Qytetarë të mirë në kohë të këqia

Lexuar 907 here




nga Ben BLUSHI
Këto ditë kur mijëra shqiptarë janë nën kërcënimin e motit, të rrezikuar nga ngricat, nga epidemitë, nga mungesa e ngrohjes,e ushqimit dhe ilaçeve shteti duket më i dobët se kurrë.
Depot e tij janë bosh, nuk ndahen ndihma për të varfërit, nuk ka menca dhe fjetore popullore ku mblidhen të pastrehët apo njerëzit e rrugës, nuk ka ndihmë për të moshuarit, zemra e të cilëve i ndjen më shumë temperaturat e akullit.

Megjithatë shteti nuk zëvendëson dot shoqërinë. Nga natyra shteti është i ashpër, shoqëria është e butë. Shteti është i prerë shoqëria është poroze. Shteti është i ftohtë, shoqëria është e dhimbsur. Në ditë si këto provohet solidariteti i një shoqërie. Ne duhet të kishim vullnetarët tanë pra njerëz të cilët të koordinuar nga bashkitë apo rrjetet e bamirësisë me vullnet të lirë sot do ishin duke shpërndarë ndihma, ushqime, veshje, ilaçe, transport, ngrohje dhe dashuri.

Sa e mirë do dukej shoqëria jonë sikur të kishte kaq shumë Qytetarë të Mirë ose Shërues të Fatkeqësive. Jam i bindur që ata janë. Ndoshta me mijëra. Por askush nuk i thërret. Askush nuk i koordinon. Askush nuk i kërkon ndihmë. Unë mendoj se çdo fatkeqësi, çdo epidemi dhe çdo emergjencë kalon më shpejt me ndihmën e Qytetarëve të Mirë.

Këta njerëz duhet te kenë status dhe të mbrohen nga shteti. Ata na e bëjnë jetën më të lehtë dhe vrasin individualizmin si epideminë kryesore të kohëve tona. Jam i bindur që sot seicili prej jush do donte të ishte një Shërues Fatkeqësish. Cështja është që askush nuk ju kërkon. Jeni vetëm edhe kur doni të bëni mirë. Jeni Qytetarë të Mirë në kohë të Këqia!