Diaspora Novosej një grupim ambicioz

Lexuar 2091 here




nga Azem PARLLAKU
Prej kohësh punëtorë dhe trashgimtarë të breznisë me gjak e gjuhë, novosejasit në Europë janë bërë bashkë këto ditë dhe kanë vendosur kështu të mbesin, duke i dhënë jetë grupimit “Diaspora Novosej”.

Ashtu dorështërnguar dhe ngjyruar kuqezi, siç prezantojnë shenjën e grupimit, janë bashkuar këtë fundjavë në Namur të Belgjikës, për të dërguar mesazhin, që vetëm ata dijnë të sfidojnë kohët, orkestrantët e të cilave i kanë shpërfillur me kohë.

Novosej i Kukësit nga ku ata vijnë, është një nga mrekullitë që Zoti, ka krijuar në jugpërendim të bjeshkëve të Sharrit, më të mirat e gadishullit Ballkan. Novosej është shpirti e tabloja natyrore e kësaj zone, ku vijat e telajos ngjiten dhe zbresin për të krijuar portrete e peizazhe fantastike.

Novosej është katundi që shfaqet çati lidhur e rrugicash me tre-katër kroje si vende tradicionale të miqësive femërore. Ai shfaqet si një projektim hapsinor i mardhënieve shoqërore, njëherësh strukturuar nga ndasi që e bëjnë të dallueshme profanen nga e shenjta, punën nga zbavitja, publiken nga privatja, burrat nga gratë, familjen nga gjithçka tjetër që nuk i përket asaj. Shpirti i njerëzve e resurset natyrore që posedon ky katund janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu bazat më të rëndësishme për zhvillim.

Mbretëria e Bashkuar, Belgjika, Suedia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italia dhe gjetkë janë vendet mikëpritëse për novosejasit, të cilët historikisht kanë dëshmuar vyrtytet më të mira si shqiptarë.

Ndërsa Europa e krejt Perëndimi, janë pasaporta e dytë e tyre, novosejasit po shkruajnë projektin e ardhmërisë, pa e përzier me ngjyrimet bajate të politikës së mejhaneve të Tiranës dhe Kukësit të tyre.

A do të shndërrohet ky grupim në tipin e një diaspore për t’u marrë shembull?!

Pritshmëritë thonë PO!

Veprimtaria e tij disa ditore është mbresëlënse, takime në disa qytete të Eurpës, koordinime dhe formulim e miratim të një statusi të çertifikuar, e qasin admirueshëm këtë grupim të diasporës. Tubimi që mbajtën novosejasit në Belgjikë këtë 3 qershor, nxori në pah domosdoshmërinë e rëndësisë së kapaciteteve profesionale dhe kapitalit human të diasporës në zhvillimin e vendit. Aty u tha që kapacitetet nuk mungojnë e si të tilla duhen gjeneruar.

Grupimi “Diaspora Novosej” po çertifikon statusin afatgjatë si nxitës të zhvillimeve progresiste me kahje ekonomike, arsimore e kulturore. Grupi organizator që e ka të qartë nevojën për një ambient të integruar në nivel evropian, synon të përmbushë një sërë aktivitetesh duke i ikur spontanitetit, me qëllim promovimin fillestar të kapaciteteve që novosejasit kanë në Europë e gjetkë në fusha të tilla si, biznesi, arsimi, kultura, sporti, etj.

Kjo lloj qasje do të ketë duk në një sërë aktivitetesh fillimisht në Mbretërinë e Bashkuar, në Belgjikë, e më tutje në Novosej nëpërmjet një eventi një herë çdo vit. Aktualisht janë hapa modest, ndërsa mund të shpresohet se implemtimi i ambicieve të këtij grupimi ka mundësi të shumta, pasi shembujt kanë dëshmuar se individë të veçantë nga ky komunitet kanë dhënë kontributin e tyre të pazëvendësueshëm për tejkalim të disa sfidave si tutje në Europë, ashtu dhe në vendlindje.