Beteja e famshme e Kolesjanit

Lexuar 2339 here




nga Sakip CAMI

Ndërsa në Vlorë shpallej pavarësia, në Lumë dhe në Dibër bëhej luftë kundër serbit dhe në Shkodër bëhej luftë kundër malazezëve. Në luftën Ballkanike që u hap në mes të Turqisë e të shteteve aleate të Ballkanit, mbasi u pushtua Shkupi, Manastiri, Tetova, Gostivari, Perlepi, Kërçova, Ohri e Struga, që ishin kufitarë me Dibrën, qytetarë e malsorë dibranë u ndodhën përballë me pushtuesit serb.

Në këtë kohë Dibra zgjodhi dhe dërgoi si përfaqësuesin e vet Myfti Vehbinë, Vehbi Dibrën (Agollin) për të marrë pjesë në Kuvendin historik që do të shpallte indipendencën e Shqipnisë. Siç dihet Vehbi Dibra u zgjodh në këtë kuvend kryetar i kuvendësisë shqiptare, ndërsa Dom Nikoll Kaçorri, nënkryetar i qeverisë së Vlorës. Hafis Sherif Langu, përfaqësuesi tjetër i Dibrës, arriti në Vlorë ditën e tretë, me 30 nëntor 1912. Lajmi se Ismail Qemali dhe delegatët shqiptarë e shpallën Shqipërinë të mosvarme e më vete u përhap si vetëtimë.

 

...Serbët e kishin marrë informacionin se në Vlorë shqiptarët do të shpallnin pavarësinë dhe nuk mund të pajtoheshin me pavarësinë dhe kufijtë e Shqipërisë. Ata donin të arrinin në Durrës përpara se të arrinte Ismail Qemali, që ta pengonin atë. Donin që të argumentonin para fuqive të mëdha se po luftojnë kundër Perandorisë Osmane dhe jo kundër Shqipërisë, se Shqipëria nuk egziston. Në tetor të vitit 1912 filloi lufta e parë ballkanike. Serbia i shpall luftë Perandorisë Osmane. Mali i Zi i shpall luftë Turqisë. Bullgaria i shpall luftë Perandorisë Osmane. Greqia i shpall luftë Perandorisë Osmane. Në të vërtetë të katër këto shtete ballkanike luftonin kundër shqiptarëve, luftonin për të grabitur trojet shqiptare, pjesë e Perandorisë Osmane, që ishte në grahmat e fundit. Vetë shqiptarët,qysh prej dy vitesh luftonin nga Deçiçi në Vlorë, kundër turqve për shkëputje nga Perandoria Osmane. Fisnikët shqiptarë dhe Ismail Qemali ishin në përgatitjet e fundit për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë.

***

“Krajl i serbit ban medet,/

ma faroi Luma askjerin krejt/

ma farroi askjerin e ngrat’,/

burrat me pushkë e gratë me spat’

Nga një kangë popullore

Serbët sulmuan në të njëjtën kohë me Dibrën edhe krahinën e Lumës. Për tre ditë e tre netë me rradhë, lumjanë e dibranë, nga Reçi, Dardha, Çidhna , Sllova e Lura nën drejtimin e Elez Isufit e të Isuf Xhelilit dhe lumjanët e drejtuar nga Islam Spahia, Ramadan Zaskoci e Ramadan Çejku, nga 15 nëntori, deri 18 nëntor 1912, me trupat e tyre, u bënë barikadë nga qafa e Kolesjanit deri në portat e Prizrenit ndaj një regjimenti e dy batalioneve serbe, në 35 km gjatësi luftimi.

Konsulli i perandorisë austro-hungareze në Prizren, Oskar Prohaska, i cili e ka vëzhguar betejën e Lumës, gjatë gjithë ditëve që ajo zhvillohej, informoi Vienën se,

...në Lumë, po zhvillohej një luftë e ashpër dhe e përgjakshme, në të cilën forcat serbe kanë pësuar disfatë.

Harta e veprimeve luftarake në betejën e Lumës , nëntor 1912

Pjesëmarrjen dhe luftën e dibranëve, të Reçit e të Dardhës, komanda e forcave osmane në Dibër, mbi bazën e informacioneve që i vinin nga korierët, informonte komandantët osmanë të strukur në Ohër e Elbasan dhe e konsideronte atë fitore të vetën.

Aqif pashë Elbasani, i cili nuk mori pjesë në Kuvendin e Vlorës sepse në Gollobordë, në territorin e prefekturës së tij luftohej kundër serbve, u informua gojarisht nga Ahmet Zogu në Elbasan dhe i dërgoi qeverisë së Vlorës informacionin për nxjerrjen jashtë luftimit të gjashtë batalioneve serbe në Lumë nga lumjanët dhe dibranët.

 

Forcat e Lumës, Dibrës dhe Kosovës shkonin deri në katër mijë vetë, forca që e detyruan ushtrinë serbe, të nisej e përgjysmuar nga Prizreni në drejtim të Lezhës e të Adriatikut. Ushtria turke e kapitulluar ishte përqëndruar vetëm në kalatë e Shkodrës dhe të Janinës.

Shqiptarët në këtë luftë mbetën vetëm. Batalionet e njësive osmane tërhiqeshin të trembura dhe me tendencën që të kishin sa më pak humbje gjatë tërheqjes. Dy, prej tri armatave serbe, që ishin në luftë, sulmuan trojet shqiptare. Turqit i kishin premtuar Isa Boletinit 63 mijë pushkë, por edhe ato nuk ia dhanë. Ndërsa Elez Isufi ja mori me forcë tre topa ushtrisë turke në Dibër kur po tërhiqej drejt Manastirit.

 

Lumjanët kërkuan armë te administrata turke në Prizren, por administrata turke nuk pranoi të hapte depot dhe të furnizonte me armë lumjanët të komanduar nga prijësi i tyre Ramadan Zaskoci.

Luftimet filluan të ashpra më 15 nëntor kundër forcave serbe në qafën e Kolesjanit. Ndërkohë lumjanët futën në grackën e patkoit forcat sulmuese të një batalioni serb nga Gryka e Shkallës së Keqe, Kolesjan, Gabrricë e Bushat.

Forcat derjane (dardhjane) të udhëhequra nga Elez Isufi, i mbështetur edhe nga një kompani çidhnakësh të udhëhequr nga Met Dedja u kthyen nga udhëtimi drejt Shkodrës në ndihmë të lumjanëve që luftonin kundër serbve. Në ditët e para të nëntorit 1912, forcat serbe po përparonin vazhdimisht drejt Lumës. Elez Isufi i dërgoi fjalë Met Dedes, duke i kërkuar sa më shpejt të shkonin në Kolesjan, për t’i dalë përpara hasmit. Ky veprim ishte plotësisht i justifikuar nga pikëpamja taktike, ndaj dhe angazhimi luftarak i malësorëve ishte në lartësinë e nevojshme.

Elez Isufi kish dërguar në Qafë të Kolosjanit mbi 400 forca të shoqëruara edhe me dy topa të vegjël dhe, me 19 nëntor 1912, gjëmimi i topave dhe thirrjet “besa-besë”, realizuan fitoren e madhe mbi ushtrinë serbe, së cilës i mbetën në fushën e betejës një regjiment ushtarësh të vrarë.

Flamuri i fitores me shqiponjën dykrenare u valëvit në fushën e betejës, në ditën që u shpall pavarësia në Vlorë.

 

Në këtë formacion luftarak, ishin të rreshtuar edhe çidhnakët, të udhëhequr nga Met Dedja, të cilët luftuan heroikisht krah për krah me luftëtarët derjanë e reçjanë.

Një këngë e asaj kohe thoshte:

“Kush ban mledhje ke istikami? /

Ai Met Dedja musteçemadhi. /

Tym e flakë bajmë duman, /

Si n’Bërdicë e n’Kolesjan.”

Në këto luftime të përgjakshme, pranë Halil Selmanit të larë në gjak ranë në fushën e luftimit edhe çidhnakët Beqir Dan Bushi, Dan Beshir Sala, Osman Liman Kariçi dhe Rushit Miftar Përseku ndërsa luftuan si të çartun çidhnakët Destan Tota, Ferit Dauti, Halim Xhika, Sahit Xhika, Bajram Xhika, Selam Daci, Selman Xhika, Avdi Xhika, Elez Shehu, Sali Shehu etj.

Elez Isufi, komandant i forcave dibrane

Në fillim të nëntorit të vitit 1912, ndërsa ushtria osmane tërhiqej në vijën Lumë, Kala Dodës, Rrafshi Korabit, Qafa e Resnikut, në Ploshtan, i janë mbajtur dy topa e 17 gjyle, të cilat u përdorën nga kaladodasit në Qafë të Kolesianit kundër ushtrisë serbe. Kleriku i fshatit nën moton se nuk ka fe’ pa atdhe lëshoi shtëpinë e Zotit, për bijtë e Zotit. Ploshtanasit e përdorën për këtë qëllim madhor xhaminë e fshatit. Ploshtanasit strehuan në xhami edhe ushqimet për popullin dhe luftëtarët.

Vendosja në formacione luftimi ka qenë e tillë: Radomirasit bllokuan Qafën e Kolesjanit. Cereni, Ploshtani, Dodajt, Shullani, Vasije, u pozicionuan në zonën e Gorës, Pikllimës e Koritnikut. Radomira ka pasur afro 300 luftëtarë. Po kaq ose pak më shumë kanë pasur edhe fshatrat e tjerë. Gjuajtjet me artileri nga shqiptarët kundra serbëve në Qafë të Kolesianit patën ndikim shumë të madh. Ato i zunë në befasi të plotë dhe ngjalli frikë e panik, sepse kurrë nuk e kishin menduar se shqiptarët kishin edhe topa në këtë luftë. Luftëtarëve lumjanë ju shtua optimizmi dhe besimi për fitore. Kjo goditje me artileri e shqiptarëvë vinte pas rënies në fushën e luftimit nga sulmet e artilerisë serbe të Ibrahim Gjorgjit e Ramadan Krecit. U plagos rëndë Mustafa Baloshi. Pas betejës, shokët i varrosën Ibrahimin e Ramadanin në kodrën e vogël të fshatit Bicaj. Në krye të luftëtarëve prinin Tofik Gjorllaku, Gafurr Brika, Adil Skeja, Ramadan Kadia, Sheh Hajra, Riza Ahmati, Idriz Zholi, Halil Shira, Cen Daci, Qazim Lika dhe Osman Lita. Dalip Sula u jepte gajret shokëve: ”Bini dushmanit e t’i shfarojmë shkiet”.

***

Bedrije Brika, motra e Hysen Brikës pasi ka marrë lajmin se vëllain e saj dhe burrat e fshatit i kanë marrë serbët për t’i vrarë, merr pushkën e niset drejt Cerenit. Ka qëlluar mbi vrasësit. Serbët ndrrojnë shënjestër. Ata qëllojnë mbi Bedrijen. Ajo mbetet e vrarë në Krojnas. Hyseni shpëtoi. Motër Bedrija u vra.

E ëma e vajtonte:

“Nuk mbrriti nana

Me t’vu bojë nusnie,

Hasmi t’vuni prita,

Me gjak të ka ngjye!

Po mblidhet Ploshtani,

Moj bijë, me të qa,

Po vajtan vatani,

Dëshmor motër e vëlla!”

Hyseni jetoi dhe më pas u shtua me një vajzë. Në kujtim të motrës, vajzës ja ka venë emrin Bedrie.

Varret e dëshmorëve të Cerenit janë të veçuara. Ata i kanë varrosur gratë se burrat i vrisnin serbët. Murin e varreve të dëshmorëve e ka ndërtuar Hasan Hafuzi. Ka nxjerrë gurë në përrua dhe me ta ka ndëruar murin rrethues.

***

Forcat rezerviste të nënprefekturës së Dibrës së Poshtme qenë mobilizuar dhe urdhëruar për t’iu bashkuar regjimentit të Dibrës, në Krujë, sepse kishin marrë urdhër nga komandanti i forcave osmane të kufirit me Malin e Zi, Mahmut Hajret Pasha, të merrnin pjesë në mbrojtjen e Shkodrës.

Por natën e 19 nëntorit 1912 vullnetarët që do të plotësonin fuqinë e regjimentit të formuar në Dibër, u ndanë në dy pjesë; një pjesë u ndal në Burrel dhe pjesa tjetër u kthye prapa, nën komandën e të parit të tyre, Elez Isufit u turrën drejt Lumës, sepse në Lumë kishte hyrë serbi në cullë e gra e për ata nuk kishte kthim mbrapa.

Qindra dibranë të komanduar nga Elez Isufi, tregonte Abdulla Çanga sekretari personal i Elezit, të nisur nga Burreli, kanë bërë një marrshim të sforcuar, në një rrugë të vështirë, me zbritje në Drin nga Qafë-Murra e me ngjitje në Kala të Dodës, me kalimin e Lumës së Epërme e deri në Qafë të Kolesianit, ku një ditë më parë kishin filluar luftimet kundër serbëve forcat popullore lumjane të udhëhequra nga Islam Spahia, Ramadan Zaskoci, Ramadan Çejku etj. Veç pushkëve forca që erdhi me Elez Isufin dhe Cen Dacin e Kalisit, ish oficer shqiptar artiler, solli me vete edhe dy topa dhe 37 gjyle të marra nga Divizioni i Xhavit pashës. Të nesërmen, më 16 nëntor, herët në mëngjes, armiku hapi zjarr në të gjithë frontin, nga drejtimi i Kolesianit, por dy topa të luftëtarëve dibranë të marra nga ushtria e Xhavit pashës, filluan të godasin me sukses në objektivat serbe, sa që topat malorë serbë u detyruan të ndryshojnë pozicionet e tyre të qitjes. Serbët nuk e kishin menduar se do të sulmohen me topa nga luftëtarët shqiptarë. Ata shqiptarët i quanin bark pangopur dhe brekgrisur, por ja që barkpangopurit i bënë që të iknin nga sytë këmbët në panik. Atë ditë binte një shi i ftohtë dhe përroi i Shejës dhe lumi i Drinit të Zi kishin ardhur deri në kulm. Në përpjekje për të kaluar në lumin dhe përroin e fryrë, një pjesë e ushtarëve serbë u mbytën. Ndërkohë komanda turke dërgonte telegrame në Portën e Lartë dhe i raportonte sukseset e luftëtarëve lumjanë e dibranë si suksese të veta.

Islam Spahija, udhëheqës shpirtëror dhe ushtarak i Lumës

Pas tërheqjes së forcave të mbetura serbe përtej Bicajve, drejt Kullës së Lumës, kontigjenti i dibranëve nën udhëheqjen e Elez Isufit u shkëputën nga beteja dhe u drejtuan nga Dibra e Poshtme. Elez Isufit i erdhi njoftimi se ushtria serbe po sulmonte Dibrën nga ana e lindjes. Atë ditë, më 27 nëntor, brigada “Morava”, u nis të pushtonte Dibrën. Forcat e Elez Isufit që e kishin kryer detyrën më së miri në mbrojtje të vëllezërve të tyre lumjanë, tani ishin të detyruar të marshonin në drejtim të Dibrës së Madhe në mbrojtje të vëllezërve të qytetit të Dibrës.

Lumjanët i ndoqën serbët edhe në Kullën e Lumës, ku forcat e mbetura u rrethuan nga lumjanët dhe u dëmtuan rendë. Edhe një batalion që u nis t’u vinte në ndihmë, nuk çau dot, veç të nesërmen. Karrot e kuajt e ushtrisë serbe ishin shkatërruar e asgjësuar dhe ushtarët e dy kompanive të shpëtuara, duke mbajtur armët e renda dhe municionin mbi shpinë, mezi u grumbulluan me 17 nëntor natën afër Vermicës dhe vonë natën u tërhoqën në Zhur.

 

Kosta Novakoviç, njëri nga pjesëmarrësit në këtë betejë në ditarin e tij ka shkruar se në Lumë pësuan një disfatë të plotë, humbje e madhe, disa qindra ushtarë e oficerë të vrarë, dhe shume municion, ushqim dhe kafshë të humbura. Për humbje të rënda të serbëve në Lumë shkruajti pas disa ditësh edhe konsulli Austri-hungarez në Prizren, Prohaska.

Ramadan Zaskoci, udhëheqës i betejës së Lumës

Në Betejën e Lumës kanë rënë dëshmorë më shumë se 200 luftëtarë, lumjanë dhe dibranë dhe janë plagosur edhe shumë të tjerë.

Lapidari i betejës së Kolesjanit

Ndërkohë që malazestë sulmuan Shkodrën, serbët mësynë në Dibër. Shehrin e rraskapitur nga lufta e gjatë me turqit e sulmuan me armë bakteriologjike. Qytetit i bllokuan ujin, ja infektuan atë me minj të ngordhur. Edhe puset i helmuan. Qyteti mori malin për të mbushur ujë dhe për të pirë ujë mali të painfektuar. Gratë mbanin ujë me bucela në mal, ndërsa burrat mbanin ujë me mushka e bidonë. Furrat e bukës nuk prodhonin as çerekun e kapacitetit të tyre për mungesë të ujit të sigurtë. Ushtarët serbë, porsi kulçedra rrethuan dhe bllokuan burimet e malit. Qytetin e drobitur e sulmuan edhe me armatën e tyre ushtarake dhe e pushtuan me një sulm të rrufeshëm nga Gryka e Radikës dhe më pas filluan krime çnjerëzore ndaj popullsisë civile, ndaj njerëzve të pafajshëm, ndaj grave, fëmijve dhe pleqve. Mbreti Petar Karagjorgjeviç me dekretligjin e datës 27 dhjetor 1912, për vendosjen e pushtetit të jashtëzakonshëm në trevat e pushtuara, kishte dhënë pëlqimin për një ekspeditë të tillë ndëshkimore në Shqipëri. Dhe për këtë ishte ngarkuar Shtabi i Komandës Supreme Serbe me seli në Shkup.