Bajraktarët e Bajrakut të Topojanit

Lexuar 2525 here




nga Dr.Shefqet Hoxha
Bajraktari i parë që njihet me emër është Avdi Tahiri, i cili u vra duke luftuar kundër serbëve në Nish (verë 1876), së bashku me krerët Ejup Topojani e Sahit Gega.
Pas tij, qe bajraktar Zaim Hamzi, që rroku bajrakun në luftën e Nishit. Por edhe ky u vra në luftë me serbët, në Qafë të Duhlës(vjeshtë 1912).
Vendin e tij e zuri Abdyl Myrta.
Për këtë tregojnë:"Në fundin e shek.XIX u mblodh në Krue të Bardhë kuvendi i shtatë bajrakëve të Lumës me vu kararet e dheut.
Në kuvend u zunë mes vedi veqili i besës së bajrakut të Topojanit, Misin aga, me bajraktarin e Tejdrines për bjeshkën e Bërllogjit (në Kallabak).
Kjo bjeshkë kishte qenë ma parë mera e Tejdrines dhe disa malësorë të këtij bajraku kishin vra tri topojanas, prandaj Bërllogji i kaloi për gjak Topojanit.
Në këtë kuvend, bajraktari i Tejdrines i kërkoi Topojanit t'i kthejë këtë bjeshkë, bile edhe barin e shumë viteve që ish kositë aty. Misin aga ra ngusht, pse s'diti t'u përgjigjej tejdrinasve dhe kështu po rrezikohej bjeshka. Në çast i afrohet Misin agës nji djalë i ri topojanas, hismeqar në Çajë, e i lypë leje me folë.
Misin aga i dha leje me iu përgjegjë bajraktarit të Tejdrines. "Bajraktar - i tha djali- na jep tre copë katunde ( e kishte fjalën për pasardhësit e të vramëve, që do të lenin prej tyne) e na po ta japim Bërllogjin".
Kësaj fjale të mençme s'i dha dum bajraktari i Tejdrines, prandaj bjeshka i mbet Topojanit.
Për këtë që bane për bajrakun tonë (Topojanin) - i tha Misin aga djalit - kemi me të ba bajraktar. Dhe ai u ba.
Ky ishte Abdyl Myrta, i cili u vra në luftë kundër serbëve në Koritnik (shtator 1919).
 
.