Mblidhen Organet Drejtuese të Shoqatës; Çfarë u vendos?

Lexuar 3937 here




U mbajt sot me datë 28 prill 2018 takimi i përbashkët i Kryesisë dhe Këshillit të Përgjithshëm të, Shoqatës Atdhetare Kulturore Parku Korab-Koritnik, e themeluar me 21 prill 2018. Takimi u zhvillua nën drejtimin e Kryetarit të Shoqatës, z.Feriz Ahmetaj. Në këtë takim të pranishmit diskutuan dhe propozuan modalitetet për ashpërsimin e qëndrimit kundër ndërtimit të HECE-ve, në zonën Topojan-Shishtavec. Krahas të dhënave zyrtare dhe kundërshtimit në rrugë ligjore që është vepruar, po veprohet dhe do të veprohet me akte ligjore dhe takime në institucionet shtetërore, pjesëmarrësit në këtë takim dolën në konkluzionin se;

Personat kryesorë që, kanë cënuar rëndë interesin e përgjithshëm dhe të përbashkët, janë pikërisht ata persona të zgjedhur nga komuniteti për të mbrojtur interesin e banorëve të zonës dhe të larguarve përkohësisht nga ajo. Në këtë takim pjesëmarrësit faktuan se, ideatori dhe konkretizuesi i ndërtimit të HECE-ve, është z.Safet Myftaraj ish-kryetar i Komunës Topojan.

Në fund të takimit u vendos: Thirrja e, z.Safet Myftaraj, për t'u paraqitur përpara Këshillit të Përgjithshëm dhe Kryesisë së Shoqatës, ku do t'i bëhet e ditur se, ka cënuar rëndë dinjitetin e komunitetit dhe interesat tona të përbashkëta, jetike dhe të ligjshme, dhe do t'i kërkohet të fillojë menjëherë dhe pa asnjë diskutim tërheqjen nga ndërtimi i HECE-ve.

Ju bëjmë me dije se Shoqata është duke investiguar për të faktuar dhe përfshirjen e ndonjë personi tjetër të zonës në këtë aferë. Nga ana tjetër çdo individ ftohet të bashkëpunojë dhe bashkërendojë me Organet Drejtuese të Shoqatës, që të maksimizojmë kontributin për pengimin definitiv të ndërtimit të HECE-ve në zonën tonë.
.