Investimi i 8 milion eurove në Shishtavec

Lexuar 15007 here




nga Azem Parllaku

Ka nisur faza e parë e projektit me vlerën e 8 milion eurove, të cilat do të investohen në Shishtavec. Ky investim është pjesë e Projektit “Përmirësimi i Rrugëve Dytësore dhe Lokale”, e "Punimeve civile", që po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) me financim të Bankës Gjermane për Zhvillim, KfW - IPA 2009 dhe Qeverisë Shqiptare.

Aktualisht po punohet për zgjerimin dhe asfaltimin e rrugës që lidh fshatrat Novosej dhe Shishtavec me Pikën e Kalimit Kufitar Krushë/Kosovë. Gjatësia e kësaj rruge është 1,5 km, ndërsa gjerësia e saj do të jetë 5 m, pa përfshirë trotuaret në të djathtë dhe majtas.

 Këto ditë pritet të fillojë puna për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza në Shishtavec. Pas ndërtimit të këtij rrjeti, do të vijohet me shtrimin e rrugëve lidhëse në brendësi të fashatit, shtrim i cili do të bëhet me pllakë guri.

Projekti i cili përfundon brenda vitit, përfshin sistemin e ndricimit rrugor në Shishtavec, ndërsa restaurimi i fasadave të ndërtesave në dy anët e rrugës kryesore në këtë fshat, është një tjetër përfitim dhe gjetje nga ky projekt.

 "Vega Construction Group", një kompani me përvojë në fushën e industrisë së ndërtimit, e cila është përzgjedhur për t'a zbatuar projektin, ka dërguar personelin që do të udhëheqë punimet, makineritë dhe pajisjet, që do të përdoren deri në përfundim të investimit. Kantieri ku do të përqëndrohet fuqia punëtore, makineritë dhe pajisjet, po instalohet në anë të kryqëzimit të rrugës Novosej-Shishtavec-Borje.

 Pas asfaltimit të rrugës Kukës-Shishtavec në vitin 2015, ky është investimi më i madh në këtë zonë, i cili jo vetëm e përmirëson infrastrukturën, por dhe i shërben punësimit të përkohshëm të banorëve vendas.

 Ndërsa me finalizimin e projektit pritet që, Shishtaveci të grishë ndryshe vizitorët, të cilët gjithnjë e po bëhen më të shumtë, teksa po këtë vit, me rehabilitimin nga ana e Qeverisë së Kosovës të rrugës Krushë-Pika e Kalimit Kufitar Shishtavec, fluksi i njerëzve dhe mallrave nga dy anët e kufirit administrativ të dy shteteve shqiptare, do të pësojë rritje.