshatit të sotëm Turaj. Jeta ishte e vështirë, por rridhte natyrshëm, Qeverisja Osmane pothuajse nuk ndjehej fare në krahinë, ngaqë ishte në ditët e saj të fundit, dhe fshatrat rregullonin jetën e tyre me anë të Ligjeve krahinore (në Topojan jeta rregullohej me anë të Kanunit të Lumës).
Vehap Luli, së bashku me vëllain e tij, trimin Bajram Luli, nipin Bakiun (djalin e Bajramit), familjarët e tjerë, dhe shërbëtorët që kujdeseshin për bagëtitë ishin në kulmin e punës dhe të prodhimit blegtoral. Asnjërit prej tyre si kishte shkuar në mendje se gjatë punës së tyre, pa i patur borxh askujt, do të përballeshin me një sulm të papritur grabitqar!
Në këtë periudhë, një grup grabitësish prej më shumë se 300 vetash ishin nisur për të sulmuar dhe grabitur stanet në bjeshkët e larta të Topojanit që fillonin që nga mali i Kallabakut e deri në bjeshkët e Sharrit në Vracë.
Kur kalojnë në bjeshkët e Kallabakut, grabitësit shohin stanin e Vehap Lulit, të cilin pasi e studjojnë me kujdes, vendosin t’a sulmojnë dhe t’a grabisin. Ata rrethojnë stanin, dhe pasi bie nata dhe errësohet, grabitëqarët sulmojnë stanit dhe hyjnë nëpër vathët e bagëtive (dhenëve). Ndërkohë, kërcet pushka dhe nis një betejë e madhe, të cilën populli e përjetësoi kështu në një këngë;

Kallabaku po gjëmon,
Vehap Qehaja po lufton,
për mall të vet trimi po qëndron

Burra e gra të Bajram Lulit vazhduan përleshjen me grabitësit. Kur u hapën vathët dhe grabitësin tentuan me nxjerrë dhentë, gratë trimëresha morën sahanët me kripë dhe filluan duke e hedhur kripën nëpër xhibre. Dhentë u ngjitën pas kripës dhe nuk lëviznin, kështu që grabitësit humbën shumë kohë për t’u larguar. Trimërisë dhe zgjuarsisë së grave populli u këndoi si më poshtë;

Gra trimnesha kishin qëllue,
treqind vetë i kan marrue,
dhentë prej xhibresh nuk i kanë lëshue

Gjatë betejës së armatosur, në luftën e ashpër për të mbrojtur pasurinë e vet, te stani i bagëtive, mbeti i vrarë i zoti i stanit, Vehap Luli, nipi i tij Bakiu (djali i Bajramit) si dhe nga grabitësit u vra prej malësorëve Topojanas, kreu i bandës sulmuese, i cili për ironi kishte qenë bajraktar në krahinën e vet, si edhe pati disa të plagosur. Ja sa bukur e shpreh kënga popullore;
Bajraktari ku ka mbetë,
bash në shtrungën ku mjelen dhentë,
krye per krye me një dele shterpë
Pas shumë luftimesh dhe përpjekjesh të armatosur, grabitësit arrijnë t’i nxjerrin dhentë nga vathët e stanit dhe i nisin në drejtim të malit të Korabit. Në këtë kohë, lajmi ishte përhapur në fshatrat përrreth dhe malësorët trima të krahinës ishin solidarizuar masivisht, dhe ishin nisur në drejtim të stanit për të mbrojtur nderin dhe dinjitetin e krahinës. Ja si shprehet solidariteti i Topojanasve në këngë;

Kur vikati aj Bajram Luli,
treqind veta dolën prej guri

Kur bërtiti Merxhan Tafili,
këndonte grykë-holla si gojë bilbili

Në vargjet e mësipërme bëhet fjalë për Merxhan Tafilin, një trim nga Novosej që mbeti i vrarë në përpjekje me agresorët. Në ndihmë erdhën shumë malësorë nga Topojani, Brekia, Xhaferaj, Novosej, Kollovozi dhe Nimça, të cilët u vunë në ndjekje të grabitësve. Krahas kësaj, jehona i kaloi kufijtë e bajrakut, dhe në ndihmë u bashkuan edhe trimi Lusjan “Ramadan Çejku” dhe trimi nga Kolesjani “Abaz Spahia”, ndihmë e cila u gdhend në vargjet e këngës popullore;

Kallabaku po gjëmon,
Bajram Luli po lufton,
Abaz Spahia po i ndihmon

Ramë Berami po bërtet,
ikni shokë e lini dhent,

ikni shokë, se n’a u zu shtegu,
në pritë n’a doli Ramadan Çejku

Ramë Berami ishte bashkuar me grabitësit rrugës, dhe e njihte trimërinë e Ramadan Çejkut, ndaj e kapi paniku, sikurse e shpreh edhe kënga.
Ky trim Lumjanë u kishte zënë pritë grabitësve në shkallë të Korabit, dhe pas luftimesh të ashpra mbetën të vrarë një numër shumë i madh grabitësish. Njëri nga malësorët Topojanas bërtiti; - “Bini burra ogiçit të këmborës, se pastaj dhentë nuk ecin.” U qëllua ogiçi që printe tufën e deleve, dhe dhentë nuk lëvizën më tej. Çeta e grabitësve e shpartalluar dhe me humbje të mëdha në njerëz u largua duarthatë. Atëherë u morën dhentë dhe u kthyen mbrapsh në stanin e tyre në Kallabak të Topojanit.
Përveç këngës për trimat Topojanas, rapsodi popullor u bën thirrje në mënyrë triumfuese grabitësve, duke ju drejtuar grave të tyre, siç edhe shprehet më poshtë;

Moj fanesha, moj çorap-gjata,
pse s’u bini burrave mbrapa,
se u kan mbetë nëper lugjata

Lipën gjizë e lipën djathë,
shterpa të mëdha e tamël të trashë,
u dhamë pushkë e u dhamë barot.

Kjo është historia e këtij trimi Topojanas, e cila është një vlerë e shtuar në historinë e lavdishmë të krahinës së Topojanit, përmes të cilës shprehet trimëria dhe krenaria me të cilën, të bashkuar, malësorët e Topojanit mbronin vendin dhe pasurinë e tyre.
Më vonë, familja e tij pati të njejtin fat, si shumë familje të tjera të Topojanit, Brekisë, Xhaferajt, Nimçës, etj, mbi të cilat masakra e shovinistëve serb, e tetorit të vitit 1913 qe e pashembullt, dhe me pasoja katastrofike.
Nga pasardhësit e kësaj familje mbijetuan vetëm dy veta. Bajram Luli kishte lidhur miqësi me familjen e njohur të Islam Bashës nga Novosej, duke martuar vajzën e tij me këtë burrë të shquar, që ndryshe njihet edhe si “Hoxhë Novosej”.
Në masakrën e vitit 1913, serbët rrethuan dhe dogjën shtëpinë e Hoxhë Novosejt, dhe kjo bijë trime e Bajram Lulit arriti të shpëtonte dy fëmijët e saj; djalin (Riza Basha) dhe vajzën (Hyrije Allaraj) duke i hedhur nga flakët, ndërsa vetë u dogj e çarë nga bajonetat e mizorëve serbë.
Rizai jetoi në Tiranë, ndërsa Hyrija u martua në Turaj, te Xhevit Iseni. Plaga e djegjes në dorën e saj është ende e gjallë në memorjen e malësorëve, si dëshmi e atij terrori të pashembullt.

Kjo ishte historia e kësaj familje që populli e përjetësoi në këngë, të cilën në variantin më origjinal po e paraqesim mëposhtë;

Kënga e Bajram Lulit - Topojan (1903)

Ugurolla, more bajraktar,
në bjeshkë të nalta jam nis’ me dalë,
jam te shkue të Vehap Qehaja

A je këtu, more i lumi Qehajë,
a më jep gjizë, a më jep djathë,
a më jep shpirtin a mallin me t’a marrë

Nuk të jap gjizë, e nuk të jap djathë,
po të jap pushkë e po të jap flakë,
se këtij stani i thonë Topojan

Kallabaku po gjëmon,
Bajram Luli po lufton,
për mall të vet trimi po qëndron.

Gra trimnesha kishin qëllue,
treqind vetë i kan marrue,
dhentë prej xhibresh nuk i kanë lëshue

Kur vikati aj Bajram Luli,
treqind veta dolën prej guri

Kur bërtiti Merxhan Tafili,
këndonte grykë-holla si gojë bilbili

Dil Baki e pritmi qentë,
se në Korab do të t’i ndali dhentë.

Kallabaku po gjëmon,
Bajram Luli po lufton,
Abaz Spahia po i ndihmon

Ramë Berami po bërtet,
ikni shokë e lini dhentë,

ikni shokë, se n’a u zu shtegu,
në pritë n’a doli Ramadan Çejku

Bajraktari ku ka mbetë,
bash në shtrungën ku mjelen dhentë,
krye për krye me një dele shterpë

Moj fanesha, moj çorap-gjata,
pse s’u bini burrave mbrapa,
se u kan mbetë nëpër lugjata

Lipën gjizë e lipën djathë,
shterpa të mëdha e tamël të trashë,
u dhamë pushkë e u dhamë barot.

 
.