Konçensionari përballë përfaqësuesve të komunitetit anti-HECE-e
Siç dhe ishte deklaruar më herët, përfaqësues të Kryesisë dhe të Këshillit të Përgjithshëm të, Shoqatës Atdhetare Kulturore Parku Korab-Koritnik, me datë 12 maj, ora 17:00 zhvilluan një takim me njërin nga aksionerët e ndërtimit të hidrocentraleve në Zajë dhe Topojan, ish-kryetarin e Komunës të Topojanit, Safet Myftari, i cili pranoi se është aksioner për ndërtimin e HECE-ve në fjalë.
Myftari pranoi gjithashtu se, Reka.sh.p.k është firmë e familjes së tij, firmë e cila është njëra prej dy kompanive konçensionare kontraktuese për ndërtimin e HECE-ve në zonë. Nga përfaqësuesit e zonës Myftarit i'u kërkua bashkëpunim dhe mirëkuptim për të shikuar mundësinë e zgjidhjes së kontratës sa më shpejtë të jetë e mundur dhe konkretisht. Nga ana tjetër ish-kryetarit të Komunës së Topojanit i'u bë me dije se, nga Peticioni dërguar institucioneve shtetërore rezulton që 98% e banorëve janë kundër ndërtimit të HECE-ve, dhe opsioni i ndërtimit të tyre është i gabuar, pasi ujrat janë pasuri natyrore e përbashkët e komunitetit.
Themelusi i Reka.sh.p.k. pasi dëgjoi qëndrimin kategorik të të pranishmëve si përfaqësues të zonës, për moslejimin e ndërtimit të HECE-ve, pranoi që, do të shikojë edhe mundësinë për t'u tërhequr nga kjo sipërmarrje. Bashkëpunimi u la i hapur, për të gjetur mënyrën më të përshtatshme të tërheqjes, por kjo nuk u garantua definitivisht nga konçensionari i pranishëm.
Në ndërkohë, gjithëkujt që ka interes në këtë çeshtje i bëjmë të ditur se, ne dhe të gjithë banorët e zonës jemi të vendosur, deri në pikën e fundit për të mos lejuar ndërtimin e HECE-ve.
Ndaj në këtë aspekt gjithësecili prej nesh, duhet të veprojë në mënyrë konkrete dhe të përgjegjshme, duke u impenjuar në të njejtën mënyrë dhe me të njejtën barazvleshmëri me përfaqësuesit më aktiv të kësaj kauze. Askush nuk duhet të rrijë në gjendje pritshmërie, por të gjithë të veprojmë në unison dhe si të barabartë, përballë kësaj të keqe që na kanoset.
Këshilli Përfaqësues i Shoqatës
