Tarifimi në rrugën e Kombit, kuksianët nuk dorëzohen, ja çfarë pritet të ndodhë më 10 dhe 17 shtator

Lexuar 1287 here




nga Flutura Tota
Aplikimi i tarifimit në rrugën e Kombit do të nisë më 17 shtator, ndërsa 7 ditë përpara nisjes së “vjeljes” së kësaj tarife, do të nisë testimi i sistemit të mbledhjes së parave që duhet të paguajnë përshkuesit e kësaj rruge.

Por, përballë këtij fakti, banorët e Kukësit duket se nuk janë “dorëzuar” lehtë, ndonëse qeveria vendosi që ata të paguajnë 100 lekë për çdo kalim, në sportelet e vendosura në afërsi të tunelit të Kalimashit.



Burime pranë Këshillit Bashkiak të Kukësit, i cili është pozicionuar që në fillim kundër pagesës së tarifës, bëjnë të ditur për Ekonomix.al, se më datën 10 shtator pritet të ketë një mbledhje të këtij organi vendimarrës të pushtetit lokal.

Po sipas të njëjtave burime, në këtë mbledhje pritet që të diskutohet rreth qëndrimeve që këshilltarët bashkiakë do të mbajnë përballë pagesës së tarifës, ndërsa gjatë këtyre ditëve disa këshilltarë do të kenë takime me komunitetin.

Ky i fundit, duket se nuk është dakord as me vlerën prej 100 lekësh, për të paguar në sportelet e kompanisë koncensionare, madje në rrjetin social “Facebook” ka edhe disa njoftime, ku u bëhet thirrje kuksianëve që të bashkohen sërish me 17 shtator dhe të protestojnë përpara tollit, vendit ku janë vendosur sportelet e pagesës së kësaj tarife.



Në njoftimin e publikuar në një faqe në Facebook, thuhet, se protesta kundër pagesës së tarifës në rrugë do të nisë në orën 08:00 të mëngjesit, por deri tani grupi negociator, i ngritur për kundërshtimin e tarifimit që organizoi dhe protestën e 31 marsit, nuk ka një vendim konkret se çfarë do të bëhet, pa u konsultuar me komunitetin.

Burime pranë këtij grupi, bëjnë të ditur për Ekonomix.al, se dikutimet kanë nisur me qytetarët dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak, por ende nuk është marë vendim, nëse do të ketë reagim përmes protestave apo jo.

Banorët e Kukësit kundërshtuan që në fillim vendosjen e tarifës në rrugën e Kombit, madje më 31 mars ata u ngritën në një protestë, të dhunshme, e cila solli shkatërrimin e sporteleve të pagesës së kësaj takse, por edhe reflektimin e qeverisë, për uljen e vlerës së tarifës për banorët e Kukësit.

Për këta të fundit, pagesa do të jetë 100 lekë, ndërsa për automjetet e tjera, duke përfshirë edhe ato të Kosovës, pagesa do të jetë 6.600 lekë.

Përshkuesit e sheshtë të rrugës do të marrin falas pajisjen elektronike telepass dhe tarifa e reduktuar vlen deri në 44 kalime në muaj si dhe për automjetet e sipërmarrjeve që kryejnë mbi 20 kalime në muaj.

Ndërsa për automjetet me 3 rrota pagesa është 2.5 euro, për autoveturat 5 euro, për autobusët e kamionçinat 11.2 euro, për kamionët e mesëm 16.2 euro, ndërsa për kamionët e rëndë 22.5 euro.
.