Inercia Botëkuptimore e Havzi Nelës

Lexuar 1330 here




nga MSc: Alfred Nela
Sistemi i ndëshkimeve i ndërtuar në periudhën e komunizmit, ishte një ndër më mizorët për sa u përket formave dhe mënyrave të dënimit. Hierarkia e dënimeve ishte e përmasave më barbare që mund të kishte njohur historia njerëzore. U pushkatuan, u varën, u dënuan, shumë të pafajshëm në mënyrë të egër dhe çnjerëzore. Mijëra njerëz të urtë dhe të fjalës së lirë, u torturuan në forma të paprecedentë dhe jashtë përfytyrimit njerëzor. Një ndër ta, ishte dhe dënimi dhe ri-dënimi i poetit Havzi Nela. Ai u var në mes të qytetit të Kukësit, në një kohë kur në Evropë dhe kontinent, ekzekutime të tilla, ishin ndaluar me kohë. Forma e ekzekutimeve që ndoqi shteti Enverist, ishte i ngjashëm me ekzekutimet e periudhës mesjetare. Persekutimi i intelektualëve dhe i njerëzve që kërkonin lirin e shprehjes, ishte kthyer në një spektakël rutinë për publikun e gjërë të nënshtruar dhe admiruesit e sistemit diktatorial.
Fjala e lirë dhe liria pa fjalë
Krijimi i “homo soveieticus”, në vend që të ndalonte ishte perfeksionuar akoma më shumë, duke u pasuruar me veçori të reja, si «mendimi i dyfishtë» them një gjë e mendoj një tjetër. Marta Dell´Asta (Studiuese italiane).
Të shkruash dhe flasësh për Havzi Nelën, është sa e lehtë, po aq dhe e vështirë. është e lehtë sepse, ai u la pasardhësve të gjithë mendimet e tij, të shkruajtura në letër me gjuhën e tij të zemrës, mendjes dhe shpirtit. Shkrimet e tij, ai i la që të kuptoheshin nga të gjithë, pavarësisht prejardhjes shoqërore, edukimit apo statusit social. është e vështirë të flitet për të, sepse vuajtjet dhe përjetimet e tij, janë neglizhuar dhe anashkaluar nga ai sistem, që krijoi shoqërinë e kontrollit dhe të ndëshkimit. Idealet që kishte në mendje, dhe ato që kishte rrëfyer dhe shkruar nuk gjetën vendin dhe destinacionin e duhur. Vizioni i Havzi Nelës, ishte shumë përpara të tjerëve, ishte rreth gjysëmshekulli inerci, kjo duket që në arrestimin e tij, që daton në vitet 1967. Kauza e tij ishte për liri, drejtësi dhe barazi. Ai nuk kishte kauz personale, por të gjithë idetë që kishte, ishin në shërbim të të gjithë njerëzve pa dallime. Kërkesat e Havzi Nelës, ishin për një shoqëri të emancipuar, ashtu siç Evropa kishte filluar t´i bënte me kohë. Ai gjithmon dëshiroi të sjellë “Mbinjeriun” e Niçes në atë realitet të krijuar. Ja si e përshkruan Niçe “Mbinjeriun”, të cilën dhe poeti Nela, e kishte të ngulitur në mendjen e tij.
Mbinjeriu do të jetë i rrallë, por ai është etapa pasardhëse e evolucionit njerëzor. Historia ecën jo drejt një “njerëzimi” të zhvilluar abstrakt, por drejt lindjes së njerëzve të jashtëzakonshëm. Ky objektiv është mbinjeriu, thotë Niçe. Por njeriu nuk do të jetë produkt i një procesi mekanik të evolucionit. Vetëm kur individët më të lartë të kenë guximin për të rivlerësuar të gjitha vlerat dhe për të reaguar të lirë ndaj vullnetit të tyre të brendshëm për pushtet, vetëm atëherë mund të arrihet etapa tjetër. “Njeriu është diçka që duhet tejkalohet”, dhe është mbinjeriu ai që përfaqëson nivelin më të lartë të zhvillimit dhe të shprehjes së fuqisë fizike, intelektuale dhe emocionale. Mbinjeriu do të jetë, njeriu vërtet i lirë, për të cilin asgjë nuk është ndaluar përveç asaj që pengon vullneti për pushtet (Stumpf; 2008).   
Siç shihet Niçja kishte si vizion naltësimin e mendjes njerëzore, ndërsa Nela kishte si devizë emancipimin e individit në një vend ku shtypja dhe horrori ishin në nivelet më të lartë. Ai nuk kishte kërkesa personale, por vetëm individi të lejohet të shprehë lirshëm fuqinë intelektuale dhe shpirtërore, që e mban të brendësuar dhe të ndrydhur.
Pas Revolucionit Francez, format e përgjithshme të praktikës penale u reformuan. Para kësaj periudhe mënyrat e ndëshkimeve ishin disa llojesh si: vdekja, punë në galeri ose punë të detyruara, kamzhiku, pranimi publik i fajit etj. Siç shihet përveç kamzhikut të gjithë format e tjera të dënimit u aplikuan në periudhën diktatoriale. Ekzekutimet publike, u bën një shprehi e zakonshme për njerëzit që kishin pikëpamje ndryshe nga ai i pushtetit. Në mesjetë një formë e ekzekutimeve publike, u njihte me emrin “ceremonia e trekëmbëshit”, ose dënimi me varje. Riti i ekzekutimit publik nënkuptonte, nevojën që i dënuari të pranonte vetë fajësinë, përmes rrëfimit shpeshherë të detyruar, gjithashtu dhe publiku të bindej për fajësinë e të dënuarit, apo të kuptojë fuqinë e autoritetit (Foucault; 2010). E njëjta praktikë u ndoq edhe me varjen e poetit Havzi Nela, në prag të shembjes së Murit të Berlinit.
Njeriu i partisë dhe partia pa njerëz
Instalimi i sistemit parti-shtet, ishte shumë i rënd për vendin dhe individin. Ai në fillim u tregua si qëllim-mirë, por më vonë u ashpërsua në ekstrem. Qysh prej themelimit të partisë komuniste shqiptare në nëntor të 1941, lëvizja e Enver Hoxhës dhe të partisë së tij, kishin qenë po aq politike sa edhe ushtarake. Qëllimi i enverizmit për marrjen e pushtetit u ekspozua me kujdes, kur dukej qartë se raportet kishin ndryshuar dhe fitorja do të shkonte në favor të forcave antifashiste. Në programin e themelimit të PKSH, thuhej se “ do të përpiqej për bashkimin e të gjithë shqiptarëve pa dallim feje, krahine e ideje, kundër pushtuesit fashist dhe do të vendoste një qeveri demokratike popullore”. Vite më vonë në një radiogram që gjeneral-kolonel Enver Hoxha, me cilësinë e kryeministrit të qeverisë provizore, i dërgon gjeneral Dali Ndreut, më 17 nëntor 1944, dhe thotë:
Të organizohen burgjet dhe fushat e përqëndrimit dhe të burgosen të gjithë ata elementë të akuzuar me faje të mëdha, me tradhëti të naltë dhe bashkëpunim të hapët. Bëni kujdes. Kapni, arrestoni dhe ekzekutoni njerëz me ndikim që të bëhen shembull për të tjerët. Këta bëjnë përshtypje në popull.
Sistemi diktatorial në Shqipëri po vinte çdo ditë e më shumë duke u shtërnguar dhe po bëhej më kokëfortë dhe i rreptë. Enver Hoxha, vuante gjithmonë nga dyshimi, mosbesimi dhe paranoja. Njerëzit si Havzi Nela, iluminist, mëndjehapur, të shkolluar dhe intelektual, ishin target-grupi më i survejuar nga sistemi kanibal i krijuar nga ai. Po ky grupim individësh pa prova, pa fakte dhe pa dëshmi mund të ishin dhe cilësoheshin si armiq të popullit. Në lidhje me armiqtë Enver Hoxha, më 21 Shkurt 1951, i dërgon letër Stalinit ku shkruan:
“Armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm nuk do të arrijnë kurrë të gërvishtin dashurinë dhe besnikërinë e pakufishme që ka populli ynë për ju dhe Bashkimin Sovjetik” (Sufaj; 2012).
Me kalimin e viteve Enver Hoxha e forcoi pushtetitin e tij në maksimum, të gjithë aparati shtetëror u v´u në funksion të tij. Pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, u njëhsuan dhe kaluan plotësisht në dorën e tij. I ashtëquajturi pushteti gjyqësor kaloi nën kontrollin e tij dhe rrjedhimisht vendimet miratoheshin nga ai vetë.
Lidhur me këtë situatë në vitin 1967, me vendim nr: 57 të Byrosë Politike të Komitetit qendror të PPSH, mbi suprimimin e  avokatisë, u hoq institucioni i avokatisë, me motivin, se gjykatat dhe prokuroritë, si organe të popullit e të diktaturës së proletariatit mbrojnë ligjet e ligjshmërinë socialiste dhe të drejtat e qytetarëve, dhe se avokatia si profesion në kushtet e vendit tonë nuk shihet e nevojshme (Sufaj; 2012).
Periudha diktatoriale, ishte një nga pushtetet më të rrepta që ka përjetuar njerëzimi pas mesjetës. Institucioni i burgut dhe manipulimi i masave ishte kryefjala e asaj kohe. Individualiteti duhet të shndërrohet në ndërgjegjen kolektive të partisë-shtet dhe të idealeve komuniste. Në edukimit komunist, hyjnë në mënyrë organike, edukimi i patriotizmit socialist dhe i internacionalizmit proletar, formimi i botëkuptimit shkencor materialist-dialektik, edukimi i qendrimit komunist ndaj punës e pronës shoqërore, formimi i psikologjisë së re kolektiviste, edukimi i sjelljes së kulturuar komuniste etj (Nikolla; 2012).
Havzi Nela ishte një kritik, emancipues i edukimit qytetar dhe heretik i pushtetit. Ai çdo fjalë, mendim apo shkrim e kishte për të gjithë njerëzit e përvuajtur, të manipuluar dhe të nënshtruar. Ai nuk e jetoi jetën e tij në kohë, jeta e tij ishte para kohe, ai jetoi në kohën e ardhme. Parashikueshmëria e tij, për një të ardhme më të mirë ishte shumë e saktë. Ai nuk ishte vetëm një kundërshar i atij, regjimi, por poeti Nela në mendjen e tij kishte ndërtuar një sistem të përgjithshëm mendimi mbi shoqërinë, ai i trajton qartë si duhet të jenë raportet dhe marrëdhëniet mes familjes dhe shtetit apo shoqërisë dhe pushtetit. Nëpërmjet rrëfimeve të bashkohësve të tija poeti shprehet:
“Shpejt gjithçka ka me marrë fund. Ne do mbyllim shumë gjana dhe do sillemi si njerëz, se përndryshe nuk e merr kurr vetin Shqipnija. A lahet gjaku me gjak? Nuk lahet se bahet nji pellg tjetër gjaku që s´e lan e s´mundet me e la kurrën e kurrës të parin. Sa për Enver Hoxhën, balta e zezë shumë shpejtë ka me ia mbulue emnin, edhe në rast se ia përmend kush, ka me ia përmend me përbuzje. Punët janë për mirë. Ky regjim do të përmbyset shumë shpejt. Krejekrejt, po e ka rrëzue për tokë, ekonomia e dobët. Një skamje që me të trishtue. Shumë më keq se para vitit ´67 kur kam hy në burg. Do të hyjmë shpejt në Bashkimin Evropian. S´do ketë ma kufij, por do jenë vetëm formalë. Edhe në Kosovë kemi me hy shpejt lirisht”(Palushi; 2008).
E tillë ishte dhe poezia e tij Fryma e Helsinkit, që në atë periudhë ishte risi në krijimtarinë letrare të kohës, gjithashtu ngjalli shumë debate dhe irritim për pushtetin dhe qarqet intelektuale.
Në vitin 1967, Havzi Nela kishte reaguar haptas dhe bindshëm ndaj tre kërkesave të qeverisë, si futja në kooperativën bujqësore, prishja e kishave dhe xhamive, ndërrimi i veshjes. (Populli asht i sëmurë, tri gjylpana menjiherë nuk e shërojnë, por e shkatërrojnë).
III. Jeta në burg dhe burgu pa jetë
Poeti Havzi Nela, kaloi një jetë të përvuajtur, veçanërisht vitet e burgut e stërmunduan, lodhën dhe e dëmtuan si psikologjikisht dhe fizikisht. Torturat, presionet dhe ndëshkimi i ushtruar ndaj tij, ishin në nivele kafshërore. Ai provoi dënimin disa herë në forma dhe në situata të ndryshme. Antikonformisti politik Havzi Nela, mënyrën se si e kaloi jetën në burg mund të krahasohet, apo të merret si personazh i veprave të Dostojevskit, Cvajgut apo Sartrit. Pas ri-dënimeve të njëpasnjëshme ai u dëshpërua dhe e kaploi një ndjenjë pafuqie dhe dëshpërimi, ku shprehet: “S´po ma lan vendin me ndejtë rehat as n´Arrën. Më kanë lodhë në shpirt. Vështirë se kam jetë derisa të mbarojë internimin. Në burg kisha shokë, kurse këtu në Arrën e kam të pamundshme të kem shoqni. As me bishat sikur të due me bisedue nuk më lejojnë. Në vetmi, pa njerëzit e mi, pranë vetëmqyqe”.
Tek një i dënuar, dy janë fenomenet psikologjike torturuese që e shoqërojnë, porsa ai futet në burg. Së pari, është mungesa e privatësisë dhe së dyti, është vetmia që përjeton secili prej të dënuarve. Në asnjë institucion tjetër më shumë se në burg, nuk është e mundur që të përjetohen paralelisht të dyja këto gjendje në të njëjtin person, që në mendimin e parë, duket sikur kanë lidhje shkak-pasojë. Në fakt në veprat e autorëve të mëdhenj, që kalojnë caqet e shkrimtarëve duke u renditur në rradhën e filozofëve, psikologëve apo edhe për institucionet e ndëshkimit, të dyja këto gjendje janë bashkëshoqëruese të vazhdueshme të një të dënuari, të një të izoluari. Ja si e rrëfen Dostojevski gjendjen e të dënuarit në burg:
Më duhej të vërej kalimthi se për shkak të ëndërrimeve dhe të izolimit të gjatë ne, të burgosurve, liria na dukej si më e lirë se liria e vërtetë, domethënë se liria që ekziston në të vërtetë në realitet. Të burgosurit e hiperbolizonin idenë e lirisë reale dhe kjo është krejt e natyrshme dhe karakteristike për çdo të burgosur. Ndonjë ordonancë i shqyer e i leckosur oficerësh na dukej gati mbret, gati një ideal i njeriut të lirë në krahasim me të burgosurit, për shkak se ai nuk kishte rruar kokën, nuk kishte pranga dhe nuk e shoqëronte roja... Sa rini është varrosur më kot brenda këtyre mureve, sa forca të mëdha kanë shkuar kot këtu! Më duhet t´i them të gjitha, pa fshehur asgjë: këta njerëz janë të jashtëzakonshëm. Mbase këta janë njerëzit më të talentuar, më të fortë midis të gjithë njerëzve që përfshin populli ynë. U morën më qafë njerëz të fuqishëm, u mbytën në mënyrë jonormale, të paligjshme dhe përgjithmonë. Po kush është fajtor? Po po kush është fajtor?
Gjithashtu dhe personazhi i Cvajgut, që gjendet i izoluar në një dhomë hoteli, komunikon me veten. Fillimisht tregon ai që të mund të bëja diçka, fillova të recitoja vjersha dhe të sillja ndërmend gjithçka që kisha mësuar dikur përmendësh, këngë popullore, vjersha etj. Ashtu si personazhi i Cvajgut dhe Havzi Nela, një pjesë të madhe të jetës së tij në burg e kaloi duke shkruajtur poezi. Një pjesë prej të cilave nuk kishte ku t´i shkruante dhe u detyrua t´i mbaj në mendje për një kohë të gjatë. Letërsia ishte i vetmi mjet që ia kaloi qëndrimin e tij në burg. Por linja enveriste kishte orientim tjetër për artin dhe letërsinë, duke theksuar se: Arti vihet në shërbim të masave të gjëra popullore dhe shndërrohet në një armë të fuqishme të edukimit estetik, të edukimit komunist, të përhapjes në shoqëri të idealeve më të larta social-artistike, të idealeve estetike (Nikolla; 2012).
Poeti Havzi Nela, kishte devizën e tij të krijimtarisë, duke mos u pajtuar asnjëherë me kriteret e krijimtarisë, arsimimit apo idealeve social-artistike të asaj diktature. Kushtet e burgut ishin shumë të vështira, gjithashtu edhe sjellja e policëve dhe e hetuesve, ia vështirësonte qëndrimin e tij. Lidhur me sjelljen e të dënuarve ka shumë dëshmi nga të burgosurit, një ndër ta është dhe ai i Bedri Spahiut. Sipas Spahiut ish prokuror i përgjithshëm në vitet e para të pushtetit komunist, rrëfen se hetuesi gjatë komunikimit me të pandehurin shfaqte shenja të arrogancës, prepotencës, torturave fizike, psikike dhe simbolike. “Prepotenca është ajo gjendje në të cilën i izoluari i nënshtrohet arbitraritetit më të shfrenuar që kombinohet me një anë me masa diskriminuese, demoralizuese, zhburrnuese, provokuese, fyese e shndërruese, dhe në anët tjetër me masa që kanë për qëllim të rrënojnë shëndetin të provokojnë sëmundje dhe së fundi, të shkurtojnë jetën e të burgosurit. Spahiu dallon tre karakteristika të prepotencës. Egocentrizmi është karakteristika e parë. Ky tipar zhvillohet tek hetuesit e kohës ndjenjën e të qenit zot absolut edhe të dinjitetit personal, edhe të nderit edhe të jetës së të burgosurit. Arbitrarizimi është tipari i radhës. Ky tipar favorizohej shumë nga sistemi, pasi të gjitha hallkat e sistemit të zbulimit dhe hetimit kishin varësi hierarkike nga Ministria e Brendshme. Dhe karakteristika e tretë është animalizmi. Sipas tij, tek shumica e hetuesve prepotent mbizotëronte natyra kafshërore, ai rrëfen: “Kam njohur njerëz që kanë një nevojë të papërmbajtshme që të mundojnë njerëzit, që t´i shohin të dridhen e të përpëliten përpara tyre, e nën tortura (Bregu; 2013).
E pra Havzi Nela përjetoi mungesën e privatësisë, izolimit, torturimit, ri-ndëshkimin, kanibalizmit, animalizmit dhe në fund dënimin marramendës, kafshëror dhe mesjetar. Sot pas dy dekada e gjysëm mendimi tij ka gjetur momentin e duhur. Idealet e tij, jo vetëm duhen respektaur, por edhe të vihen në zbatim. Mendimi poliedrik i Havzi Nelës, sot është më aktual se kurr, idetë e tij janë të mëshiruara tek një shoqëri më e zhvilluar, emancipuar dhe qytetruar, ashtu siç sot janë vendet e evropës perendimore dhe më gjerë.
Bibliografi
1. Bregu Z .(2013). “Të dënuarit mes izolimit, informimit dhe nevojës për komunikim”; fq, 29, 52-60, 77.
2. Foucault M .(2010). “Disiplinë dhe ndëshkim”; fq, 64.
3. Nikolla A .(2012). “Njeriu i ri Shqiptar“; fq, 70, 120, 137.
4. Palushi P .(2008). “Kryqëzimi i Havzi Nelës”; fq 37- 44, 104.
5. Sufaj F .(2012). “Sistemi i ndëshkimeve në Shqipëri gjatë regjimit komunist 1945-1990”; fq, 58, 113.
6. Stumpf E S .(2008). “Filozofia”, Historia & Problemet; fq, 365.

.