Pushteti lokal pranon tarifimin 100 lekë për rrugën e Kombit: Nuk ka më protesta!

Lexuar 1510 here




Këshilli i Qarkut të Kukës dhe ai Bashkiak e kanë  konsideruar të mbyllur çështjen e kundërshtisë së banorëve për tarifimin e rrugës së Kombit, ku përmes deklaratave publike, ata pranojnë, se vlera prej 100 lekësh për banorët e Kukësit, Hasit dhe Tropojës është e përballueshme nga të gjithë.

Ka qenë kryetari i Këshillit të Qarkut, Abedin Oruçi dhe ai i Këshillit Bashkiak, Gjelbrim Shehu, të cilët në deklarata publike, kanë deklaruar, se reflektimi i qeverisë dhe caktimi i tarifës prej 100 lekësh, është vlerësuar si një hap pozitiv dhe që nuk rëndon banorët.

“Në cilësinë e kryetarit të Këhsillit të Qarkut, mund të them, se tarifa prej 100 lekësh është e përballueshme nga të gjithë banorët e Kukësit. Përveç kësaj, dua të sqaroj, se kërkesat e mia ndaj kompanisë koncensionare apo qeverisë, nuk do të reshtin për ndërtimin e sinjalistikës së duhur në autostradë, përfundimin e mbi e nënkalimeve si dhe mirëmbajtje të vazhdueshme për rrugën, e cila është në degradim e sipër. Po ashtu, dua të falenderoj kompaninë, e cila deri tani ka punësuar dhjetra banorë të Kukësit” tha kështu kreu i Këshillit të Qarkut, Abedin Oruçi.

Ndërkohë, Këshilli Bashkiak i Kukësit këtë të entje kishte thirrur një mbledhje, ku në rend të ditës ishte përcaktuar edhe analizimi i tarifimit prej 100 lekë për banorët e Kukësit.

Por, për mungesë kuorumi, kjo mbledhje ka dështuar, pas së cilës, kreu i Këshillit Bashkiak Gjelbrim Shehu, tha se tashmë kjo çështje konsiderohet e mbyllur, duke qenë se edhe tarifa prej 100 lekësh është e përballueshme nga të gjithë.

“Në cilësinë e kryetarit të Këshillit Bashkiak Kukës, bëj me dije për qytetarët, se mbledhja e sotme e këshillit bashkiak e thirrur nuk u realizua për mungesë kuorumi, ku pritej të diskutohej për tarifimin e rrugës së Kombit. Në këto rrethana, e shpall të mbyllur këtë çështje, e cila nuk do të diskutohet më në Këshillin Bashkiak, pasi qeveria dhe koncensionari caktoi 100 lekë tarifë për banorët e Kukësit, tarifë që është e përballuyeshme nga të gjithë. Në këtë zgjidhje përfundimtare kemi ardhur pas negociatash, në të mirë të interesave të banorëve të Kukësit, Hasit e Tropojës” tha kështu Gjelbrim Shehu, kreu i Këshillit Bashkiak në Kukës.

Deklaratat e bëra nga dy drejtues vendor në Kukës, kanë hedhur poshtë pretendimet e përfolura, se më 17 shtator, ditë kur pritet të nisë tarifimi i rrugës së Kombit, kuksianët të dilnin në protestë, për të kundërshtuar pagesën prej 100 lekësh.
-Nga Ekonomix.al
.