Shishtaveci, popullësia, vendosja, kufizimet

Lexuar 4402 here




nga Zenulla BALA
Fshati Shishtavec ndodhet në verilindje të Shqipërisë, në lartësinë 1260 m mbi nivelin e detit. Nga veriu dhe lindja kufizohet me Kosovën nga veriperëndimi me fshatin Borje dhe Oreshkë. Më në perëndim me fshatin fqinjë Novosej, ndërsa nga jugu po me stanet e Novosejt dhe me fshatin Turaj.
Shishtaveci shtrihet buzë një kodre pothuajse shkëmbore, në lartësinë e së cilës ndodhet Kamenica me 1330 m lartësi. Poshtë fshatit, me një ulje graduale të relievit, shtrihet madhështore një fushë me bar e lule gjithfarllojesh me një sipërfaqe reth 720 ha, përmes së cilës kalon një përrua i qetë dhe me ujë të pakët që dredhon përmes kësaj fushe të bukur. Në lindje të Shishtavecit shtrihet një pllaje, që merr dhe emrin e fshatit, e cila në pranverë, verë e vjeshtë mbulohet me barë e lule dhe shërben si kullotë klasike alpine.   Vendosja e fshatit, është tepër domethënëse në mes të maleve të larta, Gjalicës (2486 m), Koritniku (2395 m), Kallabaku (2174 m) dhe kodrave e çukave të zhveshura nga pyjet. Klima në verë, ëeshtë e freskët dhe nuk i kalon +25 gradë dhe në dimër e ashpër dhe e ftohtë, që zgjat plot gjashtë muaj. Temperatura në stinën e dimrit arrijnë deri në -27 gradë në raste të veçanta.
 Erërat fryjnë nga të gjitha drejtimet, sidomos ata që fryejnë nga veriu, e ashpërsojnë klimën, pasi nuk gjejnë pengesë nga kodrat e ulëta që ndodhen në veri të fshatit.   Pyjet janë të pakta, të cilat ndodhen në jug dhe në lindje të fshatit dhe relativisht në largësi të tij. Dora e njeriut i ka prerë e shkatërruar ato sidomos në këto vitet e fundit. Karakteristikë është rritja e drurit të mështeknës, që i reziston klimës së ftohtë, por edhe ahu ëeshtë i përhapur kudo në territorin e Shishtavecit.
Nga drurët halorë rritet dëllinja, që zë një sipërfaqe të konsiderueshme të vendit.
Në këtë fshat, për periudhën e shkurtër të verës mbillet thekra, si ushqim për njerëzit dhe kafshët, elbi dhe tërshëra. Misri nuk arrin të piqet, për shkak të temperaturave të ulëta, ndaj kjo kulturë nuk kultivohet në Shishtavec.
 Vend të rëndësishëm në ekonominë e banorëve zë patatja, e cila mbillet nga të gjithë fshatarët dhe përdoret si ushqim për vete, bagëtinë dhe për tregtinë.   Nga pemët frutore kultivohet kumbulla e varianteve të ndryshme, molla, qershia, dardha etj, ndërsa nga perimet vendin kryesor veç patates e zë edhe lakra, preshi, qepa, më pak fasulja etj.
Në blegtori mbarështrohet delja rudë, lopa mistrece dhe kuajt. Dhitë janë tepër të paketa, për shkak të terrenit të zbuluar dhe pa pyje. Mushkat dhe gomerët, sot nuk gjejnë përdorim. Përeth fshatit jetojnë kafshë të egër si lepuj, dhelpra, ujqër, kunadhe, shqarth etj. Në të rrallë, gjinden edhe dhi të egra, arinj dhe kaproj.
Popullsia e sotme e fshatit është 1500 banorë. Ka një stonacion të rritjes së popullsisë apo edhe rënie, për shkak të largimit të banorëve jashtë vendit, por edhe brenda tij në drejtim të zonave të ulëta. Sot në fshat jetojnë 180 familje. Ka qenë qendër lokaliteti, qendër koperative dhe qendër komune.