Në Kukës ka hy serbi

Lexuar 1513 here




nga Arthur A. Kurtallari
Ndodhi ajo që pritej. Pushteti i pabesë i neo-diktaturës i përbërë nga bijtë e rrënuesve të atdheut tonë, të krijuar si parti me ndihmën e sllavëve në 1944, tinëzisht, në shkelje të çdo procedure civile dhe penale sulmoi barbarisht shtëpitë e kuksianëve duke rrëmbyer njerëz pa asnjë hetim, asnjë paralajmërim, asnjë fletë arresti.

Pikërisht këtë bënin serbët këtyre anëve në vitet e para të shekullit të kaluar në Lumën e Kukësit, pikërisht këtë bënin terroristët serbë në luftën e Kosovës. Shqyenin dyer, terrorizonin, rrëmbenin, dhe zhduknin nga qarkullimi burrat që i kishin frikë. Pikërisht këtë bënë gjatë natës trashëgimtarët e regjimit komunist në Kukës, duke rrëmbyer dhe zhdukur, për t'i mbajtur të izoluar ata bij nënash të varfër, por që me lakun në fyt tërbohen e bëhen luanë.

Sot në Kukës nuk ka më demokratë, as socialistë, as republikanë. Ka vetëm njerëz të terrorizuar pse refuzojnë të vdesin prej barbarisë së të pangopurve.

Ky pushtet një vit më parë dekoroi me medalje djalin e Shefqet Peçit, birin e vrasësit më të madh të diktaturës. E vrasësit të pabesë të 21 burrave të pafajshëm në Buzmadhe të Kukësit dhe mijërave të tjerëve, sepse nga këtu i rrezikohej pushteti diktatorial i mëkëmbur nga shpura komuniste sllave.

Në fotografinë më poshtë kemi protestën dhe shkatërrimin e Tiranës nga banditët që dogjën për të ardhur në pushtet, ndërsa dje u dogj me të drejtë kufiri i padrejtë i robërisë dhe varfërisë. Këta që dogjën dje nuk aspirojnë as të vijnë në pushtet, as të japin me konçension veprat publike, e as të privatizojnë bregdetin. Këta duan të jetojnë dhe të ushqejnë familjet e tyre.

Më besoni, në Shqipëri nuk ka më popull demokrat, as socialist. Edhe në pushtet nuk ka as parti socialiste, as demokratike. Në Shqipëri sot janë dy lloje klasash shoqërore. Ka shqiptarë të varfër, pasuritë e të cilëve janë plaçkitur, shkatërruar dhe falur tek shfrytëzuesit  mizorë që me gjuhën diplomatike quhen konçensionarë, dhe një klasë politike që nuk është as e djathtë as e majtë, por e destinuar për ta grabitur gjithçka që është publike.

Ndaj mos lejoni t'ju them të mos fyheni nga ata që kanë zënë një kolltuk pushteti dhe dalin e flasin në emër të ligjit që e shkelin vetë, por ngrihuni, nga të gjitha anët dhe bashkohuni me familjet kuksiane, për të protestuar, e për të çuar deri në fund vallen e bukur të Kukësit, vallen që kërcehet kudo dhe i ka hapat e rëndë!

Kuksianët sot kanë nevojë për mbështetjen e studentëve të vjedhur prej tarifash të larta, të naftëtarëve të papaguar, të minatorëve të zënë poshtë nga shembjet e galerive, nga shkodranët, lezhjanët, fierakët e përmbytur, nga durrësakët e zënë poshtë nga betoni, nga dibranët e mashtruar të rrugës së Arbrit, nga bregdetasit e pronave të vjedhura, nga bujqërit e mallrave të kalbur, nga emigrantët e mbytur në gomone, nga fëmijët e trahanasë dhe tërshërës, nga pronarët e makinave me goma të çara rrugëve me gropa, nga të gjithë shqiptarët e përjashtuar nga e drejta për të jetuar e vendosur për jetën e tyre! Dita është sot!