Uka që spërkat Shishtavecin

Lexuar 1857 here




nga Azem PARLLAKU
Një frymë e pastër realiste, pa mbingarkesë spikat në këtë pikturë të autorit Zyrafet Uka, një punim ky që, përshkon një ndjenjë e hollë artisti. Në penelin e punës frymëzuese, shumë qartë shquhen bashkërendimi me saktësi i bukurisë me harmoninë e të gjitha linjave kompozicionale artistike të punës mbi telajo.

Penel i hedhur me delikatesë dhe finesë artisti, që i nënshtrohet mendimit të pjekur, e që buron nga galeria e pasur e shpirtit të edukuar për art. Detaje deri në imtësitë më të vogla të elementëve të tablosë, si boshti i idesë së realizimit të kompozicionit artistik.
Kjo pikturë qëndron elegante, plot dritë, tejdukshmëri, e përpunuar në ngjyrë dhe të bën për vete, mbasi është tërësisht autoktone. Kudo në motivet e saj, ndihet drita, ajri e jeta e Shishtavecit.

Zyrafet Uka ka ditur të dëshmojë, se zgjidhja klasike e harmonisë së përkryer nuk është e vetmja zgjidhje që mund të mendohet, mbasi thjeshtësia e natyrshme është njëra rrugë për të arritur bukurinë. E në këtë plan dhe këndvështrim, për dashamirësit më të rafinuar të artit, ngjyrimi me penel artistik ka edhe rrugë të tjera më pak të drejtpërdrejta për të arritur efekte tërheqëse me plot sukses.

Arti i skalitur buron nga dashuria për vendlindjen dhe artin popullor, art i cili përcillet deri te ne me një talent befasues e profesionalizëm. Me këtë pikturë dekorative e ornamentale, piktori ynë Uka shpalos magjinë e artit të tij. Piktura e Ukës është e mbërthyer me vizatim të saktë, e shoqëruar me një ngjyrë shpërthyese, duke futur hijshëm motivet kombëtare të zonës. Në kompozimin e tij autori duket mjaft i thjeshtë, por është thjeshtësi e lindur nga një njohje artistike e thellë. Vetëm një njohje e tillë mund të gjallë këtë vegim nostalgjik.