Lidhja e Prizrenit dhe konsolidimi i entitetit politik

Lexuar 2558 here




nga Mentor BEQA
Pjesë e shkëputur nga punimi në mbrojtje të gradës shkencore Doktor

Lëvizja kryesore në kushtet kur pritej rishikimi i traktatit të Shën Stefanit ishte Lidhja e Prizrenit e cila u mblodh më 10 Qershor 1878. Qëllimi themelor ishte pengimi i ndarjes së trojeve me banim shqiptar të zotëruara nga perandoria Osmane ndërmjet shteteve kombëtarë ballkanike të njohur nga traktati i Shën Stefanit (Bullgari, Mali i Zi, Serbi). Në këtë pikë kishte konvergjencë ndërmjet interesave të perandorisë Osmane dhe interesave të veprimtarëve shqiptarë. Por interesat e palëve nuk pajtoheshin deri në fund. Në kushtet kur të drejtat e popullsive ortodokse ishin përdorur si faktori themelor i ndërhyrjes së Rusisë në mbështetje të shteteve të Ballkanit, perandoria Osmane kërkonte një faktor ekuivalent për ta përdorur si mjet presioni dhe negocimi me Fuqitë e Mëdha; ky faktor ishte popullsia myslimane në Ballkan. Të dyja palët kishin për objektiv mbijetesën; por mbijetesa e njërës nuk presupozonte mbijetesën e tjetrës. Lidhja e reflektoi gjatë punimeve dhe në dokumentet e prodhuar nga ajo këtë mospërputhje interesash ndërmjet veprimtarëve shqiptarë që kërkonin t’i jepej Lidhjes karakter kombëtar dhe nxitësve osman të Lidhjes që donin ta përdornin si mjet presioni për të ruajtur mbijetesën e perandorisë në Europë. Në këtë kuptim asnjë nga pretendimet e hasura në historiografi se Lidhja ishte organizimin i Portës së Lartë në një anë apo se ajo ishte organizim tërësisht shqiptar nga ana tjetër, nuk qëndrojnë. Lidhja ishte produkt I përputhjes së interesave të të dyja palëve; fataliteti i saj ishte se interesat nuk përputheshin deri në fund. Kjo reflektohet në dokumentet hibride që prodhoi Lidhja e Prizrenit. Letra dërguar Kongresit të Berlinit parashtronte mospajtimin e Lidhjes me shkëputjen e krahinave osmane të banuara nga popullsi shqiptare në favor të shteteve kombëtare të formuar në Ballkan. Në Kanunin e Lidhjes me emërtesën kararname thuhej se qëllimi i Lidhjes ishte të mbronte tërësinë territoriale të perandorisë Osmane. Në peticionin dërguar perandorisë Osmane kërkohej që të mos lëshohej asnjë territor i banuar nga shqiptarët në favor të vendeve fqinje. Programi i autonomisë i synuar t’i bashkohej peticionit dërguar Portës së Lartë – me të cilin kërkohej krijimi i një vilajeti të bashkuar dhe autonom në territoret ku banonin popullsi etnike shqiptare – nuk iu dërgua Portës së Lartë për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme të Lidhjes. Në kushtet kur Lidhja nuk kishte të arritur të adresonte çështjen shqiptare si çështje politike kombëtare, veprimtarë të tjerë mendonin se kjo çështje mund të adresohej më së miri nga një prej Fuqive të Mëdha e përfaqësuar në Kongresin e Berlinit. Dokumenti shqiptar më përfaqësues që kërkonte të adresonte çështjen shqiptare në Kongresin e Berlinit është ai drejtuar Lordit Biconsfild (Benjamin Disraeli, kryeministri I Britanisë së Madhe) nga një grup qytetarësh të Shkodrës (me gjasa i shkruar nga Pashko Vasa). Memorandumi shpreh dy ide madhore: së pari, që Shqipëria ishte një barrierë natyrale për pengimin e ekspansionit rus në Mesdhe; dhe së dyti që fluiditeti i faktorit shqiptar në Ballkan krijonte premisën për paqëndrueshmërinë e paqes në Ballkan. Autorët e memorandumit propozojnë që Britania e Madhe të marr nën kujdestari çështjen shqiptare në Kongresin e Berlinit për shkak se asnjë fuqi tjetër e madhe –pa interesa të drejtpërdrejta në Ballkan – nuk ishte më shumë e interesuar se Britania e Madhe që të sigurohej “që perandoria Osmane nuk do të zëvendësohej në Lindje nga një regjim edhe më i tmerrshëm”. Ata e shihnin Austrinë në konflikt interesi për shkak të ambicies së saj për ta transformuar Adriatikun në një liqen të vetin “duke shtrirë sundimin e saj nga Trieste në brigjet e Shqipërisë”. Rusia nga ana tjetër përbënte rrezikun themelor prandaj “Britania e Madhe ka interes madhor për të krijuar një kordon të pathyeshëm për të kontrolluar avancimin e pushtimit sllav drejt Adriatikut”. Autorët e memorandumit janë të bindur se përpjekja me anë të traktatit të Shën Stefanit për krijimin e shteteve jo-homogjen kishte synim të drejtpërdrejt të zëvendësonte “supremacinë Osmane me supremacinë Ruse”. Prandaj ishte e dukshme se Rusia synonte të “sundonte në Traki dhe në Bosfor me anë të Bullgarisë dhe në Shqipëri e Adriatik nëpërmjet Malit të Zi. Duke qenë zonja e dy deteve ajo do të bllokonte të gjitha rrugët e hyrjes së perëndimit në lindje”. Ata i kujtojnë kryeministrit të Britanisë së Madhe se “nga pikëpamja politike, nuk duhet harruar se vetëm Shqipëria është e destinuar të shërbejë si pengesë natyrale ndaj pushtimeve sllave” ashtu siç kishte shërbyer më parë për të penguar zgjerimin osman. Nga ana tjetër, memorandumi përpiqet të bind kryeministrin anglez se shqiptarët janë komb i veçantë dhe gëzojnë të drejtën historike të vetëqeverisjes pasi veçantinë e tyre e kanë mbrojtur dhe dëshmuar me luftë. “Nga brigjet e Bunës në portat e Janinës ka një popullsi kompakte dhe homogjene me tipare dhe identitet kombëtar të përbashkët.” Ata janë të ndryshëm nga fqinjët sllav dhe nga grekët me të cilët nuk u përzien asnjëherë, pavarësisht ndikimit të identitetit të përbashkët fetar. “Ashtu siç nuk jemi turq dhe nuk dëshirojmë të jemi turq, po ashtu kundërshtojmë me të gjithë forcën tonë çdokënd që dëshiron të na bëj sllavë, austriakë ose grekë. Duam vetëm të jemi shqiptarë.” Memorandumi shprehet se nuk mund të ketë rend dhe qytetërim në Lindje nëse shpërbërja e perandorisë Osmane nuk zëvendësohet nga krijimi, në një formë të re, e kombeve që e përbenin atë. “Përderisa Shqipëria është një komb i vetëm” – thotë memorandumi – “sa i përket racës, gjuhës, traditave, historisë dhe të gjithë elementëve përbërës të identitetit kombëtar, ka të drejtën të trajtohet si një trupë e vetme, ashtu siç është në të vërtetë, dhe të organizohet në formë të unifikuar me një qeveri të vetme”. Memorandumi po ashtu bën të qartë se pavarësisht se shqiptarët nuk janë të organizuar në një qeveri të vetme – dhe në vend mbretëron anarkia – ajo është në gjendje që me popullsinë e saj prej një milion e pesëqind mijë banorë të ngrejë një ushtri prej dyzet ijë ushtarësh dhe t’i dalë zot çështjes së vet. Autorët janë të kujdesshëm në të njëjtën kohë që të qartësojnë kryeministrin Disrael-i se kjo nuk do të ngrinte dyshime te fqinjët “sepse forcat e saj, megjithëse të mjaftueshme për vetëmbrojtje, nuk janë të mjaftueshme për të kërcënuar pavarësinë e asnjërit nga vendet fqinje”. Memorandumi vazhdon të theksoj faktin se është në interesin e të gjithë kombeve e në veçanti të Austrisë, Malit të Zi, Greqisë dhe Bullgarisë së Re “që të shohin një qeveri të organizuar dhe civile në Shqipëri në mënyrë që të mos kenë një burim të përhershëm konflikti dhe paqëndrueshmërie në kufijtë e tyre (Albanians, 1878). Shtrirja e ‘lëvizjes kombëtare’ në të gjitha viset e banuara me shqiptarë dhe refuzimi konsistent i Kongresit të Berlinit për të shqyrtuar çështjen shqiptare si çështje politike të mëtevetshme sollën rimbledhjen e Lidhjes më 1 Korrik 1878. Lidhja miratoi një kanun të ri me anë të të cilit shpallej Lidhja Shqiptare dhe zgjodhi Komitetin Kombëtar si organ përfaqësues. Lidhja do të punonte për të drejtat kombëtare të Shqipërisë dhe veprimtarinë do ta shtrinte në mbrojtje të trojeve shqiptare. Lidhja mori përfundimisht karakter kombëtar. Lidhja parashikoi që të kishte administratë, ushtri, buxhet dhe pushtet gjyqësor të sajin. Kongresi i Berlinit nuk e mori parasysh çështjen e shqiptarëve në Ballkan. Me traktatin e nënshkruar më 13 Korrik 1878, fuqitë e mëdha kufizuan në masë të madhe përfitimet e Rusisë në traktatin e Shën Stefanit duke shtyrë për disa dekada të tjera çështjen e zotërimeve osmane në Ballkan. Traktati njohu përfundimisht pavarësinë e Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi; ndërkohë Bullgaria e Madhe u nda në disa pjesë. Në veri u krijua një principatë autonome bullgare me kryeqytet Sofjen. Rumelia Lindore u vendos nën autoritetin e drejtpërdrejt të Sulltanit. Besarabia u mor përfundimisht nga Rusia, ndërsa Dobruxha iu dha në shkëmbim Rumanisë. Serbia mori Nishin dhe Pirotin ndërsa Maqedonia u rikthye në zotërimin osman. Bosnje-Hercegovina mbeti nën autoritetin formal të perandorisë Osmane, por u pushtua më pas nga Austro-Hungaria. Greqia nuk mori ndonjë gjë të madhe sepse shumë prej territoreve të pretenduara nga ana e saj mbetën sërish nën perandorinë Osmane, por vija e saj kufitare u shtri në trojet shqiptare të Janinës. “Në tërësinë e tij traktati i ri synonte me plotë gojë të thyente vrullin pansllavist të rusëve dhe serbëve” (Mantran, 2004, 483). Megjithëse Traktati i Berlinit korrigjoi shumë pjesë të traktatit të Shën Stefanit, propozimi shqiptar për të përfituar disa të drejta autonomie në kuadër të Perandorisë nuk u konsiderua. Një pjesë e territoreve të banuara nga shqiptarë iu dhanë Malit të Zi, Greqisë dhe Serbisë. Perandoria Osmane u ngarkua nga Fuqitë e Mëdha me detyrimin për të zbatuar vendimet e traktatit. Lidhja e organizuar tanimë në komitete krahinore ishte e vendosur për të mos lejuar dorëzimin e trojeve shqiptare tek shtetet fqinje të njohur si të pavarur nga Kongresi i Berlinit. Qëndresat më të rëndësishme shqiptare ndaj zbatimit të traktatit të Berlinit janë ato të Plavës e Gucisë dhe Hotit e Grudës. Fuqitë e Mëdha e në veçanti Rusia po e shtrëngonin perandorinë Osmane që ajo të zbatonte detyrimet e traktatit duke i dorëzuar Malit të Zi krahinat e përfituara në Veri dhe Greqisë krahinat e përfituara në Jug. Perandoria nga një anë ishte e detyruar të zbatonte detyrimet nga ana tjetër ndodhej nën presionin e popullsive shqiptare që kishin shprehur vendosmëri për të mos lejuar kalimin e tyre nën administrimin e shteteve të Ballkanit. Mali i Zi duke e parë pamundësinë e perandorisë për të dorëzuar trojet shqiptare u përpoq që të shtrinte kufijtë drejt Plavës dhe Gucisë në mënyrë të armatosur. Qëndresa e shqiptarëve të drejtuar nga Lidhja i shkaktoi humbje të mëdha Malit të Zi, I cili iu drejtua fuqive të mëdha për zbatimin e traktatit. Pas një serie negociatash ndërmjet perandorisë dhe fuqive të mëdha u vendos që traktati të mos zbatohej mbi Plavën dhe Gucinë por në shkëmbim Malit të Zi t’i jepeshin malësitë e Hotit dhe Grudës. Qëndresa e armatosur shqiptare i shkaktoi tjetër humbje Malin të Zi; kjo tregoi se shqiptarët nuk do të lejonin shkëputjen e territoreve. Anglia dhe Rusia propozuan për ndërhyrje të armatosur ndaj shqiptarëve për të zbatuar traktatin, por kjo u refuzua nga Gjermania dhe Austro-Hungaria. Në vitin 1880, Anglia dhe Austro-Hungaria propozuan që Malit të Zi t’i jepej zona bregdetare e Ulqinit. Shqiptarët vijuan të qëndrojnë dhe nuk pranuan dorëzimin e Ulqinit. Fuqitë e Mëdha ndërmorën një demonstrim detar duke kërcënuar perandorinë Osmane se do të ndërhynin ushtarakisht nëse nuk do t’i dorëzonte Ulqinin Malit të Zi. Perandoria – megjithëse përpiqej të shmangte situatën e një kryengritjeje të përgjithshme – u mobilizua të dorëzonte Ulqinin. Pas një procesi disa mujor negociatash të drejtpërdrejta të përfaqësuesve të fuqive të mëdha me përfaqësues të Lidhjes – me presionin ushtarak të perandorisë Osmane dhe nën kërcënimin e demonstrimit naval të fuqive të mëdha – Ulqini iu dorëzua Malit të zi nga përfaqësuesit e perandorisë Osmane në fund të nëntorit 1880. Qëndresat shqiptare ndërmjet viteve 1878-1880 kishin dëshmuar në optikën e fuqive të mëdha ekzistencën e një popullsie etnike të ndryshme nga vendet fqinje dhe që ishte e gatshme të dëshmonte edhe me luftë ekzistencën e një kombi politik shqiptar. Kancelaritë europiane kishin filluar ta merrnin tanimë në konsideratë atë që në Kongresin e Berlini konsiderohej si ‘shprehje gjeografike’. Britania e Madhe filloi ta shihte çështjen shqiptarëve në optikën e memorandumit që shqyrtuam më sipër. Interesi i saj themelor ishte përmbajtja e zgjerimit sllav dhe veçanërisht e daljes së Rusisë në ujërat e ngrohtë të Adriatikut e më tej Mesdheut. Por Britania nuk ishte ende e sigurt nëse rolin e ‘pritës’ ndaj ekspansionit sllav do të mund ta luante Shqipëria. Mbajtja në këmbë e perandorisë Osmane për ta ishte e rëndësishme sepse implikonte edhe interesa më të gjera në Lindjen e Afërt. Ambasadori i Britanisë së Madhe në Stamboll shkruante në vitin 1880 se “kombësia shqiptare është një element që nuk duhet lënë pa përfillur në çdo kombinim politik në të ardhmen”. Megjithëse e shihte të parakohshme ai thotë se “do të rekomandoja që formimi i një province të bashkuar shqiptare të mbahej gjithnjë parasysh” (Frashëri et al., 2002, 196). Anglia bëri përpjekje për të bindur fuqitë e tjera dhe perandorinë Osmane për krijimin e një vilajeti shqiptar nën varësinë e sulltanit. Austro-Hungaria – pavarësisht se ishte e shqetësuar nga kontroll sllav në Ballkanin Perëndimor – nuk kishte interes në një Shqipëri të bashkuar sepse kërkonte që vendin e perandorisë Osmane ta zinte ajo në brigjet e Adriatikut. Diçka e tillë kishte marrë rendësi të posaçme pas bashkimit të Italisë dhe ngritjes së saj në nivelin e fuqive të mëdha europiane. Interesi i Italisë ishte të pengonte me çdo mënyrë daljen e një fuqie të madhe (Rusisë apo Austro-Hungarisë) në brigjet e Adriatikut pasi kontrolli mbi kanalin e Otrantos do të bëhej më i vështirë çka sillte ndërlikime për sigurinë e saj kombëtare. Gradualisht italianët filluan të formulonin gradualisht një interes mbi Shqipërinë sipas parimit që ne nuk e duam por as të tjerët nuk mund ta kenë. Perandoria Osmane vijonte në agoninë e vet me shpresën se do të mund të mbante nën kontroll një pjesë të zotërimeve në Europë. Si përfundim, interesat kontradiktore të fuqive të mëdha, mungesa e aftësisë për vlerësime strategjike nga perandoria në agoni dhe mungesa e vokacionit politik të qendërzuar, bënë që çështja shqiptare të mos merrte zgjidhje.