Fshati Topojan

Lexuar 4725 here
Topojani




nga Kapllan Ahmetaj
Topojani është një nga fshatrat veri-lindore të Republikës së Shqipërisë në koordinatat gjeografike 41 º 59´ 30” në veri dhe 20º 31´18” në Jug. Topojani ka një reliev të thyer kodrinor-malor, me male të larta të veshura, pllaja , bjeshkë dhe livadhe. Topojani shtrihet në lindje të Kukësit. Në lindje (L) kufizohet me, me fshatrat Kollovoz, Shtreze, Novosej. Në jug (J) dhe jug-pernëdim (JP) kufizohet me fshatin Buzmadhe. Në perëndim (P) ngrihet madhështor Mali i Gjalicës (2468) m, deri në kufi me Tërshenën, ndërsa në pjesën veriore dhe veri-lindore (VL) , perballë me malin e Pikellimies “Koritnikut” kufizuar me fshatrat Oreshk, Carnalev, Orcikel dhe Lojme. Topojani i përket një zone të pasur ujore me shumë burime, të cilat në një reliev kryesisht të thyer formojnë dhe Lumin e Topojanit, siç njihet nga vendasit (Reka e Topojanit). Ky lum ndan përgjysmë grykën shkëmbore të Vanave i krijuar nga bashkimi i dy degëve kryesore, reka e Shtrezes me burim nga bjeshkët e Kallabakut dhe degës kryesore me burim nga bjeshkët e Okzherit e deri në Krue te Kuq. Gjarpëruese e lumit është dhe rruga nacionale Kukës-Topojan përmes grykës së vanave, një rrugë që ndan në gjysëm dy nga malet më të larta të Kukësit “Mali i Gjalicës (2468 m)” dhe “Mali i Koritnikut”(2397 m). Shkembinjtë e saj i përkasin kohës së Neogjenit të cilat kanë qenë të mbuluara nga Liqene me ujë, gjë që pasqyrohet shumë bukur nga shtrirja e grykes së vanave duke krijuar “Kanione” të mrekullueshme dhe që ngjallin kureshtje për shumë nga udhëtarët apo vizitorët fshatrave përreth, veçantia e shkëmbinjëvë të thepisur e karakteristik, bën që udhëtimi të zgjojë adrenalinën e frikës dhe madhështisë së krijuesit, Zotit te Gjithesise. Jo dhe shume pa habi e përjetojnë edhe banorët e përditshëm të asaj grykë-rruge që vazhdojnë të shkelin nën hijen gurëve kacavjerrës dhe shkembinjëvë gjigand sikur të ishin vendosur nga dora enjeriut, forma nga më të larmishmet, shpella, çarje masivesh shkembore nga më të pabesueshmet ku vetëm shqiponjat krahëgjatë kanë ngritur në shekuj foletë me pushtimin e tyre.