Masakra në Buzëmadhe, 75 vjet nga ngjarja që përgjaku Lumën

Lexuar 1676 here




nga Aledin SPAHIU

Në fillimin e vjeshtës së vitit 1944, epërsia e forcave partizane ndaj atyre nacionaliste në Shqipëri ishte e dukshme. Hovin më të madh, trupat komuniste e morën prej tërheqjes së trupave gjermane nga Ballkani. Europa ishte “zhytur” e tëra në luftë dhe një fitore e bolshevikëve të Stalinit në frontin lindor ishte e sigurtë.

Ndërkohë brigadat komuniste e kishin futur jugun e Shqipërisë nën terror me këshillat nacional-çlirimtarë vendorë dhe njëkohësisht ndërmorën një mësymje të madhe drejt Veriut, si Shkodër, Dibër e Lumë. Këtë lëvizje strategjike, komanda komuniste e justifikoi me luftën kundër reparteve të fundit të ushtrisë gjermane që kishin mbetur në Veri.

Në të vërtetë, shtabi komunist i ndihmuar edhe prej shërbimeve të fshehta të huaja e dinte mirë se forcat gjermane ishin në tërheqje, prandaj mundësia që të konfrontoheshin me to ishte shumë e vogël. Po qëllimi i tyre ishte krejt i zi. Duke hedhur disa bomba e duke zbrazur disa pushkë kundër gjermanëve në ikje e sipër, komunistët donin të rrëmbenin flamurin e fitimtarit, ose thënë ndryshe, atë të mbajtësit të pushtetit të nesërm. Ky inkursion lidhej me luftën e shpallur ndaj të ashtuquajturve “tradhtarëve dhe bashkëpunëtorëve të armikut”, gjë që do të mundësonte luftë deri në vdekje ndaj nacionalistëve shqiptarë.

Emisarët jugosllavë Dushan Mugosha e Miladin Popoviç që në fillim patën nxitur vëllavrasjen mes shqiptarëve. Padyshim ky plan kishte bazë të mirëfilltë, të mirëideuar dhe dirigjuar në Beograd, duke nxitur armiqësinë mes komunistëve dhe nacionalistëve shqiptarë e cila arriti kulmin e saj, me Konferencën e Mukjes. Kjo ngjarje, përfundimisht i vuri shqiptarët kundër njëri-tjetrit. Një sërë vrasjesh të nacionalistëve të shquar, në përplasjen e hapur midis vëllezërve të një gjaku, e pasuan atë.

Pyetja që ngrihet është se përse u dërgua në Lumë Brigada V-të Sulmuese? Së pari, qëllimi primar ishte të thyente reputacionin e nacionalistit Muharrem Bajraktari. Së dyti, donte të shuante deri në eleminim fizik forcat nacionaliste të Lumës. Drejtuesi i Brigadës V sulmuese Shefqet Peçi bëri disa tentativa për të bindur patriotin Muharrem Bajraktari dhe bashkëluftëtarët e tij që të bashkëpunonte me ta. Muharrem Bajraktari ishte i mendimit që kundër pushtuesit të luftohej veçmas e në fund do të ishte populli që do të vendoste për pushtetin e tij.

Kjo qasje që kishte Bajraktari binte ndesh me qëllimet politike të udhëheqjes së Partisë Komuniste dhe direktivat e themeluesve jugosllave të kësaj partie, Mugosha e Popoviç. 

Nga ana tjetër vlen për t’u theksuar se partizanët e brigadës së V-të sulmuese janë pritur sipas traditës nga populli dhe nga nacionalistët e Lumës, që ishin të shumtë në numër por mbi të gjitha të sprovuar në luftë. Duhet veçuar fakti se ditën e Bajramit partizanët kërkuan në Lusën që djemtë e këtij fshati të hynin në radhët e tyre. Patrioti, burri i urtë që kishte udhëhequr betejat e lumjanëve në luftërat për liri e pavarësi kombëtare nga fshati Lusën, Ramadan Çejku, u bëri me dije se djemtë do të dilnin partizan vetëm pas festës së Bajramit. 

Fatkeqësisht kur populli po shkonte për të falur Bajramin në xhami, komunistët sulmuan pabesisht. Ky ishte një bidat që s’kishte ndodhur ndonjëherë në traditën e popullit shqiptar. U zhvilluan më tej disa orë luftime ku mbetën të vrarë dhjetëra banorë të fshatit e partizanë, vëllezër të një gjaku e të një gjuhe. Më pas partizanët me në krye Shefqet Peçin, të rënë moralisht i drejtohen fshatit Buzëmadhe, ku gjetën mikpritjen dhe bujarinë e banorëve.

Por ajo që ndodhi më pas ishte e kobshme. Sheqet Peçi me harbutërinë e tij do të kryente masakrën famëkeqe mbi këta fshatarë të ndershëm e patriotë që s’kishin asnjë faj. Kështu, në mbrëmjen e datës 25 shtator 1944 forcat partizane u mblodhën në stanet e fshatit sikur do të vazhdonin të nesërmen rrugën drejt trevave të Kosovës. Më 26 shtator, para se të largoheshin, partizanët e Brigadës V kërkuan që banorët t’i bashkëngjiteshin kolonës partizane për t’u tubuar te Kroi i Bardhë, ku do të lidhej besa për të qenë njëzëri kundër pushtuesve. Banorët e kuptuan se diçka nuk shkonte por ishte tepër vonë, sepse u veçuan prej partizanëve dhe u çarmatosën brenda pak minutave.

Provokimet e drejtuesëve të Brigadës V filluan me pyetjet se kush e kishte vrarë një partizan nga radhët e tyre. Komunistët këmbëngulnin duke kërkuar të gjendej fajtori. Këtë situatë e nuhati i pari patrioti Dan Lala, i plagosur tri herë në luftë me serbët, mik shtëpie me Miftar Spahiun dhe Muharrem Bajraktarin. Dan Lala mori fjalën duke sqaruar situatën me gjakftohtësi dhe kur kuptoi qëllimin e errët të tyre tha “Mos i merrni në qafë, ata s’kanë asnjë faj dhe nëse doni, unë bëhem kurban i këtyre burrave”. Edhe thirrja e këtij burri nuk zgjidhi gjë, sepse Shefqet Peçi e kishte planifikuar me kohë masakrën. Disa partizanë u shfaqën befas përballë banorëve duke qëlluar mbi ta pa paralajmërim. Dora e mallkuar vrastare e komanduar prej Peçit i shtriu në tokë burrat fisnikë të Buzëmadhes.

Burri i urtë, drejtues në betejat dhe kuvendet e Lumës, Ramdan Çejku do ta përshkruante kështu këtë masakër: “Shefqet Peçi dhe enturazhi i tij barbar e “shpërblyen” bukën dhe besën e lumjanëve me pabesi, vrasje e pushkatime”. Më vonë u kuptua qartë se qëllimi kryesor ishte që brigada partizane të depërtonte në Kosovë për të luftuar nacionalistët shqiptarë për t’u hapur rrugë brigadave partizane jugosllave për të hyrë në Kosovë.

Këta patriotë-martirë, që u pushkatuan mizorisht prej Shefqet Peçit, u cilësuan edhe armiq të pushtetit komunist. Një pjesë e familjarëve të këtyre martirëve, arritën të arratisen në vitet 1950-51 në Kosovë e Gostivar. 

Edhe në vitet pas ndryshimit të regjimit, kjo ngjarje nuk u dënua me rreptësinë që meritonte nga e gjithë elita poltike. Shqiptarët dhe elitat e tyre njëzëri duhet të dënojë krimin pavarësisht se ku dhe kur ka ndodhur ai.