ËMBËLSIRAT E NOVOSEJASIT JANUZ NOKA I SHIJON NEW YORKU

Lexuar 788 here




Ai mund të hapte një ëmbëltore në Kukës, por shqiptari, Januz Noka, është bërë i famshëm në New York.Për ëmbëlsirat që gatuan në “Grand Central Oyster Bar & Restaurant” për më shumë se 20 vjet. Emrin e tij e përmendin gazetat e specializuara të New Yorkut. Dhe siç e dini gjithçka kalon prej stomakut. “Grand Central Oyster Bar & Restaurant” ka në ditë rreth 2500 klientë që shijojnë ëmbëlsirat e Januz Nokës, i cili punon këtu prej 1993. Noka, së bashku me dy asistentët e tij, krijon vizatime të ndryshme mbi ëmbëlsirat e tij ndërsa vendin ku punon e quan “më të bukurin në Manhattan”. Nga ora 5:30 e mëngjesit e deri në orën 2 pasdite, ai shërben ëmbëlsirat me pak kalori, pasi restoranti më shumë ofron ushqim deti. Përveç ëmbëlsirave, Noka është i zoti edhe në shërbimin e akulloreve të cilat janë sezonale në këtë restorant. Noka ka standarde të larta. Për të, ëmbëlsirat janë art. “Nëse nuk shtohen përbërësit në kohën e duhur… ëmbëlsira atëherë nuk është e përkryer. Ajo shkatërrohet nëse nuk është kombinimi i duhur i sheqerit dhe erëzave”, thotë ai.
“Duhet të jetë një kryevepër. Një që do t’i bëjë të uritur klientët posa ta shikojnë ëmbëlsirën”, shton më tutje.
Por nuk ka qenë prej fillimit kështu. Askush nuk e njihte Januz Nokën kur mbërriti në New York. Ai e nisi prej pjatalarësit dhe sot emrin e tij e përmendin si të një grand shefi.
“Të jetoja në Amerikë ishte ëndrra ime. Ishte sikur të lindja për herë të dytë”, ka thënë ai. Ia ka arritur Januzi, veç me djersë e mund.

 Marre nga: VOAL  
.