13 mijë ton patate Kukësi drejt kalbjes, fermerët: Nuk ka treg dhe magazinë grumbullimi

Lexuar 958 here




nga Flutura Tota
Më shumë se 500 fermerë të qarkut të Kukësit, të cilët kanë mbjellë  600 hektarë tokë me patate dhe kanë përftuar 13 mijë ton prodhim, rrezikojnë të mos e shesin produktin, pasi mungon tërësisht tregu.

Por nga ana tjetër, mungojnë totalisht edhe magazinat e grumbullimit apo përpunimit të kësaj kulture bujqësore, e cila është e vetmja që prodhohet në zonat e thella malore të Kukësit, si: Shishtavec, Topojan, Bushtricë, Grykë Çajë, Kalis etj.

Sipas fermerëve, kërkesat për mundësimin e tregut të shitjes kanë qenë të përvitshme, por deri tani askush nuk ka menduar për t’u ardhur në ndihmë fermerëve.

“Patatet prej vitesh na kalben pasi nuk shiten. Patatet i mbajmë në gropa, pasi nuk kemi mundësi që të nënshkruajmë kontrata me grumbulluesit. Këtu në Kukës nuk ka as grumbullues, por vetëm disa tregtarë që vijnë dhe na i marin këtu me automjete. Ne kemi nevojë për treg shitje, pasi këtu në zonën e Shishtavecit vetëm patatja kultivohet” thotë një nga fermerët.

Por, përveç mungesës së tregut apo magazinave që mund të grumbullonin pataten, këtë vit Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, pataten e Kukësit nuk e ka përfshirë në skemat e subvencioneve, pavarësisht se kërkesat e Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë kanë qenë të shumta.

“Këtë vit patatja e Kukësit nuk u përfshi në skemën e subvencioneve të bujqësisë. Të paktën kështu na thanë agronomët e Drejtorisë së Bujqësisë. Nuk kishim pse të aplikonim, pasi subvencione nuk ishin përcaktuar. Tashmë, patatja jonë është në mëshirë të fatit, ndaj ne do t’i shtratifikojmë, pra do i fusim në gropa” thotë një tjetër femer i zonës së Topojanit.

Sipas të dhënave të drejtorisë së Bujqësisë në Kukës, këtë vit në të gjithë Qarkun e Kukësit numërohen më shumë se 500 fermerë, të cilët kanë mbjellë me patate 600 hektar tokë.

Vetëm Njësia Administrative Shishtavec, pritet që në fund të sezonit të nxjerrjes nga toka të patates, të grumbullojë mbi 10 mijë ton.

Fermerët u përballën në Pranverë edhe me çmime shumë të larta të farës së patates, megjithatë, ata e kultivojnë, me shpresën se patatja e tyre do të shitet dhe kështu të mbajnë familjet e tyre.

Vetëm pak kohë më parë, zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ilir Halilaj deklaroi në Shishtavec, se do të krijohej edhe marka e patates së Shishtavecit, por deri tani ky projekt nuk dihet se në çfarë faze është.

Sipas të dhënave, në Shqipëri, prodhimi i patateve daton prej dekadash, ndërsa kultivimi i saj ka nisur që nga vitet 1850.

Sipas statistikave, Shqipëria renditet e 26-ta në Europë për prodhimin e patates.

Vendi ynë vlerësohet se prodhon rreth 245 mijë ton patate në vit, duke lënë pas Maqedoninë, Kosovën, dhe Malin e Zi.
 
.