Mulliri

Lexuar 2298 here




nga Besnik EMINI
Dukur moti jeta e njerëzve do të ishte e paimagjinueshme pa to. Ato ishin gjithmonë në një largësi të përballueshme lehtë, që i bie se çdo vend i kishte të vetët. Askush nuk dinte gjë kur ishte ndërtuari i pari, kush e kishte ndërtuar, në cilin vend ishte ndërtuar dhe gjëra të tjera që mund të zgjeronin njohuritë për këtë gjë. Nga ana e jashtme dukeshin të çuditshëm, mbase edhe misteriozë.

Atje shkohej vetëm me punë, e asnjëherë kot sa për të kaluar kohën ose për të parë çka ndodhë. Për mullinjtë e vjetër kujtime ruajnë vetëm ata që i kanë shfrytëzuar shërbimet e tyre. Objekte të vogla, të vendosura kryesisht në rrjedhë të lumenjve ose rrjedhave të ujërave, energjia e të cilave i furnizon me fuqi gurët e mullinjve. Jeta e njerëzve vite më parë ka qenë e pandarë nga këto “institucione” të bukës. Mulliri në jetën e njeriut të dikurshëm ka simbolizuar kurorëzimin e një punë të mundimshme – prodhimin e ushqimit. Vajtja në mulli për ta bluar drithin ose grurin ka nënkuptuar shndërrimin e punës disamujore në miell, domethënë në bukë. 

Në kohën e sotme mullinjtë na dëshmojnë për ekzistimin e një kohe jo të largët, kur nuk ka pasur makina të ndërlikuara, procese të lidhura prodhuese, e kur jeta ka qenë e organizuar me mjete dhe pajisje të rëndomta, pa industri, e kur artikujt nuk kanë pasur as datë prodhimi e as datë skadimi, mos të flasim për orën dhe minutat e prodhimit dhe të skadimit që sot torturojnë aq shumë konsumatorët. Vlefshmëria e përdorimit është përcaktuar me vlerësim personal.

Mullinjtë e vjetër sot flasin më shumë me heshtjen e tyre, por edhe me mungesën e tyre, si përmendore të pazakonshme që i janë kushtuar kohës së kaluar. Mulliri është njëri ndër krijimet më të hershme të njeriut. Ai është i lidhur ngushtë me periudhën e kultivimit të kulturave drithore dhe prodhimin e bukës. Megjithatë, edhe ai është transformuar. Në fillim ishte mokra e dorës ose “mulliri” primitiv, respektivisht një gur i rrumbullakët i vendosur mbi një gurë të rrafshët, që ka shërbyer më shumë për të shtypur grurin sesa për të bluar. Më vonë njeriu krijoi gurët që rrotullohen me dorë e që bluanin vrazhdë. Pastaj erdhi duke u përsosur mulliri që bluante duke shfrytëzuar energjinë e ujit, për ta lehtësuar punën e njeriut, për ta shpejtuar kohën e bluarjes...

Njeriu i bëri mullinjtë në formë të shtëpisë, më saktësisht të shtëpisë së vogël, që nga jashtë ngjante si shtëpi me çati. Mulliri, përveç çatisë, ka pasur edhe elemente të tjera që i kanë ngjarë shtëpisë, derë, dritare, vatër zjarri, madje edhe kthinën për të fjetur. Jo çdo shtëpi në të kaluarën ka pasur mulli, por çdo shtëpi ka mundur të bluajë grurin dhe drithin në mullirin më të afërt. Për shërbimin e bërë mullisi është dashur të shpërblehet, por jo me para, të cilat çdoherë u kanë munguar banorëve. “Pagesa” për punën e bërë është bërë me miell, i cili është në sasi të mjaftueshme kur bluhet, vetëm kur bluhet.

Nga mullinjtë, përveç miellit të bluar, kanë dalë edhe rrëfime të pazakonshme, madje edhe rrëfime mitike. Vajtja në mulli dikur ka pasur kuptimin e triumfit të  njeriut në betejën e mbijetesës dhe të bashkëjetesës së njeriut me natyrën. Për mullirin dhe prodhimin e tij – miellin, janë krijuar shumë thënie që kanë qarkulluar me vite të tëra në mesin e njerëzve. Ndër to më të rënda për t’i dëgjuar janë: “Mos mbetsh pa miell në magje” dhe “Me miell të lypur nuk mbahet shtëpia”.

Kur dikush gjatë bisedës nuk ka dëgjuar me vëmendje dhe kur ka pyetur edhe njëherë bashkëbiseduesin ta përsëritë atë që e ka thënë, gjithmonë e ka pritur në pusi fjalia kujdestare: “Në mulli flitet dy herë”, duke aluduar që atje tolerohet përsëritja e fjalëve për shkak të përzierjes së zhurmës së ujit dhe gurëve të mullirit. Në mulli e kanë zanafillën shumë përralla, heronjtë e të cilave shpesh “përlyhen” me miell për t’i fshehur tiparet e natyrshme, duke përdorur miellin për të kamufluar veten. E këtillë është përralla e ditëve të para shkollore, ku ujku – për t’u futur në kasollen e edhave – i ka mbuluar këmbët me miell në mulli duke pretenduar që është gjyshja e edhave.

Në mesin e njerëzve gjithmonë ka pasur të tillë që kanë rënë në sy për shkak se janë kujdesur vetëm për interesin e vet. Për njerëzit e këtillë gjithmonë është thënë se: “E çon ujin te mulliri i vet”, ndërsa ata që kanë dashur ta marrin fjalën gjatë një bisede kanë thënë: “A bën ta marr pak ujin unë?”. E kur jemi te biseda dhe inkuadrimi në bisedë, për ata që kanë qëndruar të pranishëm në ndonjë ndejë e që nuk kanë thënë asnjë fjalë u është thënë: “Drithë e solle, drithë do ta kthesh”, duke lënë të kuptohet që erdhe në mulli e nuk blove gjë. Ata që kanë folur tejmase, në fund e përmbyllin duke thënë: “I rrafshuam dhëmbët si gurë mulliri”. Kur skajeve të rrugëve dhe shtigjeve të ndryshme shfaqeshin buklat, këto gjallesa numri i të cilave sot është reduktuar tejmase, me urdhër nga më të moshuarit detyrimisht duhej të shqiptohej fjalia: “Bukël, bukël, në mulli shko e ha një shosh me mi”. 

Në një periudhë që i binte të jetë fund vere dhe fillim vjeshte m’u shfaq mundësia ta vizitoj për herë të parë një mulli. Viti nuk më kujtohet, sepse për arsye praktike nuk kam mbajtur ndonjë shënim kronologjik, ndërsa mullisi nuk kishte treguar kujdesin e duhur të farkëtoj ndonjë kalendar në muret mullirit të tij. Gjyshi e kishte ngarkuar karrocën me thasë të mbushur me grurë.

Kjo ishte një pjesë e grurit, sepse pjesa tjetër duhej ta luante rolin e rezervave strategjike për dimrin e gjatë. Nga përvojat e fituara kushedi gjatë sa e sa viteve, asnjëherë nuk bluhet i tërë gruri që posedohet, sepse mielli mund të myket e të prishet në qoftë se nuk harxhohet shpejt. Mullirin e kisha hasur të përmendet edhe në Abetare, në librin legjendar, kur kishim arritur te shkronja “Th” e ku flitej për “Thesin”, që ta bënte me dije se pa thes nuk shkohet në mulli. Kështu, teoria duhej përmbushur me praktikë. Meqenëse qendrat tregtare ende nuk ishin ndërtuar, e as lejet për ndërtimin e tyre nuk ishin parashtruar, vajtja në mulli ishte tejet sfiduese.

Komunikimi “zyrtar” mes gjyshit dhe mullisit ishte i shkurtër dhe kishte të bëjë me kohën kur duhej të vijë ta marrë miellin. Pas matjes së grurit, ai shënoi në një copë druri me numra romakë kilogramët e thesit dhe më pas e çau me thikë në dysh këtë copë druri, duke e lidhur njërën copë për thesi e tjetrën ia dha gjyshit. Ky dru quhej “rabush”. Tanimë asnjëra prej palëve nuk mund të shtonte as të hiqte shënimet dhe për ta marrë miellin duhej dorëzuar ky “dokument”, që duhej të përputhej me copën e çarë e të mbetur në thes. Mullisi bëri edhe një shërbim shtesë, më peshoi edhe mua.

Duke dëgjuar biseda të hershme, kam dëgjuar një shprehje të çuditshme që bënte fjalë për mbytjen e miellit. Sipas rrëfimit, kjo ndodh kur në grykën e gurëve të mullirit lëshohet më shumë grurë ose drithë sesa që mund të bluajnë gurët e mullirit, e që janë lëmuar tejmase nga bluarja. Madje një dukuri tjetër e kundërt me atë të mbytjes së miellit ka qenë kërcëllitja e bukës, dukuri që është shfaqur pas bluarjes së parë pasi është nkepur (vrazhdësuar) sipërfaqja e grurit blojtës me çekan të posaçëm, ku grimcat e imëta të gurit kanë depërtuar në miell.

Kur fushave filluan të ndërtohen godina të larta të quajtur mullinj elektrikë, filloi shuarja e mullinjve të vjetër me ujë. Atëherë në bisedat e dhomave të mbytura me tym duhani filluan të zhvillohen debate të rënda se më nuk e hamë bukën tonë, por të huajën, ndërsa tonën të tjerët, sepse atje, te mullinjtë e rinj shkohej njëherë, kur çohej gruri dhe merrej menjëherë mielli i gatshëm – mielli i shtetit.

Sot shumë vende e mbajnë emrin “Mulliri i vjetër”, megjithëse aty as uji ngutet të kalojë me shpejtësi e të rrotullojë rrotullën e gurëve, e as njerëzit që kalojnë aty nuk i përsërisin fjalët dy herë. Mullinjtë e vjetër dergjen të dërmuar, ndërsa rreth tyre janë shpërndarë reliktet si një dëshmi që aty dikur janë rrotulluar gurët e tyre, të ndërtuar nga mjeshtër që nuk merreshin me licencime, patentime dhe brendime të punës së tyre. A thua vallë i vrau buka e miellit të tyre apo refuzuan ta bluajnë grurin dhe drithin e huaj?